20 – vjet krijimtarie të suksesshme të Shefqet Dibranit në kushtet e mërgatës

Poezia e Shefqet Dibranit ka luajtur një rol kyç në progresin kombëtar të dy–tre dekadave të fundit, ndaj edhe ndarja e Dibranit nga vepra e tij, mbi të gjitha, do na pengonte privilegjin që gëzojmë si lexues, për të celebruar në maksimum të vërtetën objektive se vepra e tij në jetë dhe letër është pjesë integrale e krejt civilizimit njerëzor, theksohen në parathënie, Gjekë Marinaj, poet, përkthyes dhe kritik letrar.-

Rexhep Rifati

Në mërgatën shqiptare në Zvicër, tashmë i janë vënë bazat një letërsie relativisht të zhvilluar letrare, që po krijohet në kushtet e kurbetit. Disa nga autorët në shtetin helvetik kanë arritur, tashmë jenë edhe pjesë e gjithmbarshme e letërsisë kombëtare.  I tillë është rasti edhe me shkrimtarin, poetin dhe kritikun,  Shefqet Dibrani, i cili tashmë ka shkelur në 20 -vjetorin e krijimtarisë letrare në mërgatë.

Në një promovim të librit të tij të fundit, „ANATOMIA E BRYMËS“, mbajtur më 15 mars 2014 në bibliotekën “Pestalozi” në Cyrih, ishin tubuar jo vetëm krijues nga anë të ndryshme të Zvicrës, por edhe veprimtarë të degës së LDK-së, në të cilën kontributi i Shefqetit, është shumë evident jo vetëm me aktivitet por edhe me publikime. Në mesin e të pranishmëve ishin edhe Mustafë Xhemaili, zëvendës ambasador i Kosovës në Bernë, njëherësh edhe si shkrimtar dhe Shukrije Ramadani drejtuese e Qendrës Kulturore të Republikës së Kosovës në Cyrih.

Në sfondin dhe opusin e begatshëm letrar të Shefqet Dibranit radhiten me dhjetëra tituj e qindra publikime shtypi, çka e bëjnë këtë autor ndër më të frytshmit në letrat shqipe në mërgatën shqiptare në Zvicër dhe një shkrimtar të veçantë për kah trajtimi që i bën ai fenomeneve shoqërore e letrare.

Një arritje tjetër o organizimit të jetës artistike në Zvicër, ishte edhe fakti se edhe ky promovim organizohej nga Shoqata e Krijuesve Shqiptarë në Zvicër, kryetari i së cilës profesor, Besnik Camaj e mbajti edhe fjalën e hyrjes për jetën dhe veprën e Dibranit, duke potencuar se:  Do të ndalem më shumë në portretin e autorit, në personalitetin e tij të veçantë dhe lidhjen e tij me letërsinë. Kjo e veçanta qëndron në aftësinë e këtij autori që të komunikojë me krijuesit tjerë duke i kërkuar ata kudo që janë. Dhe kjo vërtetë është një vlerë madhështore. E shohim këtë edhe në letërkëmbimet e tij të shumta me autorë dhe personalitete të shquara shqiptare nga trojet etnike dhe mërgata e madhe shqiptare…Po ashtu, Shefqeti është ndër autorët e rrallë që nuk e ka fshehur fare përkatësinë e tij politike, madje ai si askush tjetër ka qenë i angazhuar dhe është mburrur me të. Angazhimi publik në politikë, sikur i ka ndihmuar për të qenë afrues dhe universal edhe në letërsi,- konstatoi Besnik Camaj.

Referuesi tjetër, studiuesi Rami Miftari, i bëri një vështrim gjuhës së krijimtarisë letrare të autorit, duke nënvizuar se: gjuha e poetit Dibrani është pjesë e veçantë dhe shëmbëlltyrë e pastërtisë për kah fjalori i përdorur dhe se vlera e tij si shkrimtar e poet rritet akoma më shumë kur të kemi parasysh se jeton dhe vepron në mërgim pra nën ndikimin fonetik, sintaksor, shoqëror dhe ekonomik të gjuhëve të huaja.

Në këtë aktivitet letrar të cilin e udhëhoqi, drejtoresha e bibliotekës, ku mbahej evenimenti, Suela Jorgaqi, autori, Shefet Dibrani, pasi përshëndeti të pranishëm, duke veçuar praninë e Paul Tedeschini dhe zonjën e tij Ana Tedeschini, si dhe krijues e personalitete të shqiptarëve në Zvicër, foli për rrugëtimin e krijimtarisë së tij. Shprehi kënaqësinë në këtë rrugëtim ka takuar shumë personalitete letrare e publike, duke e veçuar Presidentin Rugova, që ka pas tek ai jo vetëm ndikim politik. Dibrani rikujtoi edhe korrespodencat e shumta me figura letrare e publike, disa nga to i ka përjetësuar edhe në veprat e tij, duke veçuar korrespondencat me poetin nga Kukësi, tashmë në amshim, Agim Spahiu. Në shenjë të miqësisë së dy poetëve, vëllai i Agimit, mbështeti edhe botimin e librit të fundit Sh. Dibranit, “Anatomia e brymës”, që në një mënyrë paraqet një kurorëzim të veprimtarisë njëzetvjeçare të tij. Në promovim, vargje po nga ky libër deklamuan aktorët Adem Kicaj dhe Qamil Çekaj.

Me këtë rast veçuam një nga vlerësimet e Dr. Gjekë Marinajt, poet, përkthyes dhe kritik letrar shqiptaro-amerikan, i cili në parathënien e librit, pos tjerash shkruan se:  Poezia e Shefqet Dibranit ka luajtur një rol kyç në progresin kombëtar të dy–tre dekadave të fundit, ndaj edhe ndarja e Dibranit nga vepra e tij, mbi të gjitha, do na pengonte privilegjin që gëzojmë si lexues, për të celebruar në maksimum të vërtetën objektive se vepra e tij në jetë dhe letër është pjesë integrale e krejt civilizimit njerëzor.