FTESË – Në Prishtinë mbahet Tubim Përkujtimor për Agron Bajramin

Ftoheni që të merrni pjesë në Tubimin Përkujtimor që do të mbahet për koreografin dhe drejtorin e Shkollës Shqiptare të Vallëzimit SHOTA në Zvicër, Agron Bajramin, i cili u nda nga jeta me 12 mars 2018 në moshën 54 vjeçare. Ai ishte edhe veprimtar i dalluar i çështjes kombëtare, ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ishte piktor në teknikën pirografi dhe punoi si kameraman e montazhier në një televizion zviceran.
Në këtë Tubim Përkujtimor, do të përkujtohet puna, veprimtaria dhe kontributi i Agron Bajramit për kulturën shqiptare me Shkollën Shqipe të Vallëzimit SHOTA, të cilën ai e themeloi në vitin 1993.
Me këtë rast do të shfaqet edhe filmi dokumentar kushtuar Agron Bajramit me titull «Të mësohemi të ecim shqip» realizuar nga dokumentaristi i njohur nga Tirana, Llesh Nikolla.
Tubimi Përkujtimor mbahet më 23 mars 2018 (e premte) në Kinemanë ABC-Prishtinë, duke filluar nga ora 13h.
Tubimin Përkujtimor e organizon Shkolla Shqiptare e Vallëzimit «Shota» nga Zvicra në bashkëpunim me Shoqërinë Kulturo-Artistike «Bajram Curri» nga Prishtina.
Mirë se vini!