LËVIZJA KULTURORE-ARSIMORE DHE ATDHETARE SI EMRUES VEPRIMI
Në fillim të viteve ’70 të shekullit të kaluar në Fushë-Kosovën e dominuar nga serbët që e konsideronin qendër të veprimit të forcave të hegjemonizmit nacional-shovinist serb, doli në pah dhe shkëlqeu një plejadë e jashtëzakonshme e të rinjve shqiptarë që mori mbi vete barrë më të rëndë se që mund ta barte në supet e veta, duke bërë përpjekje titanike për një organizim kombëtar dhe kulturor për prosperitetin e shqiptarëve në Fushë-Kosovë
Gani BAJRAMI
Teatri “Qëndresa” i Fushë-Kosovës, që sivjet shënon 50-vjetorin e themelimit, ka trashëguar traditën e shkurtër të Ansamblit Teatror Shqiptar, i cili veprimtarinë e vet e filloi në kuadër të shoqërisë kulturore-artistike amatore të rinisë “Lulëzimi” të Fushë-Kosovës, e cila qe themeluar pesëdhjetë vjet më parë, konkretisht më 23 prill 1972, me nismën e gjimnazistëve dhe të një organizate themelore të rinisë që vepronte në një pjesë të Fushë-Kosovës, ku ishte më shumë e koncentruar popullata shqiptare. Kjo datë konsiderohet edhe datë e themelimit të Teatrit të Fushë-Kosovës, i cili më vonë u pagëzua me emrin simbolik Qëndresa, ashtu siç ishte edhe rruga e tij e mbijetimit dhe veprimit në rrethana të kohës.
Rruga nëpër të cilën eci ky teatër nuk ishte fare e lehtë, ngase vepronte në kushte e rrethana shumë specifike, në ballafaqim të përhershëm me presione politike dhe pengesa e shantazhe të ndryshme të forcave hegjemoniste e shoviniste serbe. Mirëpo, kjo rrugë nëpër të cilën kaloi teatri “Qëndresa” i Fushë-Kosovës, ndonëse e gjatë dhe e vështirë e afirmimit, u bë rrugë e mburrjes dhe krenarisë, rrugë drejt një ideali, rrugë që i tha jo gjunjëzimit dhe injorancës së atyre që nuk e deshën dhe nuk e panë me sy të mirë prosperitetin e përgjithshëm arsimor e kulturor të shqiptarëve të Fushë-Kosovës.
Në fillim të viteve ’70 të shekullit të kaluar në Fushë-Kosovën e dominuar nga serbët dhe malazezët që e konsideronin qendër të veprimit të forcave të hegjemonizmit nacional-shovinist serb, doli në pah dhe shkëlqeu një plejadë e jashtëzakonshme e të rinjve shqiptarë që mori mbi vete barrë më të rëndë se që mund ta barte në supet e veta. Kjo plejadë u bë shembull i qëndresës dhe i mosnënshtrimit ndaj këtyre forcave të hegjemonizmit nacional-shovinist serb që nuk donin të dinin se në Fushë-Kosovë jetojnë edhe shqiptarët. Me një vendosmëri të jashtëzakonshme dhe me një unitet të pashembullt, në ato rrethana, para një gjysmë shekulli, një grusht të rinjsh shqiptarë që jetonim ose shkolloheshin asokohe në Fushë-Kosovë, nisën përpjekjet titanike për një organizim kombëtar për prosperitetin e shqiptarëve në Fushë-Kosovë.
Me moton “Edhe ne jemi këtu” ata filluan të veprojnë në një front të gjerë që kishte qëllim parësor të ndihet prania e tyre në të gjitha poret e jetës dhe veçmas në arsim e në aktivitete të ndryshme kulturore e sportive. Synimi ishte i qartë: Të dëgjohej edhe zëri i shqiptarëve po aq sa dëgjohej i shumicës serbe e malazeze.
Pra 50 vjet më parë në Fushë-Kosovë mund të thuhet se lindi dhe u zhvillua një lëvizje kulturore e politike që për disa dekada strumbullar kryesor pati teatrin “Qëndresa”, i cili tuboi rreth vetes jo vetëm të rinj, por edhe një bërthamë të brezit të intelektualëve të viteve 70 të shekullit të kaluar, të cilët u bënë një zë i fuqishëm i pranisë së shqiptarëve në Fushë-Kosovë. Me veprimtarinë e vet, ky teatër arriti jo vetëm të jetë zë i fuqishëm i pranisë së shqiptarëve në Fushë-Kosovën që dominohej nga hegjemonizmi serbomadh, por edhe artikulues dhe kanalizues i shumë rrjedhave shoqërore, politike, arsimore dhe kulturore të shqiptarëve në Fushë-Kosovë dhe më gjerë.
