Figura e Agim Mehmetit, i cili vdiq më 3 gusht, u vlerësua lartë në një tubim të mbajtur në Shliren të Cyrihut, ku morën pjesë mërgimtarë e bashkëluftëtarë që kanë vepruar në kuadër të FARK-ut
Teksti dhe fotot : Rexhep Rifati
Me rastin e vdekjes se ish-zëvendësministrit të parë të Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Kosovës dhe zëvendës komandant i Shtabit të Përgjithshëm të FARK-ut, Agim Rrustem Mehmetit në restorantin Salmen në Shliren, në afërsi të Cyrihut u organizua e pame nga familja e tij si dhe u mbajt një akademi përkujtimore kushtuar kësaj figure të lartë ushtarake.
Me këtë rast mërgimtarë, jo vetëm nga Zvicra, por edhe shtet tjera, përfshi këtu pjesëtarë të familjeve të martirëve dhe bashkëluftëtarë që vepruan kryesish në kuadër të FARK-ut, përkujtuan me pietet jetën dhe aktivitetin e këtij personaliteti që mbante vendin e dytë në Ministrinë Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, mbas kolonel Ahmet Krasniqit. E pranishme në tubim ishte edhe zonja Shukrije Ramadani, drejtuese e Qendrës së Kulturës së Republikës së Kosovës në Cyrih.
Gjykata ushtarake burgos dy vëllezërit Mehmeti
Në këtë akademi një fjalë rasti për jetën dhe veprën e Agim Mehmetit e mbajti kryetari i Shoqatës së Intelektualëve Shqiptarë në Zvicër, Abas Fejzullahi, i cili pasi përkujtoi se Agimi u lindë më 10.03.1955 në fshatin Botushë të komunës së Gjakovës, në një familje arsimdashëse që vazhdimisht qe në shënjestër të pushtetit serbo-sllavë. Pas mbarimit të Akademisë ushtarake Agimi punon në Qendrën Shkollore Ushtarake në Sarajevë, ku pastaj ishte edhe ligjërues. Ndërkohë nga gjykata ushtarake i burgoset i vëllai, Bajrami e pastaj edhe ai vet, në saje të gjykimeve të kurdisura që organizoheshin kundër ushtarëve dhe ushtarakëve shqiptarë në kuadër të ish-organeve të sigurimit të APJ-së. Pas shumë peripecive arratiset nga burgu dhe braktis edhe armatën jugosllave për të migruar në Zvicër.
Inkuadrimi në kuadër të FARK-ut
Me rëndimin e situatës në Kosovë, vazhdoi në fjalën e tij Fejzullahi, përkundër shëndetit të rënduar Agim Mehmeti inkuadrohet në kuadër të Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës – FARK, duke i vu përgatitjet e tij profesionale në organizim të këtij formacioni ushtarak. Derisa ishte në Zvicër, veprimtarinë e kishte përqendruar në bashkëpunimin me oficerët shqiptarë që kishin braktisur APJ, për t`u organizuar sa më mirë, për themelimin e FARK-ut për mbrojtjen dhe lirinë e Kosovës të pushtuar nga Serbia.
Me këtë rast, Abas Fejzullahi, përkujtoi se Agimi, me përvojën si epror dhe oficer madhor, ishte dhe do të mbetet në kujtesën e të gjithë atyre që patën fatin ta njohin, të bashkëpunojnë e veprojnë me te, si mësimdhënës, këshillues e bashkues, qofshin ato edhe rrethana e situata sado të rënda. Sepse qëllimi i tij ishte që të gjitha forcat ushtarake kudo në Kosovë të organizohen në mënyrë institucionale, në përputhje me rregulla e komandë ushtarake, bazuar edhe në Kushtetutën e Kosovës e njohur si Kushtetuta e Kaçanikut.
Autor i librit, “E vërteta për FARK-un“.
Fejzullahi kujtoi se vepra e Agim Mehmetit me titull: “E vërteta për FARK-un“. ka zgjuar dhe zgjon interesim tek lexuesit, pasi në ditët e sotme, njerëzit kanë shumë nevojë për të vërtetën e cila u është vjedhur nga stërvjedhësit, në jetën e përditshme, por edhe nga mjetet e ndryshme në hapësirat shqiptare, si RTV, mjetet elektronike (interneti e faqe të ndryshme pamore, gazeta e revista të shumta, po edhe nga fjalime e premtime të politikanëve e qeveritarëve apo edhe nga vetë foltorja e Parlamentit.
Në vijim ja edhe dëshmia që Agimi paraqet në librin e tij „:“E vërteta për FARK-un“. -në faqe 156-157, me rastin e vrasjes së Kolonel Ahmet Krasniqit, ministër i Mbrojtjes dhe komandant i Shtabit të Përgjithshëm të FARK-ut, ku mes tjerash shkruan për tre vrasësit:„ …Pasi që u bashkuan që të tre, humbën diku në errësirë, duke mos ditur se çfarë errësire dhe çfarë dëmi i shkaktuan ata Kosovës dhe Shqipërisë. Po ç ‘faj bëri ministri i ndjerë, pse atij iu mohua e drejta të jetoj? A thua jemi popull kaq i mallkuar që nuk dimë tjetër veç të luftojmë në mes veti, duke dëshiruar që secili prej nesh të ketë pushtetin dhe fatin e të tjerëve në dorë. Si të tillë që jemi a e meritojmë lirinë ?! “
Nëse një ditë do të lirohemi nga shkau?!…
Një nga pyetjet në libër ishte edhe ajo se: …“Edhe nëse një ditë do të lirohemi nga shkau, se a do të mund të lirohemi nga mendja jonë e ligë dhe nga të këqijat që i kemi. Hordhitë kriminale pasi nuk u ngopen me vrasjen e parë të Ahmet Krasniqit, e bënë vrasjen e dytë, duke ia futur një tullë betoni ndër kokë në murgun e Tiranës, e fotografuan dhe atë fotografi e paraqiten në të gjitha mediat e botës si lajm. Vrasja e Ahmet Krasniqit më 21 shtator të vitit 1998 në Tiranë, shtyu hyrjen e brigadës së Sylejman Kollçakut dhe të brigadave tjera në Kosovë. Në vend të Ahmet Krasniqit, nga Qeveria e Republikës së Kosovës, nga kryeministri Bujar Bukoshi, caktohet Halil Bicaj…»
Ndërsa në emër të kolegëve e ushtarakëve një fjalë rasti në këtë akademi e mbajti, ushtaraku Jahir Hyseni, i cili foli për punën e palodhshme të Agim Mehmetit për konsolidimin e Forcave të Armatosura te Republikës së Kosovës. Në emër të familjeve të rënëve, konsulli i Kosovës në Frankfurt, Astrit Zemaj, ndërsa me një fjalë përshëndetëse të pranishmëve iu drejtua vëllai i të ndjerit, Bajram Mehmeti. Në fund të akademisë u shfaq edhe një dokumentar për Agim Mehmetin, fjala e tij në një përvjetor të vrasjes së kolonel Ahmet Krasniqit. Në fund u lexuan edhe telegramet e ngushëllimit nga ushtarak e bashkëpunëtorë në adresë të familjes dhe organizuesve të akademisë, ndër to edhe një poezi kushtuar Agim Mehmetit, që e recitoi Qamil Çekaj.

































