Shoqata “Atdheu” nga Mönchaltorfi, shquhet me aktivitet kulturo-integrues

Shoqata “Atdheu” nga Mönchaltorfi, shquhet me aktivitet kulturo-integrues
Autoritetet komunale të Mönchaltorf të Cyrihut, që morën pjesë në tubimin e kësaj shoqate që udhëhiqet nga Bajram Kllokoqi, vlerësuan lartë punën e komunitetit shqiptar në këtë mjedis.- Po ashtu u shfaq edhe një program i përzgjedhur artistik nga Ansambli “Rinia” e Spreitenbachut.

 

Teksti e fotot: Rexhep Rifati

Në këtë aktivitet kulturo- integrues, që e shpalli të hapur anëtari i kryesisë, Idriz Murtishi e ku një fjalë rasti mbajti kryetari i shoqatës, veprimtari shumëvjeçar, Bajram Kllokoqi, i cili veçmas u ndal tek bashkëpunimi i ndërsjellë midis komunitetit shqiptar dhe autoriteteve lokale e komunale. Të pranishëm në këtë aktivitet pos, Leurata Berishës- sekretare e parë e Konsullatës së Kosovës në Cyrih, ishin edhe përfaqësuesit e komunës së këtushme: Andrrea Lery Hochbau, përgjegjëse për kulturë si dhe këshilltaret Marlis Schlumf e Carmelia Müller, si dhe Ueli Römpp, drejtor i shkollës.
Me këtë rast në një ambient shumë miqësor, u zhvillua një bashkëbisedim për bashkëpunimin e mundshëm në fusha të ndryshme me theks të veçantë që fëmijët e këtushëm të përfitojnë sa më tepër në lëmin e procesit edukativo arsimor. Pala zvicerane u shpreh shumë e kënaqur me aktivitetin dhe integrimin e shqiptarëve në të gjitha rrjedhat zhvillimore të këtij mjedisi e më gjerë.
Ambientin e bëri edhe më joshës e festiv Ansambli “Rinia” nga Spreitenbachi, që drejtohet nga koreografi Sherif Dakaj, me disa valle të përzgjedhura për këtë eveniment të shoqatës “Atdheu”. Në fund të programit edhe miqtë zviceran, disa nga të cilët edhe me plisa të bardhë në kokë iu bashkuan valleve shqipe, meqë rast hapat e parë ua mësoi artisti Sherif Dakaj. Organizatorët për të pranishmit shtruan edhe një darkë me ushqime të shumta nga kuzhina jonë tradicionale.