TEATRI SI VATËR E EMANCIPIMIT KULTUROR E KOMBËTAR
Teatri “Qëndresa” i Fushë-Kosovës ishte vatër e rëndësishme kulturore, vendtakim i dashamirëve të artit skenik, institucion që kreu një mision të rëndësishëm, jo vetëm në planin e begatimit të jetës kulturore-artistike e argëtuese, por edhe më gjerë. Pra, puna e këtij teatri asnjëherë nuk mund të trajtohej si veprimtari thjesht kulturore, sepse ai gjithnjë luajti rol të veçantë edhe në planin shoqëror duke u bërë faktor i rëndësishëm arsimor, emancipues, edukues, nxitës dhe frymëzues i disa brezave. Për një kohë të gjatë ky teatër ishte i vetmi institucion në Fushë-Kosovë, në të cilin shqiptarët gjenin mundësinë e manifestimit dhe të realizimit të qenies së tyre kombëtare duke shpaluar artistikisht të djeshmen e të sotmen, por edhe duke zgjeruar horizontin e vizionit për ardhmëninë.
Me veprimtarinë e tij, duke nxjerrë në plan të parë kombëtaren dhe veçoritë e saj mu atëherë kur nga të huajt synohej asimilimi dhe humbja graduale e qenies shqiptare në këto troje, teatri “Qëndresa“ i Fushë-Kosovës sfidoi pengesat që paraqiste politika e asaj kohe. Thënë shkurt, Teatri i Fushë-Kosovës ishte një vatër e emancipimit të përgjithshëm kulturor e kombëtar, vatër e edukimit të drejtë e të rinjve dhe e aftësimit të tyre politik. Ishte vendtakim i ngrohtë për disa breza të moshës, për njerëz të profesioneve të ndryshme, që nga fëmija parashkollor deri te doktori i shkencave.
Të përkujtohet fillimi i punës së Teatrit “Qëndresa“ të Fushë-Kosovës nuk mund të mos përmendet edhe zhvillimi i arsimit, pasi siç dihet arsimi e kultura janë dy shtylla të rëndësishme të identitetit dhe të qenies kombëtare, të cilat bashkëveprojnë duke e ndihmuar njëra-tjetrën. Ndërkaq, përpjekjet e fushë-kosovasëve për hapjen dhe për mbijetesën e shkollës shqipe ishin të mundimshme po aq sa edhe fillet e një veprimtarie të organizuar kulturore. Në vitin shkollor 1969/70 doli brezi i parë i shkollarëve që filluan dhe mbaruan shkollimin në gjuhën shqipe në Fushë-Kosovë dhe në vitin shkollor 1970/71 u hap edhe një paralele e ndarë e Gjimnazit të Prishtinës, që vuri themelet e gjimnazit të sotëm „Hivzi Sulejmani”. Hapja e gjimnazit pa dyshim ishte edhe një e arritur e madhe në arsimimin e shqiptarëve, por kjo e arritur i trazoi forcat hegjemoniste e shoviniste serbe të Fushë-Kosovës, te cilat bënin përpjekje të ndryshme për ta penguar mbarëvajtjen e mësimit të gjimnazistëve shqiptarë, duke organizuar edhe sulme fizike të grupeve të ndryshme të huliganëve serbë mbi filloristët e gjimnazistët shqiptarë. Ishin ato të njëjtat forca, me të njëjtat metoda e veprime, që për tetë vjet me radhë ishin munduar, por pa sukses, për ta penguar shkollimin shqip të brezit të parë që kishte mbaruar këtu shkollimin fillor dhe tashmë po vazhdonte shkollimin e mesëm po në Fushë-Kosovë.
