Kësaj radhe, me 5 Korrik 2019, në një ambient solemn, diplomat e shkollimit plotësues në Zvicër, iu dorëzuan 17 nxënësve, që kishin përmbyllë me sukses ciklin e plot të shkollimit shqip në 10 pika shkollore
Teksti e fotot. Rexhep Rifati
Në lokalët e Bibliotekës Hardau të qytetit të Cyrihut, mbrëmë në një atmosferë sa festive aq edhe ngazëlluese, përplot shend fëmijëror, u ndan diplomat e kryerjes së klasave të teta të mësimit plotësues shqip, apo siç jemi mësuar zakonisht të thërrasim të semimaturantëve. Për ta përjetuar këtë gëzim të përbashkët, pos nxënësve e mësimdhënësve të tyre kishin ardhur edhe prindërit e tyre, madje jo duarthatë duke sjelli secili diçka nga kuzhina jonë tradicionale shqiptare.
Që në fillim mirëseardhje me nga një përshëndetje të pranishmëve iu drejtuan Naser Ulaj, koordinator në nivelin kantonal të Cyrihut, Nexhat Maloku koordinator i LAPSH në nivel Qendror dhe Leurata Berisha , Sekretare e Parë/ Konsulle në konsullatën e Republikës së Kosovës në Cyrih, të cilët folën për rëndësinë e mësimit plotësues shqip, si komponent kryesor për ruajtjen e gjuhës dhe identitetit kombëtar dhe domosdoshmërinë që sa më shumë prindër ti dërgojnë fëmijët e tyre në mësimin plotësues, pasi që në këtë moment numri i fëmijëve në këtë formë shkollimi, në raport me numrin e madh të shqiptarëve në kanton, është gjithsesi shumë i vogël.
Kësaj radhe diplomat iu dorëzuan 17 nxënësve që kishin përmbyllë me sukses ciklin e plot të shkollimit shqip edhe atë në 10 pika shkollore, nga katër mësuesit e tyre: Afërdita Veliu, Sabahate Krasniqi, Naser Ulaj dhe Elfete Hasi. Në këtë akt solemn, kësaj radhe mësuesit i shpërblyen me diploma e lule nxënësit e tyre, ndërsa me libra Koordinatori i LAPSH-it në nivel të Zvicrës, Nexhat Maloku.
Meqë për këta fëmijë ky diplomim në gjuhen amtare ka një rëndësi të veçantë, po i japim edhe emrat e tyre: Arbresha Sabriu, Rinor Ljatifi, Mersela Sejdiu, Lorina Bajraktari, Qëndrim Shabani, Elona Ismajli, Vermosa Sallahu, Eliza Mustafa, Aida Arifi, Enes Spahiu, Rion Leci, Leandra Husaj, Antartida Bajrami, Dionis Lumi, Altina Barajliu, Erenik Zeqiri dhe Edonis Hajdari.
Atmosferën e këtij diplomimi nxënësish e plotësuan dhe benën edhe më simpatik disa nga nxënësit e shkollës shqipe qoftë, me këngë, recitime apo ekzekutime me kitarë.

















































