Aksident tragjik me paragllajd në Prizren

Një person ka mbetur i vdekur dhe një tjetër është lënduar rëndë, pas një aksidenti gjatë fluturimit me paraglajd që ka ndodhur të shtunen në Prizren.

Kështu ka bërë të ditur zëdhënësi i policisë rajonale për Prizren, i cili ka shtuar se rreth orës 13”00, policia ka marrë thirrjen për një aksident që ka ndodhur me paragllajd. Me të dalë në vendin e ngjarjes kemi parë se njëri person ka ndërruar jetë aty pas lëndimeve të rënda që ka marrë në kokë, ndërkohë që tjetri gjendet në gjendje të rëndë dhe po trajtohet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Ndërkohë, mësohet se personi i vdekur është Artan Venhari 45 vjecar.

Për vdekjen e Artanit, kanë reaguar, Zyra Kombëtare e Auditimit, ku ka punuar Artani, ish-deputeti Ilir Deda dhe ish-ambasadori i Kosovës në Suedi dhe drejtori ekzekutiv i Institutit KIPRED, Lulzim Peci.

“Me trishtim të madh mësuam lajmin për humbjen e hershme të ish kolegut tonë të nderuar Artan Venhari. Artani ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm duke shërbyer si Zëvendës Auditor i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës në një periudhë të rëndësishme për institucionin. Familjes dhe miqve ngushëllimet më të sinqerta nga Auditori i Përgjithshëm dhe ish kolegët e Artanit në Zyrën Kombëtare të Auditimit”,thuhet në reagiminin e e Zyrës së Auditimit.