Teatri „Qëndresa“ i Fushë-Kosovës, i cili hapat e parë i bëri në kuadër të SHKA „Lulëzimi“, punën e filloi pa ndonjë traditë kulturore, mirëpo në saje të entuziazmit dhe këmbëngulësisë së dashamirëve të artit skenik, veprimtaria teatrore këtu shpejt u ngrit në nivelin e një aktiviteti shpirtëror e kulturor, që ka karakterizuar kohën, ka shënuar hapësirën dhe ka ecur krahas zhvillimit shoqëror e politik. Përkundër pengesave, presioneve e kushteve të rënda, ky teatër vazhdoi rrugën e nisur drejt krijimit të vlerave të mirëfillta skenike duke ruajtur vazhdimësinë teatrore me qëndresë dinjitoze. Thënë shkurt, ky teatër e arsyetoi emrin simbolik që ia vunë themeluesit e tij.
Për një kohë të gjatë Teatri „Qëndresa“ i Fushë-Kosovës ishte i vetmi institucion nëpërmjet të të cilit shqiptarët e këtushëm shprehën identitetin e vet kulturor e kombëtar dhe dëshmuan praninë e vet në Fushë-Kosovë, e cila kaherë njihej si qendër ku ishte përqendruar veprimtaria nacional-shoviniste dhe antishqiptare e hegjemonizmit serb.
REALIZIME SKENIKE QË NXISNIN DHE FORCONIN ATDHEDASHURINË E LUFTËN PËR LIRI
Gjatë punës së vet Teatri i Fushë-Kosovës publikut i ka ofruar disa premiera me orientim që ato të mbahen në repertor një kohë më të gjatë, por ka përgatitur edhe premiera si shfaqje me dedikim për ndonjë manifestim rasti pa obligim për të marrë përsipër reprizimin e tyre edhe pse ato sipas konceptimit përmbajtjesor dhe formësimit skenik që kishin nuk dallonin shumë nga të parat. Po ta vështrojmë repertorin e Teatrit „Qëndresa“ të Fushë-Kosovës nga këndvështrimi i sotëm do të mund të konstatojmë se ai ishte i formuar, i stabilizuar dhe shumë serioz me fizionominë që kishte, sidomos kur kihen parasysh rrethanat shoqërore-politike në Kosovë, e veçmas në Fushë-Kosovë, gjatë tri dekadave të fundit të shekullit të kaluar.
Prirja dhe guximi për t’u rrekur me tema të mëdha të aktualitetit dhe të së kaluarës amatorëve fushë-kosovas nuk u mungoi. Gjatë kësaj periudhe u inskenuan tekste të angazhuara në pikëpamje etike, vepra që afirmojnë virtytet kombëtare, frymën heroike e të pamposhtur të popullit shqiptar për liri e pavarësi dhe vepra që nxisin e forcojnë edhe më shumë atdhedashurinë. Në këtë kontekst mund të përmenden shfaqjet: „Gurët e Kreshanës“, „Plumbat e shkronjave“, „A vritet shkolla, bre!“, „Krushqit janë të ngrirë“, „Rrëmuja“, “Agu”, „Ferexhja e zezë“, „Fyt për fyt me armik“, „Liria në kthetrat e korbave“ dhe „Vdekjen duke mposhtur“. Këto shfaqje shpaluan shpirtin e rrallë të qëndresës dhe të frymës liridashëse të popullit shqiptar, historia e të cilit ka qenë e mbushur me përpjekje të pareshtura për liri e pavarësi dhe për sovranitet territorial, arsimor e kulturor. Nëpërmjet teatrit, në mënyrë diskrete artikuloheshin përpjekjet kombëtare jo vetëm për të qëndruar, por edhe për të dalë nga prangat shekullore të robërisë, duke nxitur e afirmuar kështu ndjenjën e fuqishme të atdhedashurisë te publiku. Realizimet e tilla skenike patën ndikim edhe në strukturën e zhvillimit të teatrit dhe në formimin e personalitetit të anëtarëve të tij.
Sipas evidencës së mbajtur, para publikut të Fushë-Kosovës, atij të disa qendrave komunale të Kosovës dhe të viseve të tjera etnike shqiptare, para luftës së fundit në Kosovë, janë dhënë mbi 300 shfaqje, të mbi 50 realizimeve skenike, të cilat i kanë shikuar rreth 100 mijë shikues. Ndërkaq, në skenën e këtij teatri gjatë veprimtarisë së tij kanë defiluar mbi 400 anëtarë nga parashkollorët e deri te pensionistët, me përgatitje të ndryshme shkollore dhe tituj akademik deri në doktor shkence. Gjithashtu janë rreth 100 anëtarë ndihmës të këtij teatri, të cilët në forma të ndryshme e kanë ndihmuar punën e këtij teatri.
