Larg zhurmës së qyteteve të mbipopulluara me njerëz në kërkim të dhuratave për festat e fund vitit një grup fotografësh i përbërë nga Aurora, Jetmiri, Lutfiu, Refiku, Ruzhdiu e Sevdaili realizuan ekspeditën e radhës në Francë e Spanjë. Synim kishin fotografimin e jetës së egër, në radhë të parë shpendëve grabitqar duke ngritur kështu nivelin teknik e artistik të fotografisë së jetës së egër!
Nga Ruzhdi Ibrahimi
Tanimë për herë të dytë në ditët e fundit të vitit vajtëm sërish në ekspeditën e radhës, e për synim kishim fotografi të shpendëve grabitqar. Stacioni i parë ishte ndalja në lagunat e Pont-du-gau buzë detit Mesdhe në mes të Marseille dhe Montepillier.
Para hyrjes në zonën e parkut natyror, pak para daljes së diellit mbi kokat tona fluturonin tufa të flamengove të cilat shkëlqenin nga rrezet e para të diellit të mëngjesit. Në park qëndruam për disa orë duke shkrepur fotografi të shumta të flamengove, çafkave, të gjitha llojeve të çafkave e shpendëve tjerë të vegjël. Ishte një kënaqësi e veçantë vrojtimi nga afër i sjelljes së flamengove këmbë e qafëgjatë gjatë marrjes së ushqimit.
Në bjeshkët e Valencias arritëm ditën e dytë për të fotografuar për herë të dytë në orët e hershme të mëngjesit shqiponjën bishtvijëzuar, përderisa pasdite fotografuam gushëkuqët, bishtkuqët, fishkëllyesit, zborakësit, mëllenjat e zakonshme, mëllenjat e bardhe llojeve tjera të shpendëve të vegjël. Të veçantë ishin llojet e rralla të shpendëve si mëllenja bishtbardhë dhe mëllenja e kaltër.
Ditën e tretë në mëngjesin e hershëm para agimit vazhduam me fotografimin e gjeraqinës. Thirrjet e gjeraqinës para agimit, sipas udhërrëfyesit, ishin komunikim i çiftit të gjeraqinave dhe një paralajmërim i uljes në një degë. Ishte një kukurisje e ngadaltë “kja-kja-kja”. Kërkohej një heshtje dhe përqendrim për të shkrepur çdo lëvizje të sqepit, krahëve dhe kthetrave duke ndalur momente unike të këtij shpendi të rrallë e të veçantë!
Pas realizimit të fotografive të shumtë dhe ikjes së gjeraqinës e pimë nga një kafe me udhërrëfyesin në një bujtinë për të vazhduar pastaj rrugëtimin në drejtim të Madridit. Kah mbrëmja arritëm në katundin Villacanas, pranë zonave të mbrojtura natyrore.
Gjatë tri ditëve me radhë në këto zona arritëm të realizojmë fotografi të shumë llojeve të shpendëve grabitqar si: shqiponja e malit, shqiponja perandorake, shqiponja bishtvijëzuar, shqiponja e kënetës, shqiponja minjngrënëse, huta e kuqërremtë bishtgërshërë etj. E pranishme në të gjitha rastet ishte padyshim edhe laraska dhe shpesh edhe çeku kokëzi. Befasi ishte edhe ulja në një degë e pupëzës, e cila rregulloi me sqepin e saj të gjatë saj rregullonte pendët e palosura të shpinës duke na ofruar kështu një mundësi për fotografi të mjaftueshme.
Punëtoria e editimit të fotografisë e drejtuar nga Jetmiri, ndihmesat njëri tjetrit për shkarkimin, konvertimin dhe ngarkimin e fotografive, shkëmbimi i pajisjeve e mendimeve të shumta si dhe bisedat e debatet tematike të zhvilluara gjatë kohës së lirë të përbashkët para gjatë dhe pas darkës kanë plotësuar dhe pasuruar ekspeditën njëjavore të fotografisë në Francë e Spanjë.





































