Minatorët e Trepçës, midis arit e mjerimit!

Në hyrje të zgafelles takon ish- minatorë të dërmuar në thellësitë e tokës, derisa mbitoka, ata që drejtojnë shtetin, sikur pesë pare nuk i japin për ta! -. Mjafton të hysh në pavijonin ku teren rrobat e minatorëve, të ndyta e të palara, të lidhura me dry e zinxhir, e një numër minatori! A ka përbuzje më të madhe në këtë botë!

Teksti e fotot: Rexhep Rifati (Raport special për prointegra.ch)

Dëshira ime e kamotshme ishte që të gjendem në mesin e minatorëve të Trepçës, atyre heronjve të nëntokës që mbajtën gjallë popullsinë e mbitokës! Por kur u takova me disa minatorë, më 3 Mars 2017, mbeta më se i zhgënjyer, duke ditur se sa kanë sakrifikuar e luftuar ata për Kosovën dhe mëvetësinë e saj, shtet të pavarur dhe çka kanë fituar nga e tërë ajo sakrificë, deri në vetëflijim?!

Nga takimi me minatorët mësuam se secili ka një histori në veti: të dhembshme e tragjike.

Regjistrova shkurt vetëm dy nga historitë e minatorëve: Minatori, Ramadan Xheloshi, ndonëse ka vetëm 57 vjet është plotësisht i kërrusur e invalid, si pasojë e punës së rëndë në minierë, pjesëmarrjes në dy grevat historike dhe 7 muaj e sa burg për shkak të pjesëmarrjes në këto greva që tronditën themelet e Jugosllavisë. Tash: pa mbrojtje sociale e shëndetësore, si shumica e minatorëve, me tri stenda në zemër, për të cilat pagoi vet 9 e 700 euro, duke pasur vetëm 300 euro ndihmë nga sindikata e minierës, aq sa e pat takatin!

Histori në vete është dhe Drejtori i Minierës, Qazim Jashari i mishëruar me jetën dhe hallet e minatorëve, xehetar e luftëtar brenda një njeriu, por që nuk e humb shpresën se përkundër gjendjes së tashme të rëndë, se nesër mund të vij një ditë më e mirë, për nipat e mbesat tona. Më shumë e do punën se fjalët e premtimet. Ndaj edhe punon e vepron, duke u lëshuar edhe vet në horizontet e thella të nëntokës, atje ku buka ka nëntë kore, por edhe toka është mbështjellë me ar e argjend, ndërsa në mbi tokë, për rreth minatorëve sheh një mjerim të skajshëm. Megjithatë, thotë se tash gjatë shitjes së xehes ndajnë dhe regjistrojnë veçmas arin e argjendin, që të rritet llogaria në dobi të minierës e Kosovës.   

Ndërsa në hyrje të zgafelles takon edhe ish- minatorë që dërmuan jetën në thellësi të tokës, me mihje e me greva, por që tash mbitoka, ata që drejtojnë institucionet e shtetin, për të cilin dhanë aq shumë, sikur pesë pare nuk i japin për ta! A ka përbuzje më të madhe në këtë botë! Mos të zaftë mallkimi i minatorëve! 

Mjafton të hysh në pavijonin ku teren rrobat e minatorëve, që kur dalin nga zgafellet janë plotësisht të lagëta, e të nesërmen duhet veshur përsëri ashtu të ndyta e të palara! Edhe ashtu siç janë të varura lartë, kanë nga një dry e zinxhir, e një numër se cilit minator i përkasin.

E në anën tjetër kur e shikon një muze unik, atë të kristaleve, të pajisur me llojet e mineraleve, e sheh se që pasuri fshihet nën tokën e Trepçës, dhjetëra lloje xehesh, ndër të edhe ari e argjend, por sa ia vlen kjo, derisa minatorët që shkrin jetën në minierë jetojnë skamje e mjerim.   

Megjithatë jeta vazhdon. Me fat minator!   

Gjatë vizitës sime në Minierën e Trepçës, aty takova edhe një grup nxënësish e arsimtarësh nga Shkolla Fillore ” Pavarësia” e Prishtinës, bashkë me drejtorin Shefki Rusinovci, të cilët kishin ardhur për ti bërë një vizitë minatorëve dhe Muzeut të këtushëm të kristaleve. Me këtë rast përmes dy-tri fotove të tyre, përgëzoj kolektivin e kësaj shkolle për këtë organizim, ndërsa nxënëseve u uroj shumë sukses me disa foto që shkrepa.