Mbajtja e gjatë në repertor e disa veprave të inskenuara është dëshmi se ky teatër i ka kushtuar rëndësi të madhe zgjedhjes së tekstit që është vënë në skenë, por edhe realizimit skenik në nivel të lartë artistik. Bie fjala, drama „Përmbytja e madhe“ plot dy vjet e gjysmë u mbajt në repertor. Gati dy vjet u mbajt edhe komedia „Kur lindi partia“. Ndërkaq, dramat „Toka jonë“ e „Gurët e Kreshanës“ u mbajtën në repertor mbi një vit dhe po kaq u mbajt edhe inskenimi i parë „Hakmarrja“.
GUXIMI INTELEKTUAL E KRIJUES PËRBALLË CENSURËS SË PUSHTETIT
Presioni më i madh, i cili në vazhdimësi e përcolli punën e Teatrit “Qëndresa” të Fushë-Kosovës, ishte ai ideologjik. Ky lloj presioni mbi amatorët teatrorë, e veçmas mbi udhëheqjen e teatrit, ushtrohej në formë të tutorizmit dhe diktatit të politikës së ditës. Regjimi komunist orvatej që në mënyrë strikte të dirigjojë edhe programet e amatorëve. Ndaj atyre që nuk respektonin vijën e kontrolluar dhe të sistemuar të komisarëve politikë të asaj kohe madje merreshin masa tejet të ashpra. Pasojat nga ky kontroll i rreptë ishin të ndryshme: shumë vepra ishin të ndaluara, shumë individë ishin të privuar nga e drejta e aktivitetit të tyre në teatrot e shoqëritë amatore, kurse udhëheqësve që nuk pajtoheshin me politikën e komisarëve të të ashtuquajtur „mbrojtës të pastërtisë ideologjike“, pos masave ideopolitike iu shqiptoheshin edhe dënime me burg.
Mirëpo, Teatri i Fushë-Kosovës që nga fillimi i punës ishte përcaktuar kundër arbitrit dogmatik në stile, forma e përmbajtje dhe udhëheqja teatrore ishte zotuar se do t’i kontribuojnë aq sa munden thyerjes së koncepteve e shijeve të huaja, të bindur se ruajtja e identitetit të kulturës sonë, do të garantojë edhe ruajtjen e identitetit kombëtar. Ky përcaktim bëri që përkundër këtij presioni në skenën e Fushë-Kosovës, ndonëse me peripeci të shumta, u realizuan vepra me vlerë të lartë artistike dhe me përmbajtje të fortë patriotike e kombëtare të dramaturgjisë shqiptare. Prandaj, me vështirësi të mëdha u siguruan lejet nga organet e atëhershme të pushtetit ekzekutiv shtetëror e partiak për çështje të kulturës për inskenimin e teksteve: „Toka jonë“, „Gurët e Kreshanës“, „Mësim nga historia“, „Thyerja“, „Agu“, „Plumbat e shkronjave“, „Përmbytja e madhe“, “Krushqit janë të ngrirë”, “Vdekjen duke mposhture” e kështu me radhë.
Shfaqja e dramës „Mësim nga historia“, nga organet e pushtetit të atëhershëm është hequr nga repertori menjëherë pas premierës. Ndalimi u bë me dekretin e 29 marsit të vitit 1981, me arsyetimin se „përmbajtja e saj në këtë situatë të ndërlikuar shoqërore-politike e të sigurisë ka konotacione që nuk i kontribuojnë stabilizimit“. Në fund të këtij dekreti shtohet se „ndalimi i këtij programi për shfaqje publike është i përkohshëm dhe zgjat derisa grupi i ngritur për vlerësimin e përshtatshmërisë ideopolitike të japë vlerësimin meritor“, mirëpo ndalimi i përkohshëm pa ndonjë dekret tjetër u bë i përhershëm.
Ndërkaq, premiera e dramës „Thyerja“ u shty një muaj për shkak se policia nuk jepte leje për shfaqjen e saj me arsyetim se ajo ndërlidhej me përvjetorin e demonstratave të vitit 1981, kurse mënyra e inskenimit zgjonte asociacione me dhunën shtetërore e policore mbi inteligjencien shqiptare, meqë përmenden gjykimet e montuara politike, deklaratat vetakuzuese ose denoncuese të nxjerra me dhunë në hetuesi, e kështu me radhë.
