Në një atmosferë të ngrohtë dhe emocionale, komuniteti i mërgatës sonë shqiptare në Gjenevë të Zvicrës, mirëpriti Presidenten e Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani.
Takimi i presidentes së Kosovës, e cila ishte e përcjellë nga tre kryetar komunash të Kosovës, dhe atasheu ushtarak i Republikës së Kosovës, me bashkatdhetarët tanë ishte një tubim të veçantë, i cili u organizua nga dy shoqata shqiptare në këtë qytet : Shoqata “Smira”, e udhëhequr nga z. Ramadan Rrahmani, dhe Shoqata “Komuniteti Shqiptar i Gjenevës”, me kryetar z. Nasuf Nuhiu.
Në hapje të ngjarjes, znj. Linda Rexhaj Maliqi në emër të organizatorëve shprehu mirënjohjen dhe nderimin për praninë e Presidentes Osmani, duke e cilësuar këtë vizitë më shumë sesa një takim protokollar – një shenjë e qartë e respektit institucional ndaj mërgatës shqiptare dhe një dëshmi e përkushtimit të saj për përfaqësimin e denjë të Kosovës në çdo cep të botës.
Me zemër plot mirënjohje dhe emocion të thellë, ndjejmë nder dhe privilegj të veçantë që, në këtë tubim kaq të rëndësishëm, t’ju uroj mirëseardhjen, tha ajo në fjalën hyrëse, ku u theksua rëndësia e këtij momenti për mërgatën shqiptare.
Pas këtyre fjalëve mirëpritëse nga organizatori, Presidentja e Republikës së Kosovës zonja Vjosa Osmani me përcjellje të duartrokitjeve ju drejtohet bashkatdhetarëve tanë.
Takimi me ju është një takim me shumë emocion sepse ju nuk jeni thjeshtë një mërgatë, por jeni shtylla më e fortë e kombit tonë. Jeni zgjatimi i shpirtit të Kosovës përtej kufijve të saj. Në çdo rrugë të Zvicrës në çdo veprimtari ku janë mërgimtarët tanë aty ku jeni ju është edhe zemra e Kosovës theksoi në vazhdim presidentja Osmani. Më pas presidentja Osmani përmendi sakrificën dhe punën e palodhur të mërgatës sonë duke pohuar se pikërisht këtu ka edhe zanafillën përpjekja për lirinë Kosovës. Mos e harroni kurrë ju jeni zemra dhe shpirti i Kosovës tha në fund presidentja e Kosovës zonja Vjosa Osmani.
Pas fjalës së Presidentes Osmani, e cila u prit me entuziazëm dhe duartrokitje, tubimi vijoi me përshëndetje nga kryetari i Shoqatës “Smira”, z. Ramadan Rrahmani, dhe nga kryetari i Komunitetit Shqiptar të Gjenevës, z. Nasuf Nuhiu, të cilët falënderuan Presidenten për angazhimin e saj të vazhdueshëm dhe i shprehën mbështetjen e plotë të mërgatës për institucionet e Kosovës.
Pavarësisht jetës në mërgim, mërgata shqiptare e Gjenevës ka treguar një përkushtim të palëkundur për ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe trashëgimisë kombëtare. Ky takim përforcoi edhe një herë lidhjen e fortë të mërgatës shqiptare në Zvicër me atdheun dhe shënoi një moment të veçantë uniteti, krenarie dhe përkushtimi të përbashkët për të ardhmen e Kosovës.
Programi nisi me një monolog të interpretuar nga nxënësja e dalluar Amelie Rrahmani, pasuar nga një valle e përgatitur me përkushtim nga nxënësit e shkollës shqipe në Nyon. Më tej, publiku u emocionua nga interpretimi i këngës “Dardania Ime”, me tekst nga Afërdita Krasniqi dhe interpretim nga këngëtarja me zë brilant Ejona Bytyqi, e shoqëruar nga producenti dhe këngëtari Elion Krasniqi.
Atmosfera u ndez më tej me valltarët e shoqatës “RINIA – CONTACT”, të cilët vitin e kaluar shënuan 25-vjetorin e themelimit, nën udhëheqjen e znj. Rrezarta Sejdiu Shatri. Pas tyre, skena iu dha ansamblit të mirënjohur “GËZUAR”, që prej dy dekadash ruan me përkushtim trashëgiminë kulturore shqiptare, nën drejtimin e z. Fadil Avdija.
Në përmbyllje, grupi muzikor “HAREJA”, që vepron nën ombrellën e Komunitetit Shqiptar të Gjenevës dhe drejtohet nga artistja e njohur Afërdita Krasniqi, interpretoi këngën “Tumënkuqe”, me solist Bardh Ramadani. Grupi përfaqëson muzikën e trevave të ndryshme shqiptare dhe është një pasuri kulturore e vërtetë për diasporën.
Në fund të ceremonisë, dy shoqatat bashkorganizatore i dorëzuan Presidentes Osmani dhurata simbolike, si shenjë mirënjohjeje dhe respekti për vizitën dhe angazhimin e saj të palëkundur ndaj mërgatës shqiptare.
Në këtë tubim në prani të shumë mërgimtarëve tanë, të pranishmit patën mundësinë të takojnë dhe të bashkëbisedojnë me Presidenten Vjosa Osmani.
Gjatë këtij takimi u shpreh mirënjohja për përkushtimin e saj në forcimin e lidhjeve ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe mërgatës sonë./Alb’swiss TV/
Foto: Mentor Zajmi & Alb’swiss TV




























