“Hasan Msusi”, që hapi 120 shkolla në Kosovë e përfundoi me pranga në Goli Otok ! (5)

Hasan Dylgjeri, në maj 1945 caktohet organizator dhe përgjegjës kryesor për hapjen e shkollave shqipe, ndërsa në vitin 1947 emërohet inspektor arsimi dhe me të marr detyrën e Eprorit të arsimit për Kosovën, për pikëpamjet e tij përparimtare burgoset nga UDB Jugosllave nga viti 1949 -1955, shumicën e të cilave i kalon në Goli Otokun famëkeq.

Nga Rexhep Rifati, me foto ekskluzive   

Në vazhdën e shkrimeve kushtuar mësuesve nga Shqipëria që shërbyen në trojet shqiptare jashtë kufijve të shtetit shqiptar, në këtë vazhdim të 5-tin me radhë do të përqendrohem te kontributi i mësuesit elbasanas, Hasan Dylgjeri, i cili që nga viti 1942 punoi në Kosovë, madje duke punuar si instruktor arsimi në rrethin e Gjilanit. Për hapjen e 120 shkollave në Kosovë ai ka marrë shumë vlerësime, por vlerësimi më i madh është emri që njihej nga populli i Kosovës “Hasan Msusi”.

Pa dyshim se Kosova i ka shumë borxh sidomos qytetit të Elbasanit, falë shkollës së Normale e cila shkolloi me dhjetëra e dhjetëra mësues, të cilët do të shërbejnë si flakadan drite te drite e diturie në Kosovë dhe jo vetëm këtu.

Me çeze në Komogllavë për të hap shkollën e parë!

Ndër ta shquhet edhe ish-mësuesi, instruktori dhe atdhetarin Hasan Dylgjeri, i cili  dha një kontributin të çmueshëm për arsimit shqip në Kosovë që në ditët e para të përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Hasani i lindur në vitin 1916 në Elbasan, qysh në vitin 1944 zgjidhet inspektor arsimi në Rrethin e Gjilanit, për të inspektuar edhe një pjesë të shkollave në komunën e Ferizajt.

Për mua rëndësi të veçantë ka të bëjë me faktin se ai dha edhe rekomandimin për hapjes e shkollës së parë fillore në vendlindjen time, Komogllavë të Ferizajt. Bashkëfshatarëve të mi ju kujtohet sesi mësuesi Hasan erdh me e çeze në Komogllavë për të vendos rreth hapjes së shkollën e parë. Madje në një monografi të këtij fshati, hartuar nga Rrahim Qazimi e Feriz Ilazi, është edhe një faksimile i lëshuar dhe i nënshkruar nga Hasan Dylgjeri më 7 Nëntor 1946, për hapjen e shkollës në Komogllavë, kopja e të cilit është edhe në këtë prezantim.

Por, më vonë, fatkeqësisht, historiku i këtij mësuesi të shquar, do të ketë një rrjedhë tejet tragjike, ngase në vend se të shpërblehet ai dënohet me një burgim të rëndë gjashtëvjeçar, për ta vuajtur atë në Goli Otokun famëkeq. Do theksuar se edhe gjatë disa takimeve që kam pas me mësuesit 95 vjeçar, Selami Kreka nga Korça, që shërbeu në Kosovë, mësova se edhe ai gjatë shërbimit u burgos nga UDB-a jugosllave, pasi qëllimi ishte që të kishte sa më pak mësues të kualifikuar për shkollat shqipe në Kosovë. Mësuesi Selami Kreka po ashtu përmend se gjatë ardhjes së tij në Kosovë se atë dhe të tjerët i priti instruktori i arsimit Hasan Dylgjeri.

Mësues i Merituar- Veprimtar i arsimit, Atdhetar

Në një faqe të monografisë së mësuesve të merituar, hase edhe në këtë shkrim : Hasan Dylgjeri Mësues i Merituar- Veprimtar i arsimit, Atdhetar

Pas mbarimit të shkollës “Normale”, i rritur në një mjedis arsimdashës nën ndikimin e tre vëllezërve të tij në krahinat shqiptare vendosi të shkojë dhe të punojë mësues në Kosovë në vitin 1942. Punoi me pasion për përhapjen e gjuhës shqipe në trevat shqiptare, merr pjesë edhe në lëvizjen çlirimtare të Kosovës.

Organizator dhe përgjegjës kryesor për hapjen e shkollave shqipe

Më tej në këtë monografi, kushtuar mësuesve elbasanas thuhet: “Hasan Dylgjeri, punon për përhapjen e gjuhës shqipe dhe në maj 1945 caktohet organizator dhe përgjegjës kryesor për hapjen e shkollave shqipe. Në vitin 1947 emërohet inspektor arsimi. Në vitin 1949 merr detyrën e Eprorit të arsimit për Kosovën. Organizon pareshtur kurse kualifikimi për përgatitjen e arsimtarëve për të punuar në Kosovë dhe Mal të Zi. Për pikëpamjet e tij përparimtare burgoset nga UDB Jugosllave nga viti 1949 -1955. Për hapjen e 120 shkollave në Kosovë ai ka marrë shumë vlerësime, por vlerësimi më i madh është emri që njihej nga populli i Kosovës “Hasan Msusi”. Për punën e tij të lavdërueshme pasi kthehet në Shqipëri punon po me atë pasion dhe përkushtim. Në shkolla të ndryshme është nderuar me urdhra dhe medalje, si: “Urdhri N. Frashëri i klasit I”, Titulli “Mësues i Merituar”.

(Me këtë rast edhe një pjesë e fotove nga arkivi i Hasan Dylgjerit, që i ruan me shumë kujdes i biri Cen Dylgjeri)

Nesër: Nga 120 shkolla që hapi, asnjë me emrin Hasan Dylgjeri!