Në Shoqatën „Sharri“ në Zvicër, promovohen librat e dy etimologëve të shqipes

Sot, me 15 dhjetor, dyert e Shoqatës SHARRI afër St.Gallenit ishin hapur për bashkatdhetarët tanë, ku na tubuan dy personalitete jo fort të zakonshme:  Agron Dalipaj dhe Butrint Balaj, që të dy studiues të etimologjisë së gjuhës shqipe, e që të dy e ndajnë të njëjtën metodë pune dhe të njëjtën teori.

Këta emra, si dhe punën e tyre, i kemi parë dhe ndjekur me ëndje në postime dhe në  dalje televizive e rrjete sociale, ku sot kishim nderin qe të bashkëbisedojmë me ta për së afërmi.

Këta flasin për gjuhën shqipe si rrallë kush tjetër. Të dy mysafirët tanë me argumente na vërtetuan pse gjuha shqipe është primordiale, pra pse ajo është një gjuhë mbi gjuhët, në kuptimin e mirëfillt shkencor.

Sipas Agronit dhe Butrintit, gjuha shqipe ruan atë thesarin e madh të embriomorfemave, prej të cilave shpjegohen fjalët e gjuhëve të gjalla a të vdekura indoevropiane.

Mbi vjetërsinë e gjuhës shqipe, së fundi, kanë folur revista „Science“ dhe disa universitete evropiane, çka përputhet edhe me të arriturat e autorëve tanë mysafirë. Këto instanca shkencore (si „Science“, „Universiteti i Leipzig-ut“, „Instituti Plank“ etj.) sjellin të dhëna shumë të rëndësishme dhe të vlefshme, si dhe e ngrisin në rang ndërkombëtar çështjen e vjetërsisë dhe origjinës së gjuhës shqipe. Ky fakt na gëzoi, po aq sa na gëzoi  edhe prania e z. Agron Dalipajt  dhe z. Butrint Balaj nga te cilët u informuam personalisht rrethe etimologjisë se gjuhës shqipe.

Studiuesi, Agron Dalipaj është i diplomuar për gjuhësi dhe është autorë i 7 fjalorëve etimologjikë, pra:

„Gjuha Kozmike“ (2 vëllime), „Greqishtja: një bijë e shqipes“, „Pseudoorientalizmat në gjuhën shqipe“, „Latinishtja dhe italishtja në prizmin e shqipes“ (2 vëllime) dhe fjalori i fundi i tij është: „Mitet, origjina dhe gjuha e tyre“, një libër që ka hapur shumë diskutime dhe ka sjellë shumë të reja në këtë gjuhësi, ose në „Shkencën e Re të Etimologjisë, siç do ta quante prijatari i gjuhësisë simbolike, Petro Zheji. Ta kuptosh historinë e mitit është njëra anë e medaljes, t’i kuptosh emrat e miteve qysh në zanafillë, është njohja e gjuhës në të cilën janë krijuar, na thotë autori Agron Dalipaj.

Ndërsa, Butrint Balaj ka mbaruar masterin për gjuhësi dhe tani po e ndjek shkollën e doktoratës po për gjuhësi. Është i ri në moshë, por ka botuar dy libra me karakter etimologjik, me titullin „Gjermanishtja flet shqip“ (2 vëllime). Librat janë pritur me shumë interes. Titulli i këtyre dy vëllimeve (të Z. Butrint), ndoshta mund të na shqetësoi, por na bëri edhe kureshtar, sidomos ne që jetojmë në vendet gjermanishtfolëse. Ai tregon se çka ofron gjuha shqipe në punën e etimologjive të fjalëve themelore të gjermanishtes. Po ashtu në librat e Butrintit gjejmë etimologji edhe të gjuhëve të tjera, pra jo vetëm të gjermanishtes.

Teksti dhe fotot:  Ismet Salihu