Hazir Mehmeti, Vjenë
Një vepër që i duhet publikut shqiptar – vështrim
“Ndërgjegjja vlen sa një mijë dëshmitarë.”
(Kuintilian)
“S’ka dhe s’mund të ketë komb kosovar.”
(Xhevat Hasani)
Libri dhe konteksti shoqëror
Publicisti dhe veprimtari i njohur Xhevat Hasani ka dalë para publikut me librin e tij të ri, “S’ka dhe s’mund të ketë komb kosovar”. Kjo vepër shfaqet në një periudhë të ndjeshme të pasluftës, kur ndërtimi i shoqërisë së lirë dhe i strukturave shtetërore është shoqëruar me kundërthënie të thella konceptesh.
Këto kundërthënie kanë bërë që strukturat shoqërore të mbeten të brishta dhe shpesh pa një bosht të qëndrueshëm në forcimin e logjikës shtetërore mbi interesat kombëtare shqiptare. Në këtë situatë u shfaqën ide të ndryshme dogmatike, të cilat pretendonin se ofronin rrugëzgjidhje për përparimin e vendit dhe integrimin e tij në institucionet ndërkombëtare. Shumë prej këtyre ideve u promovuan përmes mediash me kredibilitet të dyshimtë dhe nga individë me prapavijë po aq të paqartë.
Në një shoqëri ku ligji nuk funksionon siç duhet dhe ku mungon drejtimi i qartë i rrjedhave shoqërore drejt progresit në liri, kjo hapësirë shpesh keqpërdoret nga individë apo grupe klanore për të zhbërë orientimin fisnik kombëtar.
Libri si përgjigje argumentuese
Libri “S’ka dhe s’mund të ketë komb kosovar” përbën një përgjigje të argumentuar ndaj disa prej këtyre ideve shthurëse dhe shkatërruese. Ai është një protestë e shkruar mbi baza të shumta faktike dhe teorike, ku autori paraqet para publikut fakte konkrete mbi tendencat përçarëse ndaj identitetit kombëtar në Kosovën e pasluftës.
Në rrugën e vështirë të ndërtimit të vendit pas luftës, dolën në skenën publike individë me ide të dëmshme pikërisht në momentin kur kërkohej bashkimi i qëndrimeve për jetësimin e shtetit të ri të Kosovës, në rrethana tejet të vështira ekonomike, shoqërore dhe politike, si dhe në kushtet e një klime ndërkombëtare të paqëndrueshme dhe agresivitetit të vazhdueshëm serb ndaj Kosovës dhe pavarësisë së saj.
Duke mos u pajtuar me këto ide antikombëtare dhe përçarëse, autori thekson qartë në hyrje të librit:
“Shkak i drejtpërdrejtë për ta shkruar këtë libër ka qenë propagandimi i ideve komb-vjetërsuese dhe komb-ndarëse të Nexhmedin Spahiut dhe të Halil Matoshit, dhe në njëfarë mase edhe të Migjen Kelmendit e të Bardhyl Metës. Këto ide i kam perceptuar si komb-vjetërsuese, sepse përmes tyre është tentuar dhe tentohet që kombi shqiptar në Kosovë të tjetërsohet në ‘komb kosovar’. I kam perceptuar edhe si ide komb-ndarëse, sepse synojnë ndarjen e kombit shqiptar në dy kombe: një shqiptar dhe një ‘kosovar’. Madje edhe si ide komb-vrasëse, sepse pasojat e tyre, nëse do të zbatoheshin, do të çonin drejt shthurjes totale të kombit shqiptar.”
Rreziku i ndarjes kombëtare
Autori argumenton se ideja e krijimit të një “kombi kosovar” është thellësisht e rrezikshme për kombin shqiptar dhe për aspiratat e tij shekullore për bashkimin e trojeve shqiptare, të copëtuara në pesë shtete, si asnjë etni tjetër në kontinent.
Siç shprehet vetë autori:
“Hapi i parë i shkatërrimit të një kombi të ndarë në gjashtë pjesë, shumë i rrezikuar nga fqinjët dhe relativisht i vogël si kombi shqiptar, është ndarja e tij në dy ose më shumë kombe.”
