Kronologji nga Zvicra, në ditëlindjen e Vaçe Zelës

Një nga personalitetet më të shquara shqiptare, që prej rreth 20 vitesh jetoi në Zvicër, pa dyshim, ishte ikona e muzikës së lehtë shqiptare, Vaçe Zela. Në manifestimet prej dy dekadash në Zvicër, nuk kam parë ndonjë figurë të ketë nxitur më shumë emocione në mesin e bashkëkombësve

 Nga Rexhep Rifati

Sot në 76- vjetorin e lindjes, përmes një kronike me foto desha ta përjetësoj edhe njëherë pranin e saj në Zvicër.

Bernë 1984

Në vitin 1984 bashkë Vaçe Zela ishte përherë të parë në Zvicër, në një turne të Ansamblit të këngëve dhe valleve të Shqipërisë në këtë vend kur edhe u shfaqen 8 koncerte..

 Langenthal, 13 Janar 2008

Në një shtëpizë pushimi në Langenthal të Zvicrës, dashamirë të artistes Vaçe Zela, u tubuan thuajse për çdo vit, që nga ardhja e saj me familje në Zvicër. Në këtë mënyrë ata, së bashku në kurbet, shuanin mallin që zhurit për atdhe.

 Bazel, 11 prill 2009

Ndonëse më 7 prill 2009 ishte ditëlindja e 70 e këngëtares sonë, Vaçe Zela, një festë e vërtetë, më shumë se familjare u mbajt më 11 prill në një shtëpizë në afërsi të Bazelit. Kjo festë familjare kaloi në një atmosferë më se të hareshme me moton: “Jetë të lumtur e të gjatë, e madhja Vaçe, ashtu siç do të jetë i përjetshëm edhe zëri Yt magjik”!

 Nojshatel, 9 maj 2009
Prania e legjendës së këngës shqiptare, Vaçe Zela në promovimin e romanit të Bedri Dedjes “Presidenti i planetit të kuq”, në Nojshatel të Zvicrës, nxori edhe një herë në pah fuqinë e madhe që ka arti. Prania e Vaçes dhe vepra e shkrimtarit për fëmijë, Bedri Dedja, tubuan shqiptarët me prejardhje nga të gjitha viset etnike dhe nga shumë kantone të Zvicrës.

 Langenthal 16 maj 2009

Në mbrëmjen e promovimit të fjalorit të ambasadorit të Shqipërisë në Zvicër, Mehmet Elezit , ”Fjalori i Gjuhës Shqipe“, merrnin pjesë figura të artit, kulturës dhe të jetës shoqërore të shqiptarëve në mërgatë. Në mesin e tyre ishte edhe e famshmja, Vaçe Zela, prania e së cilës solli shumë emocione.

 Bazel, 13 maj 2010

Mrekullia kulturore ndodhi më 23 maj në një nga godinat më reprezentative të Bazelit të Zvicrës, në Shycenhaus (Schützenhaus). Aty u mbajt një mbrëmje e titulluar “Vaçe Zela, larg dhe pranë njerëzve”. Mbrëmja kishte tubuar personalitete të shquara të artit e kulturës shqiptare dhe të korit diplomatik nga Shqipëria e Kosova në Zvicër.

 Cyrih 7 shkurt 2014

Sot, aeroporti i Cyrihut mu duk më i zymtë se asnjëherë më parë. Me këtë rast u ndamë me pikëllim nga ikona e këngës së lehtë shqiptare, Vaçe Zela. Ishte lamtumira e fundit me Vaçen nga shteti helvetik. Ishte moment i vështirë, sidomos për të bijën Irmën dhe shokun e saj të jetës, zotëri Pjetër Rodiqin, që merrnin pjesë në përcjelljen e Vaçes përmes Kosovës në atdhe.

Më këtë rast njëherë ngushëllojmë Irmën dhe Pjetrin, që aq shumë u kujdesen për shumë vite për shëndetin e të madhes Vaçe. Nga fototeka ime, në shenjë kujtimi, veçova këtë foto me të famshmen Vaçe Zela, që kam realizuar bashkë me Skender Hajdarin, me bindje se ajo përherë do të jetojë në kujtimet e shumë mërgimtarëve. I përjetshëm qoftë kujtimi ynë për të madhen Vaçe. ( Për pjesën më të madhe të këtyre fotove falënderoj, autorin e tyre, Skënder Hajdari)