95 vjetori i Azem Bejtës, Vetëvendosje! viziton shpellën e tij në Klinë

Me rastin e 95 vjetorit të rënies së Azem Bejtës, të mërkuren një delegacion i Lëvizjes VETËVENDOSJE! vizituan shpellën ku atëbotë ia fshehën trupin bashkëluftëtarët dhe ku për gjysmë shekulli preheshin eshtrat e tij.

Në fshatin Përçevë të Klinës, Albin Kurti  bashkë me aktivistët e Qendrës së Lëvizjes atje i bënë vizitë shpellës së trimit të madh Azem Bejtës.

Më pas vazhduan për në Galicë të Vushtrrisë ku ndodhet varri i prijësit të çetave guerile shqiptare i cili për 12 vjet rresht luftoi e rezistoi kundër forcave serbe të Nikola Pashiqit.

Aty bënë homazhe e vendosën lule të freskëta bashkë me aktivistë të Qendrave Vushtrri e Skënderaj.

Azem Bejtë Galica ishte luftëtar i madh i Komitetit Kombëtar për Mbrojtjen e Kosovës.

Drenica, Kosova dhe i gjithë populli shqiptar e kujtojnë me krenari gjersa në historinë tonë ai ndrit me kryengritjen e tij.