Ornela Radovicka: Një vështrim mbi veprën “Identitete letrare” të Prof. Dr. Isak Shemës  

Duke shfletuar “Identitete letrare”, vishesh me shikimet e një numër të madh autorësh, që pavarësisht kohëzgjatjes, mbartin në heshtje një testament: ”Të bëni diçka për të mirën e kombit”.

            Të parin shkrimtar që takon në këtë vepër  është Jeronim De Rada. Qëndron stoik si një klasik. Nuk ka vdekur kurrë në dashurinë e hulumtuesve. Qëndron, më shumë sesa në një roman tipik serial,  apo  një  novelë, plot kthesa dhe sofizma të ndryshme. Në vetë atmosferën e tij na çon  me dritë hijet e tij në epokën e Motit, nxjerrë vargjet  e folklorit të një populli të tij , më tepër se sa një roman gotik e spërkatur me heroizëm dhe sentiment  që i drejtohen romantizmit. Gjeneron një “hibrid” histori  “Serafina Topia”, “Skënderbeu i pafan” që nuk i ngjan asgjëje tjetër të lexuar më parë dhe që nuk do të ketë të barabartë as më vonë.  Janë një Arbëri që jeton përmes sugjerimit të një Mesjete, me ngjyra të forta, me patos, kavaliera e stratiot.

            Jeronim de Rada është atje në katundin e tij.  Nxiton për në Kolegj  me  kalin që shpesh  e mban të lidhur pranë shtëpisë së gurit të  Radanjëve. Endet nëpër Kalabrinë e lartë, duke mbledhur vargje e këngë, për avokatin Valentini, por shumë shpejt  do të  kuptojë që atë vargje do të kthehen në  një epope arbëreshë. I heshtur, i prekur nga  ajo ndjenja e parë e dashurisë , sentiment  i cili do të spërkasë  Milosaon. 

            Në miniaturë, Napoli, shohim Fjamurin e Arbërit, Serafina Topia, Skënderbeu i Pafan, dhe nëpërmjet këtij qyteti, sheh Europën , miqtë  Mistral, Lamartini, Hygo,  Dora D’Istria,  e  Vëllezër rilindas shqiptar. Mahniten, që  De Rada,  nga dritarja e atij  fshati i vogël  strukur në Polin sjellë me aq freski, me shpirt rinor një  epokë të shkuar,  të cilët e  urojnë për ringjalljen e këtij populli që tashmë është  tkurrur.  

Disi më poshtë Prof. Jup Kastrati, në tavolinën e tij  “Notes Litteraire et linguistique” ku  Baronesha gjermane Knorr,  i ka thurur një sonet Jeronim De Radës.

Atë 28 shkurt, çdo gjë kthehet  mistike, ashtu siç ishte edhe shpirti i De Radës, kur në lamtumirën e fundit, me dhjetëra petale të bajames ranë  mbi arkivolin e  De Radës. Engjëllor  në atë trupë te dergjur, ku frymën e fundit e le në varfëri  tek shtëpia e një Bariu. Ku ishin arbëreshët do të thërriste me klithmën e Palcës Prof. Michele Marchiano.     

            Përballë, qëndron një tjetër arbëresh, Anton Santori. Hënën, vështron dhe një himn i krijon  Hyjneshës qiellore. Ka gjak Arbëri, të parët tij betoheshin; për këtë  diell e për këtë Hënë.

            Udhëton në fantazinë e tij, e dramën e parë  “Emira” mbërthen, nuk  e lë vetëm dhe krijon një motërëz për të “ Këngëtarja Arbëreshe” . Lëvizja kombëtare në Shqipëri kishte filluar të nxirrte kthetrat e saj, “ Një i burgosur politik” plazmohet në krijimtarinë e Santorit, ku dënon me forcë absolutizimin. Satire, romane, novela, e shpërthejnë, në krijimtarinë e tij e gjurmët për letërsinë për fëmijë nis . Një gjeni arbëror është Santori ynë, për të cilin shkruhet me krenari në këtë studim të identitetit letrar.  

            Disi më tej është Naum Veqilharxhi, Naum Panajo Bardhi i thonë. Nuk ka shkruar vepra letrare, por është ideolog i shquar i Rilindjes Kombëtare, askush  patriot si Ai, për kulturën, për shkronjat tona, për abetaren për lëvizjen kombëtare.