Libri nuk kufizohet vetëm në polemikë direkte, por shërben edhe si burim njohurish shtesë me karakter etnik, historik, politik, teorik dhe etnopsikologjik, të gjitha në funksion të vërtetimit të tezës qendrore:
Në Kosovë as nuk ka pasur dhe as nuk mund të ketë “komb kosovar”, sepse në Kosovë ka pasur, ka dhe do të ketë komb shqiptar.
Referenca juridike dhe teorike
Për t’iu kundërvënë ideve komb-ndarëse, autori i referohet Planit të Ahtisarit, Kushtetutës së Kosovës, si dhe dispozitave të Kartës së Kombeve të Bashkuara që lidhen me anëtarësimin e shteteve në OKB. Po ashtu, ai analizon teoritë gjermane dhe franceze mbi kombin, duke sqaruar përkufizimet dhe karakteristikat e tyre.
Autori thekson se konsolidimi i shtetit të Kosovës nuk varet nga shpikja e një identiteti të ri kombëtar, por nga reformat demokratike, ekonomike e politike, nga lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe nga respektimi i të drejtave dhe lirive të njeriut.
Mesazhi i veprës
Libri është shkruar me rrjedhshmëri, i mbështetur në fakte dhe burime të shumta nga gjuhë të huaja. Ai ka një mesazh dhe vizion të qartë: ngritjen e vetëdijes kombëtare dhe orientimin drejt bashkimit kombëtar.
Kosova si shtet u krijua falë luftës shekullore të kombit shqiptar dhe nuk mund të ndahet nga interesi kombëtar. Vetëm armiqtë e shqiptarëve synojnë shthurjen dhe ndarjen shpirtërore e fizike të tyre. Kundër këtyre teorive përçarëse duhet të ngrihet fuqishëm zëri i intelektualëve dhe i institucioneve të tyre, në atdhe dhe në mërgatë.
Urime autorit dhe rrugë të mbarë librit!
Autori
Dr. Xhevat Hasani ka lindur në fshatin Buzës të Opojës në Kosovë. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, të mesmen në Prizren, ndërsa Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë. Studimet pasuniversitare dhe specializimin i përfundoi në Zagreb, ndërsa doktoraturën e mbrojti në vitin 1989 në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë.
Në dhjetor të vitit 1992, për shkak të përndjekjes nga regjimi serb, u detyrua të largohej nga Kosova. Gjatë viteve 1993–1995 në Austri u angazhua në organizimin e mësimit plotësues në gjuhën shqipe, duke shënuar rezultate të jashtëzakonshme. Atje botoi librin dygjuhësh “Shkolla dhe arsimi shqip përballë shovinizmit serbo-maqedono-malazez”, nga i cili historiani Noel Malcolm ka marrë referenca në librin e tij “Kosovo: A Short History”.
Që nga viti 1996 jeton në Zvicër. Veprimtaria e tij është e njohur dhe e respektuar në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni dhe në mërgatën shqiptare.
Libra të botuar:
- “Shkolla dhe arsimi shqip ndër viset shqiptare në Kosovë,
Maqedoni dhe Mal të Zi përballë shovinizmit serb, maqedon e malazez”,
Vjenë 1995. I njëjti libër është botuar edhe në gjuhën gjermane: “Die
Albanische Schulen und das Schulw esen in den Albanischen Gebieten
in Kosova, Makedonien und Montenegro angesichts des Serbischen,
Makedonischen und Montenegrinischen Chauvinismus”, Wien 1995. - “Sistemi shëndetësor i Kosovës: Mjekësia popullore dhe ritualet”,
Zyrih 2000. I njëjti libër është botuar edhe në gjuhën gjermane: “Das
Gesundheitsystem Kosovas: Volks heilkunde und Rituale”, Zürich 2003. - “Një jetë në shërbim të lirisë”, libër monografik kushtuar dëshmorit
Naser Hani nga Struga, Prishtinë 2013. - “Me Selman Lajçin nëpër Sanxhak”,
libër monografik kushtuar dëshmorit Selman Lajçi, Prishtinë 2015. - “Dymbëdhjetë legjenda shqiptare”, Prishtinë 2025.
Ky libër është botuar edhe në gjuhën gjermane me titull:
“Zwölf Albanishe Legenden”, Prishtinë 2025.























