Kosova e Shqipëria si me qenë të rëna në gjak!
Presidenti i Shqipërisë injorohet në Kosovë!
Shkruan Xhevtat Hasani, Me 29 qershor 2025
Me 10 qershor të këtij viti, me rastin e manifestimit të 147-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, presidenti i Shqipërisë, z. Bajram Begaj, u gjend në qytetin e Prizrenit ku vizitoi kompleksin memorial të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Por, çuditërisht, në pritje të tij, përveç kryetarit të Komunës së Prizrenit, z. Shaqir Totaj, nuk u pa asnjë figurë politike e shtetërore e Kosovës.
Është hera e dytë që presidenti i Shqipërisë në Kosovë nuk po merret në konsideratë dhe po injorohet.
Herën e parë, para disa vitesh, kur presidenti Bajram Begaj ndodhej në Kosovë, ai i ftoi të gjithë përfaqësuesit e partive politike të Kosovës për një bisedë të përbashkët në Kuvendin e Kosovës. Asokohe, kërkesës së tij iu përgjigjën përfaqësuesit e të gjitha partive politike, përveç atyre të LDK-së. Këta të fundit presidentin e Shqipërisë nuk e injoruan vetëm duke mos i shkuar në takim, por edhe duke i çuar fjalë: «Ne nuk vijmë te ti, por nëse ti do, eja e na vizito në zyrën e LDK-së!»
Hera e dytë e injorimit të presidentit të Shqipërisë ndodhi më 10 qershor të këtij viti 2025, kur ai, me rastin e 147-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, u gjend pothuajse i vetmuar në kompleksin memorial të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Më herët mbaheshin takime ndërqeveritare Kosovë–Shqipëri. Ndonjë figurë politike e Shqipërisë vizitonte Kosovën dhe ndonjë figurë politike e Kosovës vizitonte Shqipërinë. Por ka vite që më asgjë nuk piptinë. Takimet e përbashkëta ndërqeveritare Kosovë–Shqipëri nuk mbahen më. Asnjë politikan i Shqipërisë nuk e viziton Kosovën dhe asnjë politikan i Kosovës nuk e viziton Shqipërinë.
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, duke vizituar më 10 qershor të këtij viti kompleksin memorial të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, sikur deshi ta thyente moratoriumin e pashkruar të ndërprerjes së komunikimit dhe të bashkëpunimit mes Kosovës dhe Shqipërisë. Por kot, askush nuk e qasi!
E çuditshme është kjo botë: dikush vuan që s’ka vëlla, dikush vuan pse ka vëlla! Kosova e Shqipëria po sillen me njëra-tjetrën si me qenë të rëna në gjak!



















