Zoti Ministër, jepni fund diskriminimi të shtetasve të Kosovës
Për ditën e punëtorëve, 1 Majin, në Thun (Bern), në sheshin përpara Parlamentit të Qytetit ishin tubuar disa qindra njerëz të gjeneratave të ndryshme. Programi i festës ishte i pasur me fjalime, humor, këngë e valle, ushqim dhe pije. Mysafiri më i lartë në këtë festë tradicionale është Ministri Alain Berset.
Në këtë manifestim tradicional marrin pjesë edhe fëmijët e grupit të valltëarëve të shoqatës „Atëdheu“ nga qytetit i Thunit, të cilët paraqiten me dy-tri valle tradicionale shqiptare. Ndoshta edhe kjo e ka shty Ministrin Berset, që në fillim t’i thotë edhe disa fjalë përshëndetëse në gjuhën shqipe, ku thotë: „Të dashura kolege, të dashur kolegë. Kam knaqësinë e madhe, që jam sot me ju në Thun dhe të ju drejtohem me disa fjalë për një majin. Faleminderit shumë për golat e shënuar, respektivisht për mbrojtjen e golave kundër ekipit tanë”. Ministri Berset vazhdon pastaj në gjuhën gjermane, dhe përmend kontributin, të cilin e japin migrtet dhe migrantët në ndërimin e Zvicrës.
Valle shqipe dhe një fjalim i prekshëm me një apel
Pas fjalimit të Ministrit Berset, grupi i fëmijëve vallëzon dy valle burimore shqiptare dhe pastaj në foltore del Blerta Neziri, nxënëse nga Thuni dhe lexon një apel drejtuar Ministrit Berset, të nënshkruar nga të gjithë fëmijët, të cilët kanë vallëzuar aty. Në vazhdim po e japim përmbajtjen e plotë të fjalimit:
“I nderuar Ministër, i dashur Alain. Na vjen mirë që jeni këtu me ne. Shpresojmë se ju ka pëlqyer vallja. Ne jemi të lindur në Zvicër dhe këtu e ndjekim shkollimin. Ne po ashtu jemi të lumtur që jetojmë në Zvicër. Gjyshërit tanë kanë punuar për këtë Zvicër. Prindërit tanë punojnë sot dhe në të ardhmen do të punojmë edhe ne. Vetëm së bashku mund ta çojmë Zvicrën përpara. Ne e kemi këtu një letër për ju me një lutje:
Edhe përkundër faktit se gjyshërit dhe prindërit tanë kanë punuar këtu dhe kanë paguar kontributet për AHV dhe IV (pensione të moshës dhe të trashëgimisë si dhe pensione të invaliditetit), ata, në pleqëri dhe në kushte invaliditeti po përballen me shumë vështirësi. Ja përse është kështu. Para katër vitesh Qeveria Federale pati vendosur të mos e vazhdojë marrëveshjen për sigurimet sociale me shtetin e ri, Kosovën. Kjo sjell me vete shumë pasoja të rënda për personat e goditur. Ne në letër kemi përmendur disa shembuj. Këtu po e përmendi vetëm një shembull: Një baba vdes në një aksident pune. E veja dhe fëmijët ende të mitur kane leje qëndrimi. Pasi që pensioni është tepër i vogël, atyre nuk u vazhdohet qëndrimi dhe detyrohen të lëshojnë Zvicrën. Dhe tash kur ata janë jashtë Zvicrës, nuk u jepet pensioni për faktin se jetojnë në Kosovë. Kjo është çnjerëzore dhe jo korrekte.
Ju lusim që ta lexoni letrën personalisht dhe pastaj të veproni. Jepjani një fund këtij diskriminimi. Ju falenderojmë!“
Ministri e pranon letrën
Menjëherë pas leximit të këtij apeli, Blerta niset në drejtim të Ministrit Berset, i cili qohet nga vendi i tij dhe bën ca hapa në drejtim të Blertës. Publiku i mbledhur në festë e përcjellë këtë skenë me duartrokitje. Blerta ia dorëzon Ministrit Berste një zarf dhe ata ndrrojnë disa fjalë. Sipas Blerta Nezirit, Ministri Berset i ka thënë asaj se e njeh mirë gjendjen në Kosovë dhe do të mundohet të ndryshoj gjendjen e tashme. Pas ndërrimit të këtyre fjalëve ata ndahen nga njëri tjetri. Blerta në drejtim të grupit të fëmijëve, Ministri Berset ulet prapë afër mysafirëve tjerë dhe këshillëtarit të tij. Letra e Blertës me nënshkrimet e fëmijëve duket se atyre u bën përshtypje të madhe.
Hilmi Gashi



















