Të dielën në Bülach të Zvicrës, ekspozita “Gjergji në Art”, në kujtim të Heroit Kombëtar

Shoqata “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Zvicër, që udhëhiqet nga Agim Pepaj, tashmë i ka kthyer në traditë organizimet e mirëfillta kulturore për Kryetrimin tonë.- Kësaj radhe , pos me vepra edhe me prani të artistëve nga lëmi i pikturës, skulpturës e muzikës, si nga mërgata edhe nga trojet etnike  

Sa përfundon një përvjetor i lindjes së Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, shoqata, me seli në Bylah të kantonit të Cyrihut, që ka trashëguar emrin e kryetrimit tonë, po fillon me përgatitjet për vitin pasues për befasime të radhës siç do të jetë edhe ky i së dielës me një ekspozit me emrin simbolik “Gjergji në Art”, që do të sjellë  në Grampenweg 5, 8180 Bülach, jo vetëm vepra nga kjo fushë por edhe autorët e tyre. I tërë ky aktivitet do të mbahet në kujtim dhe nderim të 620-vjetorit të lindjes së Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

Spas organizatorit, kryetarit të  Shoqatës “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Zvicër. Agim Pepaj, një veprimtari të palodhshëm në lëmin e kulturës, ky manifestim paraqet një ngjarje të vërtetë kulturore që bashkon historinë përmes artit dhe identitetit tonë shqiptar, e që do të jetë një përjetim të rrallë kulturor.

Ekspozita do të mbahet të dielën, më 18 maj 2025, në Grampenweg 5, 8180 Bülach, me pritjen e mysafirëve nga ora 11:00, ndërsa programi artistik nis në ora 13:00. Ndërsa sa i përket hyrjes ajo është e lirë, por nuk përjashtohet mundësia e dhënies së kontributeve financiare sipas dëshirës së pjesëmarrësve, pasi shoqata nuk ka ndonjë burim të veçantë financiar. Me këtë rast, Shoqata “Gjergj Kastrioti” fton të gjithë artdashësit, shqiptarët në Zvicër dhe miqtë e kulturës të marrin pjesë në këtë ngjarje të rrallë për të ndarë bashkë një moment reflektimi, krenarie dhe frymëzimi artistik kombëtar.

Krahas punimeve në piktorë nga ana ime do të ketë edhe një foto-kolazh me muralet, bustet dhe shtatoret e Gjergj Kastriotit Skënderbeut në ngulimet arbëreshe, ku Heroi ynë Kombëtar, që sipas një kënge “Skänderbegu vjen nga qielli” dhe emërtohet “Prind i Arbërit”.