            Në kuadër të kësaj krijimtarie të traditës të pasur letrare  shquhet Sami Frashëri,  Şemseddin Sami Efendi, në turqisht. Jam Shqiptar e për Shqipërinë.  Çfarë ka qenë, çfarë është dhe çfarë do të bëhet, për këtë jam këtu. Veprën  “Shqipëria ç’ka qënë, ç’është e ç’do të bëhetë të gjithë e miratuan si një manifest    për ngritjen e ndërgjegjes shqiptare). Frashëri diskutoi perspektivat e një republike të pavarur dhe të lirë shqiptare. Kështu, duke filluar me kërkesën për autonomi, luftën për një alfabet shqip dhe arsim, ai ndihmoi lëvizjen çlirimtare kombëtare shqiptare të zhvillonte kërkesat e saj. Samiu një intelektual modern, kundër asaj bote të kalbur feudale e osmane. Një gjuhëtarë nga më të zotët në atë kohë. Një përkthyes shumë i mirë i veprave  artistike. Njohës shumë i  mirë gjuhëve arabe, osmane(që në atë kohë ishin gjuhët më të kërkuara)

 Një gjuhëtarë,  krijues i metodave të reja, formues , fjalorë, abetare, gramatikë, sintaksë, ushtrime,  dorëshkrime,  në gjuhë të huaj turke, dhe  një numër studimesh që publikoheshin në shtypin e kohës. Na përshëndet me një nga aforizmat e tij; Nuk e ndrydh puna njeriun, por mërzitja.

            Epoka e Rilindjes Kombëtare Shqiptare  bashkon rilindësit e Shqipërisë me ata që shkojnë e vijnë nga Italia, e ndeshim Luigj Gurakuqin, pjesë e atyre rilindësve të shquar dhe të falat nga vëllezërit arbëresh po na sillte. Është mik me De Radën, Zef Skiroin, Konfrontin, për atë djep të kulturës në Kolegjin e Shën Adrianit.  Ka një shpirt poetik e atdhetar.   Në Kozmon e tij   tregimet krijojnë orbita ; “Vëlla e motër”, kërkonin “ Lulet dhe Kokërrat”, panë mbi  “Mollët e kalbëta”,  “ Trumcakët”  të cilat  humbasin në ideale e në labirintet  e ndjenjës.

Në dhe të huaj  “Mallin e Atdheut”  ndjen,  ndërsa në Mëmëdhe  tekstet shkollore hartonte. Çështja e arsimit për Gurakuqin  ishte çështja sublime për kombin.  Një ditë në qytetin e Barit, një zhurmë pushke dëgjohet, një dorë gjakatare qëllon  trupin e Luigj Gurakuqit , e këput si një lule, ishte viti 1925.

            Në këtë botim, të rëndësishëm për hartimin e Historisë së Letërsisë Shqipe  ka zënë vend të merituar shkrimtari i Veriut të Shqipërisë,  Migjeni.  Lypësi i poezisë së tij  në buzë ka “ Këngën e dhimbshme krenare” dhe në shpirt mbart “ Poemën e Mjerimit”.

“Të mjerët”, siç shkruante Hygoi” dhe Migjeni do t’i nënvizonte ato rreshta, e më vonë ai do të krijonte epopenë e një mjerimi. Mjerimi nuk ka fat ka vetëm zhele do të dilte pasthirrma e shpirtit të tij. Me tutje krijimi letrar “Nji mollë e ndalume”. Janë vargjet e lira, që fluturojnë  tek  Klithma e mëmës që i kërkon bukë, dhe të nesërmen në mëngjes gjen trupin pa jetë të të birit. Dikush përgjigjet “ Zoti të dhashtë” por mëshira kristjane nuk është e mjaftueshme për të zgjidhur problemet ekonomike- sociale. Migjeni është humanist përqafon idetë iluminist, lexon autorët francezë, përafrohet me rrymat e artit, impresionizmi, simbolizmi,  nuk anashkalon autorët e letërsisë botërore të kohës, nënvizon Krimi dhe ndëshkimi i Dostojevski,  dhe thekson Otellon e Shekaspeare  dhe studion filozofët Hegel, Schopenhauer, Nietzsche, Freud  e tjerë. Arti, për Migjenin ishte ai format i ndërgjegjes të një kulture e botëkuptimi të ri. Ishte vetëm 27 vjeç kur ndaloi në stacion dhe nuk iu ngjit më trenit.

