4 Tetori – dita kur bëhen 35 vite nga demonstratat e shqiptarëve në Gostivar në mbrojtje të arsimit shqip

Më 4 tetor u mbushën 35 vite nga demonstratat e nxënësve të shkollave të mesme të Gostivarit, në kërkim të mësimit në gjuhën amtare dhe kundër paraleleve të përziera, përcjell Flaka

“Rezistenca e nxënësve në Gostivar, mbetet ABC-ja e mësimit të gjuhës shqipe!
Ballëlartësia e dy vajzave dhe 6 shokëve nxënës në Gostvar, morën mbi 52 vjet burg, nga demonstrata e zhvilluar për mësim në gjuhën shqipe.

Si “Motrat Qiriazi” Valdeta Fejzullahi-Aliji (e ndjerë) dhe Nafie Zendeli-Ziberi, ishin 16 vjeçare të kohës, të cilat bashkë me shokët e klasave, lanë gjurmët e pashlyera, u bënë ëmblema të arsimit të gjuhës shqipe!

Lavdi Valdeta Fejzullai-Alijie respekt për Hajredin Kaza, Nazif Sinani, Dashmir Aliji, Imberli Bekteshi, Zulqifli Dalipi e Nafie Zendeli-Ziberi, si dhe gjithë pjesëmarësit e tjerë, të cilët në format më brutale u malltretuan dhe larguan nga procesi arsimor”, përkujton ngjarjet veprimtari Luan Veliu.

Atë botë, masa shtrënguese u morën ndaj shqiptarëve të Maqedonisë të cilët u privuan edhe nga e drejta e përdorimit të gjuhës shqipe në administratën publike e shtetërore dhe në shkollat fillore e të mesme. 

Nga viti shkollor 1987/1988 nxënësit shqiptar të shkollave të mesme i detyruan të vijonin mësimet në gjuhën maqedonase. 

Mësuesit e profesorët shqiptarë i detyruan që t’u flisnin në gjuhën maqedone nxënësve të tyre. Ata që kundërshtuan, u përjashtuan nga puna dhe u burgosën, siç ishte rasti me profesorët, nxënësit dhe prindërit e Gostivarit dhe Kumanovës pas demonstratave të qeta të gushtit 1988 të cilat organet maqedonase i quajtën kundërrevolucionare dhe burgosën shumë shqiptarë që morën pjesë në to.

Ashtu si në vendbanimet tjera shqiptare të Maqedonisë, edhe në Gostivar, qytet me 80 mijë banorë (mbi 60 mijë shqiptarë) ndaj popullatës shqiptare u zbatua politikë diskriminuese, sidomos ndaj shkollimit të mesëm në paralelet me mësim në gjuhën shqipe. 

Gostivari u zgjodh një nga qytetet që shërbente si model për aplikimin e “reformave” të filluara enkas për arsimin e mesëm në gjuhën shqipe, që si iniciativë filloi në vitin 1985.

Gjithmonë duke u thirrur në Ligjin për arsim të mesëm të orientuar dhe në reforma, që në praktikë filloi të shndërrohej në fushatë për diferencimin e profesorëve shqiptarë, dhe për mbylljen e paraleleve në gjuhën shqipe.

Diferencimi ideo – politik përfshiu nga rradhët e procesit edukativo – arsimor edukatorët Ramadan Ramadani – zëvendës drejtor, Fadbi Osmani, Xhumaledin Fejzullahu, Hazbi Sulejmani, Shaip Billalli, Hasan Hasanin, Ahmed Mora, Nebi Tahirin e të tjerë. Më vonë dekada e kobshme përfshiu edhe profesor Samet Useinin, edukator dhe historian.

Kjo periudhë sikur e ndërpreu qetësinë e rrejshme që u krijua pas diferencimeve të vitit 1981. Nga presionet, burgosjet dhe keqtrajtimet e nxënësve, profesorëve dhe prindërve, u krijua një situatë kur nga këta presione të ndërmarra nga ana e policisë dhe aktivistëve komunist, shumë profesorë të përjashtuar nga puna u detyruan të largohen edhe nga Maqedonia. Ishte situatë kur Kumanova përkujtonte momentet e viteve 1958-1963, kur qyteti u bë stacioni tranzit për shumë shqiptarë të Kosovës dhe të Maqedonisë, prej nga morën udhën e pakthim për në Turqi.

Në Gostivar por edhe në Kumanovë, në vitin 1987/1988 ndaheshin vendime sipas procedurës së shpejtë për biseda informative në zyret e sigurimit shtetëror, ndaheshin vendime gjyqësore për burgosje, me procedurë të shpejtë pa i respektuar normat elementare ligjore. 

Edhe nga zyrat e Komitetit Komunal të Komunistëve, ndaheshin vendime për diferencime ideopolitike nga pozitat e nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar, si kusht primarë për të filluar procedurat tjera për maltretimin e shqiptarëve . Ky presion nuk i dukej i mjaftueshëm, ata filluan të promovojnë projektin e Millosheviqit për të krijuar pa siguri dhe pa perspektivë kudo ku jetojnë shqiptarët.

Në këtë periudhë në territorin e Maqedonisë u morën edhe masa të tjera represioni. Siç ishte rrënimi i mureve të shqiptarëve, jo vetëm në qytete, por edhe në fshatra.

Kështu gjatë viteve 1989-1990 me qindra e mijëra mure dhe shtëpi të shqiptarëve u rrënuan nga ekskavatorët dhe policia maqedonase.

Përmasat shqetësuese mori kur ky aksion sidomos në rrethinën e Kumanovës dhe Shkupit ku pati edhe viktima në njerëz. Gjatë kësaj fushate pati edhe rrënime xhamish në vendbanimet shqiptare.//Prointegra.ch// Flaka//.