Në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani“ në Prishtinë, do jetë pikëtakimi i krijueseve nga mërgata me veprat e tyre, të hënën, më 9 gusht 2021, nga ora 12:00.
Që nga themelimi i Lidhjes së Shkrimtarëve Shqiptarë në Mërgatë (LKSHM) para tetë vjetëve, aktivitetet e ndryshme letrare ishin bërë tradicionale në pushimet e verës. Ky aktivitet deri në pandemi u mbështet nga Ministria e Diasporës duke i dhënë dimensione të reja hapësinore krijuesve mërgimtarë. Këtë vit Lidhja… do ta ripërtërinë aktivitetin e saj të ndërprerë nga rrethanat pandemie me prezantimin e veprave e reja të anëtarëve të saj të botuara gjatë këtyre dy viteve të fundit.
Lidhja e Shkrimtarëve Shqiptarë në Mërgatë ka botuar gjithashtu dy vepra shënjuese, ORA POETIKE – Paris 2020 dhe veprën NAIM FRASHËRI, kushtuar 120 vjetorit të vdekjes së shkrimtarit Naim Frashëri- Paris 2021.
FTESË
Lidhja e Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë, ju fton në takim (prezantimin e librave), më 9 gusht 2021, në ora 12:00, në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani” në Prishtinë!
Pas dite në fshatin Kukaj duke filluar nga ora 16:00 do mbahet ora letrare ku do lexojnë krijues nga shumë vende.
Musa Jupolli, Kryetar dhe kryesia e LKSHM, ka bërë një punë të mirë në organizimin e Lidhjes… dhe afirmimin e krijimtarisë letrare shqiptare në mërgatë. Që nga themelimi i saj janë realizuar shumë takime letrare, janë botuar vepra të shumta nga anëtarët e saj. . Degët e Lidhjes shtrihen në shumë vende të botës. Secili mërgimtar i cili merret me krijimtari letrare e artistike mund të jetë anëtar/e e saj. Kjo e fuqizon organizimin dhe afirmimin e artit letrar në gjuhën shqipe në mërgatë.



