            Në vazhdim të studimeve letrare, në veprën “Identitete letrare” shquhet, poeti i eposit kombëtar, autori i “Lahutës së Malsisë”,  radhitet   Gjergj Fishta. Me satirën e tij Anzat e Parnasit dhe Gomari i Babatasit. Me  dialogët dramatike,  Gjuha e mësimit dhe  Nevoja e mësimit,  shndërrohet në një pedagogugjist  i zot.  Hap klasa  edhe për shkollën e mbrëmjes,  krijon biblioteka në shkollë, dhe shkruan vargjet më të bukura për “ Gjuha shqipe”:  Porsi kënga e zogut të verës.

Si mësues di të preki  e të çpojë në zemër me shigjetën e dashurisë ndaj gjuhës. Dëgjohet  zëri i tij i fuqishëm  ndërsa thotë:

“Pra mallkue njai bir Shqyptari,

qi ketë gjuhë të Perëndis

trashigim, q ina i la i Pari,

trashigim s’i a len fmis .

            Shkrimtari Shefqet Musaraj vjen nga Dhërmiu. Vlora është qyteti i tij,  qytet i heronjve dhe i diellit. Në asnjë vend tjetër perëndimi i diellit nuk është më i bukur se në këtë qytet.  Musaraj në 1929  formulon  poezinë “ Perëndim”,  ky diell një disk i nxehtë ferri, që  ndizet por nuk digjet, por si një feniks  ringjallet. Rilindja  është ai moment kur dielli  nuk shuhet, Një çast pushimi melankolie, por edhe romantizmi . Rrezet e argjendta të diellit në perëndim, si yllëza të vegjël mbi det,përshëndetetin Hënzën, për tu parë përsëri të nesërmen.

Krijimtaria e tij realiste i kalon caqet krahinore. Në 1930  në Bari të Italisë publikohet  në periodikun “ Gazeta shqiptare” poezia në “ Fshat”. Tematika e tij në poezinë sociale janë momentet e dëshpërimit, pesimizmit,  ndërsa në poezitë të karakterit socialist dominon një frymë optimiste.  Shumë prej Poezive  e tij kanë edhe pathosin  patriotik, por edhe atë reflektiv, në tematikën e  pushtimit të Shqipërisë nga Italia Fashiste. Krijimtaria e tij është e madhe. Si një karrelatë vijnë një numër i madh poezish.  

            Shkrimtari në zenitin e letërsisë botërore është Ismail Kadare. Ende i ri, pasi kthehet nga Moska  na ofron  “Qyteti pa reklama”.  Kadare ka shpirt rebeli  të një zhurmërie të heshtur. Regjimi nuk të lë të ngresh kryet më tepër sa duhet  se një  “Gjeneral i ushtrisë së vdekur” kthehesh.

             I heshtur, Na çon në “Kronikë në gurtë”, ndalojmë te “ Kështjella”, është trimi  Vrana Konti kundër rrethimit otoman. Dikush pyet  shkrimtarin “Kush e solli Doruntinën”, e nënë e bijë u takuan e plasën si qelqi me verë. Në  “Koncertin e  Dimrit të madh” 1978  nuk kishte më asnjë  aziatik,  sy bajame, të kinës post maoiste.     

