Sonte isha dëshmitar i një ngjarje simpatike në organizim të Shoqatës së Arbneshëve të Zarës, ku u bë edhe promovimi i disa librave në kroatisht e shqip, e që ndërlidhen me të kaluarën e të sotmen e këtij komuniteti, që për rreth tre shekuj po mundet ti bëjë ballë rrebeshit të asimilimit, në rrugëtimin e vështirë për ruajtjen e identitetit kombëtar.
Teksti e fotot: Rexhep Rifati, Arbanas Zarë
Takimin e udhëhoqi kryetarja e kësaj shoqate profesoresha Maximiljana Barančić, njëherish edhe mësimdhënëse e shqipes në shkollën e këtushme, e cila edhe përshëndeti praninë e mysafirëve nga Prishtina: nga radhët e Ministrisë së diasporës dhe investimeve strategjike e Kosovës dhe përfaqësuesit e Seminarit të Gjuhës Shqipe, që prej vitesh mbahet në Prishtinë.Po në këtë mbrëmje u prezantuan botimet më të reja : “Libri” nga Daria Tikulina, të cilin e prezantoi shkrimtari Tomisllav Marjan Bilosiq, autor i disa librave dhe njohës i mirë i shqipes, i cili edhe lexoi sa fragmente në gjuhën kroate e shqipe. Gjithashtu u promovua edhe libri “ Arbanaski Libriq”, botim i shoqatës së arbneshëve të Zarës, të cilin e prezantoi Maximiljana Barančić.Mbrëmja kaloi në një atmosferë të ngrohtë vëllazërore, të përcjell edhe me një apero. Ndërsa ditën e nesërme mbahet manifestimi qendror kushtuar zonjës së bekuar Loretsk, të cilës edhe i dedikohet ky manifestim tradicional vjetor, prej dekadash me emërtimin “ Ditët e Zonjës Loretsk”Po gjatë ditës së sotme takova edhe arbnesh të tjerë moshash të ndryshme si dhe regjistrova rrugët e lagjes, kryesisht me emrat e njohur të shkrimtarëve arbnesh që lanë gjurmë në letërsinë dhe historinë tonë kombëtare.


































