Ambienti festiv i përshkuar me program të përzgjedhur i mbrëmjes së 15 Nëntorit 2019, mbajtur në Teatrin Kombëtar të Shkupit, do të mbahet mend në kujtesën e gjithë dashamirëve të “Ibe Palikuqit”, që ishin pjesë të këtij jubileu që shënon triumfin e këtij ansambli që për katër dekada afirmoi kulturën tonë në përmasa kombëtare e ndërkombëtare
Teksti e fotot: Rexhep Rifati
Që në fillim të këtij teksti, në kudër të këtij jubileu me moton: “40 vjet shkollë e kulturës shqiptare ” dhe të kësaj arritjeje, nuk mund e të mos i kthehem kujtesës nga mosha ime rinore, këtu e 60 vjet më parë kur për pak vite jetova në Shkup, e ku brenda një jave kishte vetëm 15 minuta të muzikë shqiptare brenda jave në programin e Radio Shkupit! Ishte kjo koha e diskriminimit që i bëhej shqiptarëve dhe kulturës së tyre kombëtare.
“Ibe Palikuqi”, një emër i denjë kulture e respekti
Për fat nga ajo kohë, përkundër shumë sfidave e pengesave në rrugëtim, shumëçka ka ndryshuar e lëvizë në drejtim të emancipimit, shkollimit apo edhe afirmimit tonë kombëtar edhe në këtë pjesë të shqiptarisë, në rend të parë falë përpjekjeve dhe angazhimit të çdo brezi, si rezultat i të cilave është edhe ky ansambël i mrekullueshëm me emrin e denjë për respekt: “Ibe Palikuqi” !
Por ti kthehemi programit të mbrëmshëm festiv të Ansamblit “Ibe Palikuqi”, të mbajtur në një ambient reprezentativ, siç ishte salla e madhe e Tetarit Kombëtar, që e ofronte një luks e akomodim e që njëherësh e bënte më madhështor edhe vet këtë jubile: kënga e loja e mrekullueshme e artistëve në skenë, por edhe nderimi dhe pieteti që ju bë të gjithë atyre që dhanë një kontribut të madh në këtë ansambël, por që nuk patën fatin ta përjetojnë këtë kremte, ku patën edhe ata një pjesë të hises së punës së tyre artistike.
Kur në meritat e artistëve përfitojnë politikajt!
Ndonëse siç ndodh, zakonisht në disa media edhe sot nga portale e programe, pashë se më shumë se artistëve i ishte kushtuar vend fjalimeve të dy udhëheqësve, që zakonisht përpiqen të përfitojnë në kurriz të artistëve që kulturë të mirëfilltë kombëtare.
Ndaj edhe me këtë rast të bartim sado pak fjalë nga goja e kryetarit të AKV “Ibe Palikuqi”, Kenan Jahja- Kajolli, i cili potencoi se ky ansambël u themelua më 30 Mars të vitit 1979, duke zhvilluar një veprimtari të pandërprerë plot 40 vite dhe duke lënë prapa një numër të madh të aktiviteteve përmes 1200 prezantimeve, mjaft nga të cilat janë kurorëzuar me çmime të ndryshme në saje të lojës, si rrjedhojë e talentit të artistëve të ri shqiptarë, që tërë veprimtarinë e tyre zhvilluan në baza thjeshtë vullnetare .