Marrim  drejtimin për “ Urën me tre Harqe”  mbi  lumin  Ujnën e keqe,  shohim fantazmën e atij që murosën. Shkojmë në kërkim të  Bijës së Agamemnonit”  . Futemi  “Në pallatin e  ëndrrave”. Kush hynte  i nënshtrohej një censure drastike.  Një realitet si një ferr  dantesk; të errët, dramatik, misterioz, paralajmërues, sentencial, të vendosur në epokën osmane, por rrëfente  të tashmen, atë në të cilën jeton vetë autori.  Askush nuk kuptoi,  rafinatecën, ku hynë në atë pallat  “Pasha i Kuq”, dhe nuk kuptuan asgjë as atë  fillim të vitit 1985, kur autori  i shtyrë nga një forcë djallëzore,  botoi novelën “Nata me hënë”. Kadare ndjeu se frenat e pushtetit tani ishin në duart e gruas së tiranit, Nexhmijes, të cilën shkrimtari e akuzoi për mendjengushtësi dhe pakënaqësi hakmarrëse, duke e bërë atë më të frikshme se burri i saj.  Metafora dhe alegoria, në „Pallatin e ëndrrave“,  arriti qëllimin e saj për të kritikuar diktaturën.  Kadareja  trajtohet në këtë udhëtim jo vetëm   në fushën letrare, por edhe në sferat politike dhe shoqërore, si mbrojtës i të drejtave të njeriut. Narrativat e tij gjithmonë trajtojnë ngjarjet socio-politike shqiptare. Për identitetin e tij letrar  flasin një mori personalitetesh, duke i dhënë hapësirë kandidaturës së tij  si Kandidati i çmimit “Nobël” për letërsinë.  Kadare la gjurmë, në stilin e tij lehtë ta shkëmbesh me dikë tjetër, intelektin e tij shpirtin e tij dhe të gjitha kontradiktat që e karakterizojnë.

 Ecim nëpër “ Shtigje poetike”, dhe mbërrijmë te vepra poetike  “ Ne pikëllimi i dritave”,  ku takohemi me krijuesin Fatos Arapi.  Na përcjellë “ Drejt qindra shekujsh shkojnë”,  e, ne na “ vjen keq për Jagon”.  “ Duke dalë parej ëndrrës” ecim me “ Ritme të hekurta” në kërkim “ Ku shkoni Ju statuja”. Diku , shohim  “ Marko Boçari”  trimi arbëror  të Greqisë. Çdo gjë humbëm me arbërorët e Greqisë, ngeli shpirti prozator, ku mbi  “ Cipën e Dëborës” , “Patat  e egra” , rrëshqisnin  si patinazh. “ Dikush më buzëqeshte” , por ishte “ një det në mes”. Në atë “ Dhjetor të shqetësuar”, ishin “Këngët e moçme shqiptare” që “  Shokët”  si në  Dekameronin e Boccacios do të rrëfenin në netët e gjata.   Shpirti njerëzor i tij është i pakufishëm, dhe një nga drejtimet  dhe përmbajtjet kryesore të  Arapit është arti në të gjitha format e  shfaqjes.  

            Në vazhdimësi të studimeve takohemi me shkrimtarin Ramiz Kelmendi.  Ai na jep çelësat e katedrales që ka ndërtuar vetë ai si : shkrimtar, publicist, prozator, tregimtar, novelist, romansier, studiues i letërsisë, kritik letrar, humorist, satirist, dramaturg, artist i teatrit, skenarist, biograf,  polemist, përkthhyes.

Ndër veteranët e Letërsisë bashkëkohore dallojmë Petro Markon. Janë vitet 30-të të shekullit të shkuar, dhe “ Shenjtorja e vogël” zë vend në gazetën shqipe “ Ora” . Jemi në vitet 1960, në rrugët e New Yorkut rritet një brez  “New generation” ndërsa në Shqipëri “ Rrugë pa rrugë”.  Petro Marko  takohet me  të Madhin Rexhep Qosja në “ Epopeja e luftës së Spanjës” dhe pesë vjet më vonë e përshëndet me  “ Hasta  la vista”, ku me patjetër  në ato kryqe ka ndeshur shkrimtarët Heminguej  dhe Andre Malruax). Në kritikën letrare Marko shquhet si prozator.

            Një studim interesant i kushtohet kritikës letrare  të Rexhep Qosjes . Përveç vëllime kritike letrare gjatë shumë dekadave të krijimtarisë, ka përpiluar Antologjinë historike  të kritikës letrare dhe antogjinë e lirikës shqpe. Gjatë këtyre viteve Qosja boton shumë studime e vepra të plota  me vlerë të lartë shkencore,  studime historike letrare, vështrime kritike, eseistike dhe teorike letrare, kushtuar poezisë, prozës tregimtare dhe romanit shqiptar. Botime e studimeve të tij  karakterizohen me analiza  dhe me komente të mprehta, që kanë pasur  ndikim të rëndësishëm në jetën publike dhe kulturore shqiptare .