Zaten, problemi i censurës ishte ai që amatorët e këtij teatri i detyroi që disa nga realizimet e tyre të mira, t’i shfaqin para publikut të vet pa u dhënë publicitet të madh, ngase nuk ishin të interesuar që kjo punë e tyre të vërehet edhe aq shumë nga pushtetmbajtësit e kohës, madje nganjëherë edhe duke i kamufluar premierat e tilla në kuadër të mbrëmjeve artistike.
Teatri “Qëndresa” i Fushë-Kosovës ka marrë pjesë në disa manifestime kulturore në Kosovë dhe në ish-Jugosllavi prej nga është kthyer me mirënjohje, diploma e shpërblime të ndryshme individuale dhe kolektive. Shikuar nga kjo distancë kohore, duket se anëtarët e këtij teatri me mençuri patën zgjedhur armën e fjalës artistike që ishte armë e fortë për të zgjeruar e ngritur vetëdijen kombëtare, si dhe për të forcuar karakterin kombëtar dhe krenarinë e shqiptarëve në Fushë-Kosovë. Teatri “Qëndresa” i Fushë-Kosovës këto dy dekadat e pasluftës së fundit ndihet i gjallë më shumë me imazhin e shkëlqimit të dikurshëm, të cilin e kishte arritur sidomos në tri dekadat e fundshekullit të kaluar dhe deri diku edhe në dekadën e parë të shekullit që po e jetojmë. Ka mbetur një grup i vogël i entuziastëve, aktorë me përvojë, si: Hasan Krasniqi, Nexhmije Mekolli, Safete Berisha, Emin Emini, Ismet Gashi dhe ndonjë tjetër që në krye me Fazli Hazirin, emrin e këtij teatri e mbajnë ende gjallë me paraqitje të herëpashershme grupore, ose individuale, në manifestime të ndryshme, tubime përkujtimore dhe promovime librash.
ORGANIZATA ATDHETARE “NE JEMI KËTU”, NJË LEVË E FUQISHME MBËSHTETËSE E TEATRIT
Shkrimi për këtë përvjetor të Teatrit “Qëndresa” nuk do të ishte i plotë po të mos përmendet edhe një levë e rëndësishme e zhvillimit jo vetëm të këtij teatri, por i tërë një lëvizje kulturore dhe arsimore në Fushë-Kosovë. Fjala është për organizatën atdhetare ilegale me emrin “Ne jemi këtu”, e cila qe formuar më 27 nëntor 1971, pas përfundimit të një mbrëmje letrare-artistike me moton “Edhe ne jemi këtu” të Klubit të letrarëve të rinj “Naim Frashëri” të Fushë-Kosovës. Ideja thuaja erdhi spontanisht e nxitur nga mbrëmja letrare-artistike me moton “Edhe ne jemi këtu”. Si shpeshherë të tjera edhe atë natë, një grup shokësh, për të analizuar rrjedhën e manifestimit u kthyem në odën tonë, e cila ishte një vendtakim i disa brezave, pra edhe i brezit tim, 1950 – 1955. Në të vërtetë bërthama e kësaj organizate thuaja se ekzistonte, pasi ishte një grup që vihej në ballë të organizimeve të manifestimeve letrare-artistike, por që tashmë kishte një përvojë të gjatë edhe në rezistencë aktive, edhe me përleshje fizike me huliganët serbë që yshteshin nga forcat hegjemoniste e shoviniste serbe të Fushë-Kosovës kundër filloristëve dhe gjimnazistëve shqiptarë me qëllim për ta penguar mbarëvajtjen e mësimit shqip.
Organizata atdhetare “Ne jemi këtu” si kauzë kishte mbrojtjen e identitetit kombëtar dhe rezistencën aktive kundër sulmuesve të arsimit e kulturës tonë kombëtare. Kjo organizatë u bë një levë e fuqishme mbështetëse për veprimtarinë kulturore fillimisht vetëm në kuadër të klubit të letrarëve të rinj “Naim Frashëri”, e pastaj edhe të shoqërisë “Lulëzimi” dhe Teatrit “Qëndresa” të Fushë-Kosovës.