Katër dekada angazhim e përkushtim vullnetar
Apo thënë nga vet goja e kryetarit të ansamblit: “Jemi mbledhur sot këtu për të shënuar një datë mjaft të rëndësishme për shqiptarët që lidhet ngushtë me të kaluarën por edhe me të ardhmen e shqiptarëve në përgjithësi e në veçanti me shqiptarët e kryeqytetit Dardanisë, Shkupit . Sot kur festojmë 40 vite nga themelimi i ansamblit “Ibe Palikuqi”, vërtet kemi me çka të mburremi sepse 4 dekada nuk janë pak për një ansambël i cili ka funksionuar në bazë të vullnetit të lirë dhe dashamirëve të artit dhe kulturës shqiptare” – u shpreh Kryetari i Ansamblit “Ibe Palikuqi”, Kenan Jahja, njeriu që me vite bartë barrën kryesore të mbarëvajtjes, por edhe përgjegjësisë së kësaj trupe artistike, që në vete përbën edhe një shkollë të artit popullor në këtë anë të shqiptarisë
Dhjetëra mirënjohje në arenën botërore
Si vallet mbresëlënëse të artistëve që u shpërblyen me shumë duartrokitje nga një publik, vërtetë serioz e artdashës, ashtu edhe këngët me tërë atë melos të mirëfilltë shqiptar, që kultivon ky ansambël, shtuar edhe kostumet elegante e imponuese, ishin pika të denja arti, që mund të luhen edhe para çdo publiku, qofshin ato edhe metropole ku shija e publikut është më e stërholluar. Në favor të kësaj flasin edhe me dhjetëra mirënjohje në festivale të karakterit ballkanik, evropian e botëror
Veprimtari në një ambient jo përherë miqësor
Mësa mësuam anëtarët e këtij ansambli dhe ata që e drejtojnë atë asnjëherë nuk patën synim komponentin financiar, egoizmin dhe lavdinë personale, sepse mbi të gjitha për ta ishte afirmimi i vlerave tona kulturore e kombëtare, duke nxjerr nga anonimiteti një kulturë që ka rrënjët ndër shekuj, ndonëse mjedisi ku veproi nuk qe aq miqësor. Por puna e pareshtur bëri që sot ansambli të ngritët plotësisht në këmbë të veta, duke sjellë rreth vetes jo vetëm artistë e koreografë me emër, por edhe siguruar në posedim edhe lokal me kushte solide për veprimtarinë e tij sa më funksionale.
Përgëzime të rinjve që i japin shpirt këngës dhe valles shqiptare
Sa i përket programit, që u përmbyllë me një darkë festive, por edhe ndarje të pllakateve me mirënjohje për kontribuuesit e ansamblit “Ibe Palikuqi”, e me medaljone për anëtarët e tij, ishte një manifestim që ngërtheu në vete vetëm punën e kësaj trupe, pa pasur prani të ndonjë pike artistike edhe të ndonjë grupe mysafire, apo qoftë edhe një përshëndetje urimi apo përgëzimi, siç ndodhë në këto raste.
Ndaj edhe me këtë rast, më mbetet të urojë trupën e shkëlqyeshme artistike, sidomos ata djelmosha e vajza, që imponohen jo vetëm me lojë përplot art e elegancë, por edhe bukuri, afri e fisnikëri, duke bërë që sot Shkupi të zë një vend të denjë në arenën ndërkombëtare edhe me një pjesë të mirë të kulturës shqiptare.
Dhe krejt në fund të këtij shënimi, një urim për ansamblin të cilit i kthyem vizitën si ferizajas për pjesëmarrjen në 50 – vjetorin e SHKA “Kastriotët” ferizajas, ku po ashtu qenë prezantua me disa pika të shkëlqyeshme të programit, ndaj edhe shpresoj që tradita e bashkëpunimit midis këtyre dy grupeve simotra dhe jo vetëm tyre të vazhdojë e thellohet edhe në të ardhmen.
Falënderim shoqëruesve në program
Gjithashtu falënderoj gjithë shoqëruesit e mi, përfshi veprimtarin dhe kolegun e palodhshëm Ibrahim Xhemajli që erdhi nga Danimarka, apo piktorin Habib Musliu dhe aktorin Shefshet Beqiri nga Ferizaj dhe për pritjen dhe shoqërimin në të shokëve apo miqve , elektroinxhinierit Jakup Reka dhe shkrimtarit Sami Sherifit, që të dy nga Shkupi me të cilët bëmë edhe një xhiro në qytetin buzë Vardarit në vizitë monumenteve shqiptare.

















