            Akademik Jorgo Bulo me hulumtimet e tij shkencore në fushën e studimeve letrare, shkrime kritike, botime autoriale, si edhe me disa punime enciklopedike të filologjisë, të shtrira si në planin diakronik po ashtu edhe  sinkronik të studimeve shqiptare, përfshihet në kapitullin  vijues  të identiteteve letrare.

            E jashtëzakonshme është njohja me kritikun letrar, Hasan Mekuli. Gjatë viteve 50-të të shekullit XX, kur filloi  të botojë kritikat e para letrare, kur kritika, si pjesë e shkencës së letërsisë,  ende  nuk ishte afirmuar si  degë më veçantë studimi. Në vështrimin” Poezija- Kuptimi dhe reflekset” spikat tiparet e poezisë dhe të krijimit letrar. Pikëpamjet e Hasan Mekulit për letërsinë dhe artin janë shfaqur në shumë artikuj kritikë dhe në punimet shkencore. Kritika e tij është integrale, mban ndjenjën, është e hershme, nuk është  e ftohtë e sterile.  Në vështrime kritike të tij  përfshihen shumë shkrimtarë shqiptarë por edhe ata të rangut botërorë.   Në kuadër të veprimtarisë së tij janë edhe antologji të letërsisë shqipe, të përkthyer në gjuhë të tjera, njëra prej tyre është botuar  e përkthyer  në gjuhën sllovene.

            Në librin” Identitete letrare” vend të rëndësishëm zënë edhe recensionet. Autori Isak Shema ka radhitur në këtë kapitull këto recensione:

  • Bashkim Kuçuku, Kombi gjen veten- Çamëria dhe Kosova.
  • Letërsia si e tillë. Probleme të trashëgimisë letrare të ndara në pesë pjesë ku zënë vend punimet shkencore të shumë autorëve shqiptarë
  • Agim Vinca “ Alternativa letrare shqiptare, Shkup 1995
  • Ilinden Spasse” Im Atë, Sterjo! Tiranë 1995. Monografi mbi jetën dhe veprën e njërit prej shkrimtarëve më të mëdhenj shqiptarë, Sterjo Spasse, i cili i shërbeu letërsisë dhe kulturës shqiptare. Jeta e Spasses është një korrelacion me popullin- shton autor Shema.  
  • Bibla në letërsinë shqiptare- Isak Ahmeti. Një recesion i pasuruar me punime shkencore e krijimtari.
  • Naum Prifti – vëllimi me tregime “Yjet ndritin lart”, “Dukagjini”, Pejë 2002. Naum Priftit është  novelist, por edhe  autori më i pëlqyer i vogëlushëve- thekson prof. Shema. Tematikat e këtij autori janë të shumta. Ato përmblidhen;  Të karakterit historik, Të kohës së Ali Pashë Tepelenës,  Tema e luftës për liri në Kosovë e tjera. Proza e Naum Priftit ka vlera të larta artistike. Prifti  ka shkruar edhe shumë vështrime interesante mbi letërsinë, për autorë dhe vepra letrare dhe për këtë  Prifti, është një nga  autorët që përfshihet në “Identitet letrare”.
  • “Mbresa dhe mendime “, vepër e albanologut të njohur Robert Elsit, ku përfshihen  vështrime letrare,  studime për shumë vepra  si dhe shumë autorë shqiptarë.

Puna e tij kurorëzohet edhe me veprën “Historia e Letërsisë shqiptare” botuar në gjuhën angleze, dhe më vonë përkthyer në gjuhën shqipe.

  • Studim i kushtuar poezisë së Jakup Cerajës, krijimtaria e të cilit zë një vend të rëndësishme në poezinë e sotme shqipe. Bibliografia e studimit përmbledh 21 njësi të opusit krijues të Jakup Cerajës ku trajtohet tematika patriotike dhe sociale.
  • Fazli Syla: Në rrjedhat e kohës – dëshmi dhe përjetime, Libri shkollor, Prishtinë 2015. Prof. Syla shquhet nga profesor Shema si personalitet i dalluar i arsimit, si edhe botues i disa veprave shkencore.  Punimin për këtë personalitet e ka plotësuar me një biografi, me veprat e tij, bibliografi të autorit, tekste shkollore, ku ai ka dhënë kontributin e tij. Punimet në fushë të folklorit, projektet nga fusha e arsimit, shkencës, kulturës,  por edhe Recensione e tubime shkencore.
  • Bibliografia kushtuar Gjergj Kastrioti Skënderbeut. Kasem Biçoku dhe Jup Kastrati. Skënderbeu, Bibliografia 1454-1835, I, Tiranë, 1997
  • Botimi i rëndësishëm bibliografik.                                                        -Mehmet Gëzhilli: Fan. S Noli-120 vjet jetë dhe veprimtari, Tiranë 2003
  • Zbatimi i rregullave të drejtshkrimit të shqipes të vitit 1967 në letërsinë artistike.