Bërthama e parë e kësaj organizate ishin: Fehmi Jashari, Ibrahim Islami, Gani Bajrami, Sahit Mexhuani, Rushit Zeqiri, Shefqet Sahiti, Ismail Kelmendi, Abaz Muharremi, Gjelosh Berisha, Adem Kutllovci dhe Hakif Namani. Ne pjesëtarët e organizatës “Ne jemi këtu” e dinim që në Fushë-Kosovë vepronte një shtab i fortë i nacionalizmit dhe hegjemonizmit serb antishqiptar. Ne patëm rastin që në moshë të re të hetojë padrejtësitë që u bëheshin shqiptarëve nga pushteti që dominohej nga serbët. Dinim që në Fushë-Kosovë e kishte selinë edhe një organizatë gjysmë ilegale me orientim çetnik me emrin “Bozhur” dhe ndër ata që vepronin me tërë forcën kundër prosperitetit të shqiptarëve shin: Sreten Martinoviq, Zoran Llabus, Jagosh Babiq, Mitar Baleviq, Darinka Jevriq, Dushan Samarxhiq, Toma Moravçeviq, Gjuro Bauk, e të tjerë.
Nuk do të kalojë kohë e gjatë dhe organizata do të masivizohet edhe me veprimtarë të tjerë, si: Shaban Kelmendi, Sherif Islami, Abdullah Tërnava, Muhamet Krasniqi, Tahir Neziri, Idriz Mirena, Osman Kelmendi, Xhemail Jashari, Osman Havolli, Kadri Tërnava, Islam Kelmendi, Jakup Obërtinca, Azem Konjuhi, Violeta Avgustini, Naim Kelmendi, Ajet Muharremi, Mehdi Gojnovci, Ragip Tërnava, Emine Fazliu, Nazmi Kelmendi, Nafije Kelmendi, Fexhrije Bajrami, Muhamet Tërnava, Skënder Zogaj, Emin Kabashi, Abaz Muharremi, Avgustin Avgustini, Sabit Bugujevci, Emine Muharremi, Liman Namani, Isa Thaçi, Jakup Tërnava, Haki Bajrami, Kamber Baca, Blerim Zagragja, Safete Berisha, Remzi Krasniqi, Gani Sekiraça, Miftar Zagragja, Milaim Islami, Muharrem Namani dhe shumë të tjerë.
Prijatar i shumë aktiviteteve shoqërore, politike, arsimore e kulturore me të rinjtë shqiptarë, herë në skenë e herë në prapaskenë për shkak të përndjekjes së tij politike, ishte Mehmet Kelmendi, njëri prej veprimtarëve të palodhshëm të lëvizjes kombëtare dhe një nga pishtarët e parë të arsimit, të cilit që në moshën 25 vjeçare, më 1952, iu ndalua veprimtaria arsimore nga UDB-ja famëkeqe. Pushteti okupues serb nuk u mjaftua me kaq, por edhe e burgosi Mehmetin si pjesëtar të Lëvizjes Nacional Demokratike Shqiptare, në vitin 1963 dhe dënimin e vuajti në burgun famëkeq të Serbisë, në Nish. Mirëpo, edhe si ish-i burgosur politik Mehmet Kelmendi nuk e ndali veprimtarinë atdhetare. Ai ishte model për brezin që i takoi se si duhet të ecet drejt, pavarësisht situatave e torturave, ishte model i konsekuencës, sakrificës dhe atdhedashurisë.
Legjenda të fotografive:
- Me dramën “Gurët e Kreshanës” Teatri “Qëndresa” shkëlqeu në skenën e Mostarit
- Drama “Përmbytja e madhe” u mbajt dy vjet e gjysmë në repertor
- Shfaqja “Vdekjen duke mposhtur” shënoi 25-vjetorin e Teatrit “Qëndresa”
- Skenë nga shfaqja “Krushqit janë të ngrirë”
- Shfaqja „Toka jonë“ rrëmbeu shumë çmime në festivale
- Shfaqja „Plumbat e shkronjave“ solli emocione të thella te publiku
- Trupa e shfaqjes „Agu“ kishte një strukturë moshe shumë heterogjene
- Skenë nga shfaqja “Pahintikë në ëndërr”
- Pllakati i inskenimit të parë, dramës “Hakmarrja”




























