Cikël poezish për Vjeshtën

Cikël poezish për Vjeshtën

Nga Judita Dedi

 

Nga dritarja shoh vjeshtën

Nga dritarja shoh vjeshtën që zbret ngadalë,
Si flakë e butë që digjet në qetësi,
Era prek gjethet që bien në tokë,
Dhe dielli humbet e fshihet sërish.

Nëpër pemë si zjarr ndizen ngjyrat e stinës,
Kënga e zogjve vjen si psherëtimë,
Në shpirt më pushton ndjesia e heshtjes,
Panorama e natyrës të gjithën më përpin.

Ajri merr frymë në ar e në mjegull,
Mbi degë rrëzohen kujtimet e verës,
Unë rri e vështroj, në mendime të thella,
Si sy që humbasin në dritën e tretur.

 

Vjeshtë

Mbi tokë rrëshqet një gjethe e kuqe flak,
E ndal mbi stolin bosh për pak pushim,
Një re si shall në ajër vjen përqark,
Dhe era endet ngrohtë në ëndërrim.

Kërcet një degë, e dridhet flet’ e fundit,
Si një valltar që s’di të ndalet më,
E dielli lind prej qiellit, përhap dritën,
Dhe ngjyrat veshin drurët një nga një.

Në qetësi shtegton hija e mbrëmjes,
Dhe nata qerpikët i mbyll lehtë,
E pylli flet me zërin e harrimit,
Se çdo fund vjeshte lind një stine të re.

 

Në vjeshtën time

Në vjeshtën time ra një fletë,
E shkruar fshehur në një letër,
Një zë i butë më flet lehtë,
Si ëndërr që shkoi diku tjetër.

Në degë të zhveshura flet një mall,
Si erë e tretur në agim,
Në rrugë ku gjethet rrëshqasin ngadalë,
Humb një kujtim në shpirtin tim.

Në heshtje mbështjell këtë kujtim,
Si frymë që prek një hije të zbrazët,
Në zemrën time shkrihet ëmbël,
Si puthje drite në buzë të natës.

 

Gjethe e zverdhur

Gjethe e zverdhur, të rrëzoi era,
Në ajrin e ftohtë të muzgut vjeshtor,
Re qetë mbi shteg si mall i fshehur,
Si frymë e ëmbël që tokën pushton.

Shiu i imët më ledhaton faqet,
Si puthje e lehtë që s’do të mbarojë,
Mollët rëndojnë në degët e lodhura,
Dhe dielli ngadalë fillon të shkojë.

Ngjyrat treten në çdo përrua,
Flladi i përzien si bojra në letër,
Unë rend pas gjethes e luaj shpenguar,
Në lojën e stinëve, në ëndrrat e jetës.

 

Dashuri vjeshte

Frym’ që shkon larg në pritjen e fletës,
Mbart heshtjen e dritës në largimin e saj,
Një tingull i gjatë në gjurmën e jetës,
Përthyen kujtimin që shuhet në faj.

Jehonë e thellë në zemra të mbyllura,
Ku shpirti flet butë me zë prej stuhie,
Një rreth që ndalet në portat e çelura,
Por lind përsëri si ndjenjë dashurie.

Në ikjen e fundit ndriçon prapë mëngjesi,
E dielli shkëlqen mbi gjethet e arta,
Si koha që mban aromën e stinëve,
Dhe malli mbetet në zemrat e zjarrta.

 

Varg i Fshehur

E kuqja digjet në flakë të qetë,
Si psherëtimë që shpirti derdh,
E gjelbra shkruhet në fjalë poetësh,
Si dallgë që ngrihet e bie shpejt.

Dita e zbehtë në mjegull humbet,
Një fjalë e ëmbël më vjen në shpirt,
Gjethja që bie ngadalë rrëshqet,
Ngjyrat përzihen në vjeshtë të brishtë.

Një dritë e bardhë mbi to përkundet,
Si këngë shiu që vjen ngadalë,
Në gjirin tim një mall më shkundet,
Si varg i fshehur në një përrallë.

Dhe fryma ime pa zhurmë përplaset,
Si zog i lodhur që kërkon strehë,
Në gjeth të njomur shpresa përhapet,
Si ag me vesë mbi ditë të re.