            Në këtë vepër studimesh letrare është përfshirë numër i madh autorësh. Autori nuk ka lënë asnjë të mënjanuar. Veprat e tyre kanë pasuruar letërsinë dhe kulturën kombëtar shqiptare. Janë autorë të dëgjuar dhe disa më pak të studiuar. Me veprat e tyre , me përkushtimin krijues dhe punën shkencore   kanë dhënë kontribut të madh në formimin kulturor  shqiptarë dhe të huaj.                             Arrijmë te kapitulli  “Përkujtimet”. Në këtë pjesë autori na ka dhënë një sërë figurash të ndritura të letërsisë, të kulturës  dhe të arsimit kombëtar.  Përfshihen shumë botime, studime e bibliografi. Figurat që trajtohen në këtë kapitull janë:

  • Faik Konica, njëri prej figurave qendrore, intelektuale, hulumtues, autor i zellshëm. Sipas Polineurit Faik Konica është Shqiptari më Erudit i Evropës. Gjatë jetës së tij pati një  korrespondencë të pasur edhe me shumë profesorë universitetesh, albanologë të huaj. Një  bibliografi e pasur , në 1538 njësi bibliografike, përmbledh veprimtarinë e Faik Konicës  nga 1895-1942. Për jetën, veprën dhe veprimtarinë e Konicës janë shkruar shumë artikuj. 
  • Shkrimtari Ernest Koliqi , arsimdashësi që hapi shumë shkolla dhe e ktheu shkollën si arsim kombëtar. Me dekret nr. 264, në 12 Gusht 1941 Koliqi sjellë 200 mësues nga Shqipëria në Kosovë dhe në viset e lirueme. Ai nuk i harroi  atë territor  të Kosovës dhe Maqedonisë (per pesë vjet ishte i mërguar në ish Jugosllavi), ku kishte parë me sytë e tij ,që këta vëllezër  në tokën e tyre nuk kishin pasur të drejtë të mësonin gjuhën e vet amtare.  Koliqi nuk ndalet, shkon në Itali dhe atje gjen vëllezërit e një  “Gjaku”, Arbëreshet. ” Shejzat”, revista që ai themeloi, bëhet burim studimi por edhe mbledhës të letërsisë gojore.  Për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në fushën e arsimit shqiptarë, si ministër dha një kontribut të jashtëzakonshëm për përhapjen e gjuhës shqipe dhe funksionimin e shkollave.
  • Njeriu urtë dhe dijetar i shquar, Zekeria Rexha. Profesor, pedagog i mirë, njeri i ligjëratave dhe i kulturës së gjerë, por edhe kontribues i arsimit, letërsisë dhe – i kulturës kombëtare.
  • Jusuf Gërvalla .Poet, gazetar, personalitet i shquar, aktivist në shërbim të kombit. Profesor Shema shprehet me shumë dashuri për ish studentin e tij, që jetën ia dhuroi kombit.
  • Një krijues i merituar shkencor është edhe Dr. Bajram Krasniqi. Profesor i gjuhës dhe letërsisë shqipe, botues i disa veprave shkencore, intelektual i formuar.
  • Anton Çetta. Një nga figurat më të ndritura, cilëson autori. Albanolog i shquar, ligjëratat e tij  mbahen në letërsinë e vjetër shqipe, Rilindja shqiptare,  ku studentët mahniteshin nga metodologjia e tij. Çetta ishte një folklorist. Kjo figurë e ndritur dallohet edhe për kontributin e tij të madh në pajtimin e gjaqeve në Kosovë
  • Një shembull i mirësisë njerëzore . është shkrimi i Shemës për Profesor  Latif Berishën. Shema  në këto faqe e kujton me  momentin mizor, kur këtë profesor e vrasin mizorisht  forcat serbe më 24 mars 1999 në Mitrovicë. Ishte poet, profesor në gjimnazin e Mitrovicës dhe profesor shumëvjeçar i Universitetit të Prishtinës. Në degët albanologjikë ka ligjëruar Historinë e letërsisë shqipe të romantizmit.  
