Skulptori Myrtaj, me falënderimin e qytetit të Singenit, sërish në Kosovë

Një nga ambientet e Bashkisë së qytetit të Singenit, autoritete publike e artistike, me pjesëmarrje të mërgimtarëve jo vetëm nga Gjermania, organizuan përcjelljen e skulptorit Mal Myrtaj, me prejardhje nga Peja të diplomuar në Akademinë e Arteve Figurative në Prishtinë, te profesor Agim Çavdarbasha

Teksti dhe fotot: Rexhep Rifati

Diçka e pazakonshme për një artist që edhe në kushtet e jetës së rëndë në kurbet, siç është rasti i skulptorin tonë të  mirënjohur Malë Myrtaj, që për 30 vjet në kurbet, të ketë mall gruan e fëmijët në vendlindje, vetëm e vetëm që ata atje të rriteshin, edukohen e shkollohen, vetëm e vetëm që të mos i nënshtrohen rrjedhës së zakonshme të asimilimit dhe tash në moshë të shtyrë ti kthehet në Kosovë, kur shumëkush nga atje donë të migrojë në Perëndim.

Natyrisht, Mala zgjodhi këtë rrugë, të kundërte, duke lënë prapa Gjermaninë, bashkë me pjesën më të mirë të rinisë, por edhe të një sërë veprash arti, ndër to edhe një bust të mrekullueshëm të Nënës Terezë në njërin nga parqet më të frekuentuara të Singenit.

Fjalë që të bënin krenar, por edhe mallëngjenin

Ajo që u pa e dëgjua në këtë mbrëmje, nuk kish si mos të bënte krenar me dhjetëra mërgimtarë që kishin vërshuar jo vetëm nga anë të ndryshme të Gjermanisë, por edhe Zvicrës e Astrisë. Të dëgjosh nga autoritete komunale e të komunitetit artistik, por edhe të vet kolektivit ku kishte punuar Mala, fjalë aq miradije, ishte më se mbresëlënëse për gjithë të pranishmit, në mesin e tyre edhe emra të njohur shqiptarësh nga fusha të ndryshme arti e sporti që lanë vulë të veçantë në këtë shtet mik, që për vite e dekada u bëri strehim edhe atëherë kur Kosova rënkonte nën okupimin klasik serb, por që edhe shqiptarët ia kthyen “hakun” duke punuar pareshtur jo vetëm për ngritjen e mirëqenies së tyre familjare, por edhe të vet shtetit gjerman.

Dafina: “Baba mirë se na kthehesh në gjirin familjar!”

Aq sa ishin inkurajuese fjalët e palës gjermane edhe më tepër solli emocione e bija e Malës, Dafina  e cila pasi përshëndeti të pranishmit anglisht e shqip, përkujtoi allin që patën fëmijët, por edhe baba i tyre për kaq vite kurbeti, ndaj edhe fjalët e saj: “Babë i dashur mirë se na vjen në gjirin familjar, pasi u rritëm me mallin që patëm për ty!”, nuk kaloj jo vetëm pa mbresa por edhe pa lot nga familjarët, babai Mala e nëna Drita, por edhe miq e dashamirë të Malës.

Edhe vargjet e poetit Mentor Thaqi rrihnin po në këtë tel! Ndërsa që edhe kësaj radhe si edhe në ekspozimet tjera të skulptorit tonë nuk mungonin as boksieri ynë i përmasave botërore Luan Krasniqi, si dhe nxënësi i Malës , skulptori i mirënjohur shqiptar në Zvicër Bashkim Beqiri, që po ashtu si edhe mësuesi i tij ngriti dy shtatore të Nënës Terezë një në Zvicër e tjetrën në Panama.

Skulptori Myrtaj, për tri dekada hapi disa ekspozita 

Skulptori akademik, Mal Myrtaj, me prejardhje nga Peja, që tash e 30 vite jetoi dhe krijoi në Singen të Gjermanisë, me punimet e tij në bronz, punuar me një shije të stërholluar artistike, ka tërhequr jo vetëm vëmendjen e kritikes, por edhe disa shpërblime e mirënjohje nga autoritetet vendore, duke ngritë kështu emrin e një pjese të artit shqiptar edhe këtu në mërgatë.

Mala edhe pse punoi pareshtur në një firmë ku punoheshin gurë varrezash, sakrifikonte edhe atë pjesë të kohës së lirë për tu marr me krijimtari artistike.

Ai i ofron mundësinë të shijohet e bukura në trajtë të skulpturës, duke i dhuruar kështu ndjenjën e kënaqësisë të gjithë artdashësve. Skulpturat e ekspozuara, kryesisht prej materiali të bronztë, me te cilin artisti i realizon shumicën e veprave të tij, përveç formës skulpturale tejet të qëlluar, kanë njëherësh edhe shprehje tejet elegante.

Pak biografi për skulptorin Myrtaj

Thënë konkretisht: Skulptori, MAL MYRTAJ u lindur në vitin 1953 në Pejë dhe i diplomuar në Degën e Skulpturës së Akademinë e Arteve Figurative në Prishtinë në vitin 1978 te profesor Agim Çavdarbasha, Mala veprimtarinë e ndërprerë artistike në Kosovë vetëm sa e perfeksionoi në mërgim, por në mungesë të madhe kohe, nuk arriti ti përmbushë të gjitha idetë e tij, ndaj edhe mbetet të shpresojmë se po në vendin e lindjes nuk do ti mungojë as vullneti, shëndeti e frymëzimi për realizimin e veprave të reja artistike.