Gjatë një aperoje, në lokalet e bibliotekës interkulturore „Pestalozzi“ në lagjen Hardau të Cyrihut, drejtuesja e saj, Suela Jorgaqi, përkujtoi se në mesin e mijëra librave në gjuhë të ndryshme, ekziston edhe një fond i mirë i librit shqip, por që do të duhej shfrytëzuar më shumë nga shqiptarët që jetojnë në këtë kanton
Teksti dhe fotot : Rexhep Rifati
Në lokalet e bibliotekës interkulturore „Pestalozzi“ në lagjen Hardau të Cyrihut, më 24 shtator u mbajt një apero rasti, ku drejtuesja e kësaj biblioteke, Suela Jorgaqi foli për aktivitetin e këtij institucioni, duke i bërë një rezyme rreth leximit të librit dhe frekuentimit të lexuesve në te, me theks të veçantë për vitin e kaluar. Në këtë mbrëmje, ku merrnin pjesë edhe përfaqësues të bibliotekës qendrore, „Pestalozzi“ ( Interbiblio), si dhe të SIKJM-it, Caritasit e përfaqësues të qendrave arsimore dhe integruese nga lagja Hardau, pati edhe një prani të përfaqësuesve të komuniteteve, , përfshi edhe ate shqiptar. Me këtë rast nga radhët e shqiptarëve ishin të pranishëm: Shukrije Ramadani, drejtuese e Qendrës së kulturës së Republikës së Kosovës në Cyrih, koordinatori LAPSH-it, në nivel të Zvicrës, Nexhat Maloku dhe ai në nivel të kantonit, Naser Ulaj.
Drejtuesja e kësaj biblioteke nënvizoi se në këtë institucion ka një fond të konsiderueshëm librash në mbi dhjetë gjuhë të ndryshme, dhe se në mesin e tyre edhe një fond i konsiderueshëm i librit shqip, përfshi edhe revistat dhe video-filmat shqip, ndaj edhe ky fond do të duhej shfrytëzuar më shumë nga shqiptarët që jetojnë në këtë kanton e më gjerë.
Në cilësinë e mikpritëses, Suela Jorgaqi, përgjegjëse e bibliotekës interkulturore „Pestalozzi“ e cila ka mbaruar për gjermanisht në Universitetin e Tiranës dhe pastaj në Zvicër ka studiuar „Shkencë informacioni“, përkujtoi se biblioteka që drejton ajo zhvillon një varg aktivitetesh në disa gjuhë të komuniteteve që jetojnë në këtë metropol zvicerane: shqip, italisht, turqisht portugalisht, serbokroatisht, turqisht, në gjuhën tamile e të tjera. Për këtë qëllim edhe janë siguruar mësues që mbajnë orë të veçanta, filluar nga më të vegjlit, duke u treguar atyre edhe përralla e tregime në gjuhën e tyre amtare.
Një nga aktivitetet e suksesshme për vogëlushët shqiptarë janë animacionet për nënat dhe fëmijët. Në këtë drejtim është bërë një punë shumë e madhe dhe se një meritë të veçantë për këtë drejtuesja e kësaj biblioteke ia dedikon udhëheqëses së këtyre kurseve, Trëndelina Jahës, me prejardhje nga Struga, pasi ajo i përkushtohet shumë këtyre kurseve dhe fëmijët janë tepër të lidhur me të.
Po në këtë bibliotekë interkulturore mbahen edhe kurse të ndryshme, shfaqen video-filma dhe demonstrohen edhe aktivitete të tjera në gjuhë të ndryshme. Me një fjalë kjo bibliotekë është një vend i këndshëm pikëtakimi për pjesëtarë të komuniteteve të ndryshme që jetojnë në këtë mjedis shumë kulturor. Lokalet e kësaj biblioteke prej vitesh, falë faktit se ajo udhëhiqet nga një intelektualeje shqiptare shumë e zellshme dhe bashkëpunuese, shfrytëzohet mjaft shpesh edhe për promovimin e librave të autorëve shqiptarë nga të gjitha trojet etnike.
Dhe jo vetëm kaq, pasi kjo bibliotekë është bërë e afërme dhe e dashur edhe për pjesëtarët e të gjitha komuniteteve që jetojnë në këtë mjedis shumë kulturor, pavarësisht nga vendi i prejardhjes.
Me këtë rast, në kuadër të kësaj aperoje, u hap edhe një ekspozitë me skica e punime në litografi nga piktori akademik Adem Dërmaku, për të cilën ekspozitë dhe autorin e tyre foli Thomi Wolfensberger, pronar i shtypshkronjës litografike ku edhe punon Dërmaku, që deri më pos në shtypshkronjën ku punon, me punimet e tija ka marrë pjesë edhe në disa ekspozita personale e kolektive.

