  • Dhimitër S. Shuteriqi. Poet, prozator, publicist, studiues i filologjisë shqiptare. Është shumë interesante krijimtaria e tij. Ajo përshkohet në të gjitha fazat e zhvillimit të letërsisë dhe të kulturës bashkëkohore shqiptare. Autori Shema radhitë titujt e krijimtarisë së tij. Na njeh me artikujt studimorë të tij si edhe jep dromca nga jeta dhe vepra i këtij autori.
  • Në ketë kapitull nuk mungon as profesoresha në Universitetin e Shën Petërsburgut, Gertruda Enjtrej. Aktiviteti saj përqendrohet në Pedagogji  dhe në shkencën e letërsisë. Autore e 170 punimeve të llojeve të ndryshme në fushë të albanologjisë dhe romanistikës.
  • )Dalan Shapllo. Në kërkim të së vërtetës dhe humanizmit. Veprimtaria e tij letrare, publicistike, arsimore, shkencore. Disa nga tregime të tij janë përkthyer në gjuhë të huaj. Temat më të rëndësishme të këtij autori janë: Probleme ideore dhe artistike të letërsisë shqipe, Letëria dhe realiteti, Aspekte të zhvillimit të letërsisë, Probleme të risive në letërsi, Zhvillimi i letërsisë së romantizmit, Letërsia bashkëkohore.
  • ) Dr. Ibrahim Rugova. Një tubim përkujtimor. Autori ndalet me nota empirike në jetën dhe veprën e autorit. Dr. Rugova bashkëpunëtor në degët albanologjike. Kundërshtues për projektin arsimor të Serbisë ,për hartimin dhe miratimin e Bazave të bërthamave të përbashkëta programore. Kryetar i Shoqatës së shkrimtarëve të Kosovës, dha ndihmesë të madhe në zhvillimet kulturore, shoqërore dhe politike. Mbrojti disertacionin  “ Kahe dhe premisa të kritikës letrare shqiptare 1504-1983,” të cilën e botoi 1986.
  • Gani Luboteni. Pasqyra e punimeve, e artikujve, e veprave, e teksteve shkollore dhe e përkthimeve letrare.
  • Akademik Aleksandër Stipčević, arbënesh i Zarës, profesor i Universitetit të Zagrebit ,Ligjërues në Universitetin e Prishtinës.  Akademia Jugosllave e Shkencave dhe Arteve (JAZU) e njohu atë si konsulent shkencor në fushën e shkencave historike. Në nëntor të vitit 1987  u transferua në Departamentin e Shkencave të Informacionit, Fakulteti i Filozofisë, Universiteti i Zagrebit, ku dha lëndët „Historia e Librave dhe Bibliotekave“, „Bibliografia“ dhe „Sociologjia e Librave dhe Bibliotekave“. Në vitin 1978, ai u zgjodh profesor i asocuar me kohë të pjesshme në Departamentin e Shkencës së Bibliotekave të sapokrijuar në Fakultetin e Filozofisë të Universitetit të Zagrebit dhe në vitin 1987. Aleksandar Stipčević ishte  anëtar i jashtëm  i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Libri i tij i vitit 1974, Iliri („Ilirët“), është përkthyer në anglisht, italisht dhe shqip. Ai u nderua me Urdhrin e Skënderbeut nga Shqipëria.
  • Ky kapitull i identiteteve letrare mbyllet me tekstin Jetëshkrimi  dhe veprimtaria arsimore, kulturore dhe shkencore e Prof. Dr. Isak Shemës.

Është për të theksuar se në këtë libër disa prej punimeve janë edhe në gjuhë të huaja dhe faqet e këtij libri janë të shoqëruara me fotografi,  kopertona librash, me imazhe, që e bëjnë librin tepër interesant. 

            Milano, 18 Shtator 2025