Hazir MEHMETI: Bedri Mehmetit, Komandant Kompanie në UÇK
Kur linde Ti, unë sapo kisha mësuar hapat shkallëve të Kulles. Kulla me historinë e saj u pasurua në jetën shekullore. Një lindje e re, një shpresë e re. Nuk ishte e lehtë ecja sfidave në tokën e robëruar. Ti, vëllai im, Bedri, zgjodhe leximin, dijen zgjodhe forcën mbi forca. Nxënës i shkëlqyeshëm, qëndrim të shkëlqyeshëm në fshat, shkollë, Universitet, Luftë dhe në Liri.
Edhe sot i ruaj me xhelozi fotot nga demonstratat studentore, ku Ti ishe ndër të parët. Kujtimet nga marshimet rrugës së mbështetjes së minatorëve trima, protestave e qëndresës së kohës e cila po vinte.
Jetë qëndrese!
Thirrjen për liri e more nga ndërgjegjja, nga vepra e Komandantit Legjendar Adem Jashari, nga shpirti YT i gatuar për të dhënë jetën. Radhët e Ushtrisë Çlirimtare u pasuruan me emrin e ri i cili nuk do harrohet kurrë në kujtesën e kombit.
Qëndrimi prej luftëtarit të vendosur dhe trim u shënua aksioneve luftarake. Ti nuk deshe të flasësh as të mburresh me fjalë, por foli e flet sot vepra e juaj, vepra Komandant Brigade. Ti ishe kudo në aksionet kundër forcave armike. Nuk do harrohen betejat në Grykën e Dushkajës, Bukosh, Kerrshi i Besnikut, Çiçavicë e rajone tjera. Ti ishe i pari, pastaj vinte ushtari. Kështu e ka Komandanti trim e i vendosur, kështu e ka drejtimi i luftës për liri.
Ti nuk e deshe lavdin, as karrigen, as pozitën, as privilegjin. Ti jetove me hallet e Kosovës dje e sot. Sot kur Ti mbushe 65 vjet të gjithë jemi krenar me Ty!
Urime Komandant!
Biografi: Bedri Mehmeti i lindur me 25.02.1958 në fshatin Beçiq (Besnik). Shkollën fillore e mbaroi në fshatin Dubovc, gjimnazin në Vushtrri kurse studimet në Universitetin e Prishtinës – Fakulteti Ekonomik. Bedriu ishte nxënës i shkëlqyeshëm, i sjellshëm dhe aktiv. Ai lexoi shumë duke marrë kulturë e njohuri të gjëra mbi gjendjen e rëndë historike të kombit duke ndjerë të domosdoshme porosinë gjeneratave të luftës për liri për të cilën u betua se do punonte deri në frymën e fundit. Qysh i ri u lidh me grupet ilegale në organizimin e aktiviteteve kundër pushtuesve. Në demonstratat e pranverës së vitit 1981 dhe më vonë ishte pjesëmarrës aktiv i tyre.
Pas mbarimit të studimeve në Fakultetin Ekonomi punoi mësimdhënës në Shkollën e Mesme Ekonomike “Ramiz Sadiku” në Skenderaj për gjashtë vjet rresht, nga viti 1986 deri në vitin 1992. Vitet 1989 e 1990 ishin vite të theksuara të qëndresës popullore kur në demonstrata për ta kundërshtuar heqjen e autonomisë, u vranë shumë demonstrues, shumë u plagosen, u arrestuan dhe u torturuan mizorisht. Ishte viti 1990 kur nga policia e ushtria sekrete serbe u helmuan 7723 nxënës shqiptar. Minatorët shqiptarë të xeherores “Trepça”, organizuan grevën e tyre të mbyllur në minierë duke kërkuar dorëheqjen e drejtuesve antikombëtar dhe të drejta të barabarta për shqiptarët ashtu siç i kanë kombet tjera. Në shenjë përkrahje u organizuan marshet masive në ecje nga të gjitha qytet e Kosovës. Nga Skenderaj ishte klasa e Prof. Bedri Mehmetit e cila marshoi deri në kryeqytet pa u ndarë asnjë çast nga nxënësit e tij. Ai, atyre u thoshte me vendosmëri: “Në asnjë rast nuk do ndahem nga ju dhe gjithë atyre që janë të gatshëm të japin kontributin e tyre për lirinë e vendit”. Ky qëndrim ishte motivim të shoqëruar në praktikë që bëri klasën e tij të dallohet si klasë shumë aktive në organizimin e protestave. Vet fakti se nga shtatë nxënës të arrestua në Skenderaj, gjashtë prej tyre ishin nga klasa e tij, flet qartë për veprimtarinë patriotike pa u trembur nga pushtuesi serb. Nga klasa e Bedriut i arrestuar ishte edhe Murat Jashari, djali i vëllait të Komandantit Legjendar Adem Jashari. Pa u nda as një moment me nxënësit e tij ishte kujdestari i klasës Bedri Mehmeti. Marshimin përkrahës me kërkesat e minatorëve ishte një formë parapërgatitor i marshimit luftarak në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës sërish nxënës e profesor, ushtarë e komandant.
