Delegatët nga radha e sindikalistëve shqiptar në kuadër të sindikatës Unia në Zvicër në tubimin e fundit të Komisionit për Migracion të Unia-s iniciuan një rezolutë mbi gjendjen aktuale rreth shpërnguljes masive të qytetarëve të Kosovës. Me kërkesë të delegatëve shqiptarë në Kongresin e Migracioni, Xhafer Sejdiu (Cyrih), Alajdin Rrahmani (Aarau), Zeqir Binakaj (Uster), Eset Jahsari (Biel) problemin e prezantoj delegati nga Gjeneva, kolegu Faruk Osmani, ndërsa e precizoi dhe e konkretizoi kolegu Hilmi Gashi (Bashkë-drejtues i Unia-s Berner Oberland).
Komisioni për Migracion është një strukturë e organ vendimmarrës në nivel nacional në kuadër të sindikatës Unia. Më poshtë po e botojmë rezolutën e aprovuar njëzëri nga rreth 70 delegatë të pranishëm në mbledhjen e 21 shkurtit 2015
Rezolutë
Sindikata UNIA, Komisioni për migracion, Bernë, 21 shkurt 2015
Lajmet mbi shpërnguljen e një numri të madh të shtetaseve e shtetasve të Kosovës, të cilët në ditët e fundit ia mësynë drejtë Evropës, preokupon njerëzit e Evropës dhe para së gjithash diasporën e Kosovës në perëndim. Arsyet duhet kërkuar në rend të parë tek mungesa e perspektivës për njerëzit në Kosovë. Politika neo-liberale e BE-së dhe UNMIK-ut, shitja e ndërmarrjeve shtetërore që dikur lulëzonin, përmes privatizimit të egër e jo transparent, sindikatat e dobësuara dhe një qeveri, të cilës i mungon fuqia e aftësia për ti përmbushur sfidat, kanë quar në këtë situatë të dëshpëruar.
15 vite pas luftës përsëri shpërngulen njerëzit nga Kosova. Kësaj radhe për të kërkuar një perspektive për veti dhe fëmijët e tyre. Arsyet që kanë quar deri këtu anë të shumta. Infrastruktura e shkatërruar si pasojë edhe e luftës; politika agresive neo-liberale, e cila manifestohet me rastin e privatizimit të pasurisë shtetërore; sektori financiar, i cili dominohet nga bankat e vendeve të BE-së dhe Turqisë, të cilat në Kosovë kanë gjetur parajsën. Kësaj duhet shtuar edhe politikanët vendor e ndërkombëtarë të korruptuar dhe jokompetent si dhe izolimit faktik të Kosovës. Sipas të dhënave të OKB-së mbi 17% të popullsisë jeton në varfërinë ekstreme (me më pak se 0.94 Euro në ditë) dhe 45 % në varfëri absolute (me më pak se 1.42 Euro në ditë) Papunësia vlerësohet të jetë mbi 40%, ndërsa tek të rinjtë mbi 70%.
Edhe përkundër shpalljes së pavarësisë në vitin 2008, e cila nuk është njohur nga të gjitha vendet, Kosova mbetet e përjashtuar nga shumica e organeve dhe marrëveshjeve të OKB-së. Kjo ka pasoja të drejtpërdrejta në ekonomi dhe shoqëri. Për shembull: Kosova nuk posedon ende prefiksin e saj shtetëror telefonik apo edhe numrin IBAN. Kjo shtrenjton komunikimin telefonik dhe qarkullimin e pagesave.
Pavarësisht Misionit të gjerë të OSBE-së, i cili në Kosovë që nga viti 1999 është përgjegjës për rindërtim të institucioneve shtetërore, për demokratizim, si dhe për zhvillimi politik përmes ELEX-it, BE-ja nuk i ka lehtësuar fare udhëtimin Kosovës për në Evropë. Të gjitha vendet e Ballkanit kanë një perspektivë për në BE, vetëm Kosova jo!
Sindikatat në Kosovë nuk kanë qenë në gjendje të përfaqësojnë mjaftueshëm interesat e punëtorëve. Pas luftës ato kanë qenë të tronditura si aspektin e personelit ashtu edhe ne atë profesional. Në vend se të organizojnë punëtoret e punëtorët dhe të ndalin procesin e privatizimin, i janë bashkangjitur plaçkitjes, gjoja “për të marrë të paktën diçka për punëtorët”. Ato pos tjerash nuk kanë qenë në gjendje të përballen me rendin e ri politik e ekonomik të kapitalizmit neo-liberal. Për fat të keq edhe sindikatat në Evropë dhe në Zvicër kanë dështuar të ofrojnë ndihmë e mbështetje për zhvillim sindikalist. Sindikatave në Kosovë iu është nevojitur mbështetja, për të vepruar si partnerë të fuqishëm social. Kjo dobësi e kanë shfrytëzuar, UNMIK-u, KFOR-i dhe qeveria e Kosovës, për të blerë paqen sociale me “para projektesh”.
Republika e Kosovës aktualisht përballet me probleme të ndryshme politike, ekonomik e sociale. Nga niveli parashkollor deri në atë universitar kanë mbirë shkollat private, të cilat mund ti përballojë vetëm një shtresë të vogël në Kosovë. E njëjta vlen edhe në rrafshin shëndetësor. Në shkollat publike dhe sistemin shëndetësor investohet shumë pak. Problemet shëndetësore dhe sëmundjet shtohen. Ngarkesat mjedisore si pasojë e luftës kanë quar në rritjen e sëmundjeve nga kanceri. Trajtimi dhe shërimi i këtyre sëmundjeve, për shkak të mungesës së sistemit të sigurimit shëndetësor, bëhet gati i pamundur në vend.
Njerëzit në Kosovë kanë nevojë urgjente për vende pune, për të drejtën e lëvizjes së lirë në Evropë, për përkujdesje gjithëpërfshirëse shëndetësore dhe për perspektiva jetësore me dinjitet njerëzor. Për të luftuar zhvillimet negative të lartpërmendura duhen të ndërmerren masa nga BE-së dhe nga qeveria e Kosovës, si:
- Investime në sektorin publik dhe në bujqësi, të cilat cytin krijimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme dhe krijojnë vende të reja pune.
- Marrëveshja e Perspektivës Evropiane me Kosovën dhe liberalizimin e vizave.
- Be-ja duhet tu ofrojë njerëzve në Kosovë mundësi të ligjshme, për të gjetur punë në Evropë.
Dhe nga Zvicra zyrtare ne kërkojmë:
- Rifutje të menjëhershme të Marrëveshjes ndërshtetërore të Sigurisë Shoqërore me Kosovën.
Kjo rezolutë është aprovuar njëzëri nga anëtarët e Komisionit për migracion të sindikatës UNIA të mbajtur më 21 shkurt 2015.

























