Deputetë, mjaft më!
(Ju të zgjedhurit nga populli)
Kësaj radhe, mjaft më me dhunë!
Zgjidheni të parin/en e shtetit,
mos na qitni punë!
Votoni për hir të luftës sonë heroike,
për hir të masakrave e dëshmorëve,
të zhdukurve e të pagjeturve tanë,
të varrezave tona masive anë e mbanë,
të dhunimeve të shumta në luftë e në robëri,
të nënave, motrave e grave tona,
dhe gjakut të derdhur për liri…
Po ju pyesim juve, ne,
por edhe ju pyesni vetveten tuaj.
Ju të gjithë tani, pak hollë e hollë,
vëni dorën në kokë: a e bëtë më boll?!
Si nuk ju bren aspak ndërgjegjja?
Duhet të paktën të keni ndërgjegjësim,
pak turp, fytyrë e kulturë për mësim.
Deputetë pa ndërgjegje, pa domethënie,
pa fije turpi për vendin tuaj, vendin tonë.
Ju si duhet nuk jetoni e punoni,
nuk e doni, nuk e respektoni njëri-tjetrin.
Tepër shumë e ulni dhe e largoni vetveten.
Mbi të gjitha, më së shumti e dëmtoni
popullin tuaj – tonin – dhe shtetin!
Populli ju ka zgjedhur me votë juve
për të krijuar institucione legale,
jo për të bojkotuar e për të bërë hajgare,
për ta bërë Parlamentin me legjitimitet
dhe për të marrë vendime, për të miratuar ligje.
Krejt kjo u bë për të forcuar ushtrinë, unitetin dhe shtetin.
Ju themi shqip e shkurt:
a s’keni pak turp?!




