Vetëm vitet e para si mësimdhënës ishin me pagesë, deri në gjysmën e vitit 1990, kurse nga ky vit pa pagesë pasi okupatori serb ndërpreu financimin dhe i dëboi nga lokalet shkollore shqiptarët të cilët me vendosmëri kundërshtuan plan-programet serbe. Dy vitet e fundit derisa punoi Bedriu, 1990/91 dhe 1991/92 u ndihmua nga Qeveria e Përkohshme e Kosovës prej fondit i 3% me 20 DM në disa muaj, ndërsa vetëm harxhimet e udhëtimit me makinë kushtonin më shumë se sa 100 DM. Ishte kjo periudha më e vështirë e arsimit në Kosovë, veçanërisht në shkollat e mesme ku represioni i armikut ishte i rëndë: përjashtime nga puna, arrestime, rrahje, plagosje, vrasje gjithandej vendit. Protestat e nxënësve dhe mësimdhënësve shqiptarë ishin të përditshme, mes tyre aktive në Skenderaj dallohej klasa të cilën e drejtonte Prof. Bedri Mehmeti. Presioni i madh i drejtorisë dhe organeve zyrtare të pushtetit e morën disa herë në biseda, por Bedriu qëndroj i pa lëkundur në mbrojtjen e nxënësve të tij dhe kauzës për të cilën ata luftonin.
Pas daljes në skenë të UÇK-së me 28 nëntor 1989 në Llaushë të Drenicës, Bedri Mehmeti iu bashkua radhëve të saj. Fillimisht me vendimin unanim të fshatit u zgjedh Komandant Pike, siç quheshin në fillimet e organizimit të UÇK-së. Pas Ofensivës së Shtatorit nga ana e forcave armike serbe, u bë riorganizimi i UÇK-së në nivel Brigadash, me propozim të Shtabit të Përgjithshëm të Zonës Operative të Drenicës, me vendim unanim Bedri Mehmeti, emërohet Komandant i Kompanie III-të, Batalioni i II- të, Brigada 114 “Fehmi Lladrovci”, detyrë të cilën e kryen deri në përfundim të luftës me përgjegjësi të plotë, sakrificë e krenari. Në shërbim të detyrave komanduese, Komandant Kompanie, Bedri Mehmeti, mori pjesë në të gjitha konsultimet organizative e operative që organizoi Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së në zonën e Drenicës ku kryesisht operonte, por edhe në bashkë koordinim me zonat tjera sipas nevojave dhe detyrave luftarake, posaçërisht me Zonën Operative të Shalës.
Komandant Kompanie Bedri Mehmeti pas mbarimit të luftës punon në profesionin e tij prej ekonomisti të diplomuar në komunën e Vushtrrisë. Nga data 01.04.2001 punësohet në Administratën Tatimore të Kosovës, Njësia e Tatimpaguesve Të Mëdhenj, kurse tri vite para pensionimit, me kërkesën e tij, punon në Drejtorinë e Zyrës për Gjoba dhe Ndëshkime Administrative. Bedri Mehmeti është i martuar dhe ka tre fëmijë. Aktualisht jeton në Prishtinë.
















