Shkelzen Gashi  ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj opinionit publik!

Letër drejtuar z Malcolm dhe z. Schmitt:
Shkelzen Gashi  
ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj opinionit publik!

 Xhevat Hasani: 8 prill 2026

Të nderuar z. Malcolm dhe z. Schmitt!

Ju në letrën tuaj të 3 prillit të vitit 2026 keni kërkuar që Gjykata Speciale e Kosovës t`ia ndërpres hetimin z. Shkelzen Gashi, si për shkak të një libri kontestues të tij, ashtu dhe për shkak të një ekspozite kontestuese, që ai me 30 mars të vitit 2026 e ka prezantuar në Prishtinë.

Ju kërkesën për ndërprerjen e hetimit ndaj z. Gashi e keni arsyetuar duke thënë se: ”… në demokracitë evropiane nuk është aspak normale që cilësia e një pune shkencore, bashkë me dobësitë e saj të mundshme apo reale, të bëhet shkak për ndjekje penale nga shteti», si dhe keni thënë se: «Liria e shkencës dhe liria e shprehjes janë parime themelore të domosdoshme të shtetit ligjor dhe të demokracisë».

Në parim pajtohem me kërkesën tuaj dhe me arsyetimet që keni dhënë pse duhet t`i ndërpritet hetimi z. Gashi. Por secila rregull dhe secili parim ka përjashtimet e tij, dhe pikërisht z. Gashi është ai që me deklarimet e tij të papërgjegjshme, paraqet një përjashtim nga rregullat dhe parimet e demokracisë. 

Shkelzen Gashi nuk është shkencëtar por është një publicist dhe gazetar, i cili pikërisht duke e keqpërdorur të drejtën e shprehjes së lirë, ka bërë disa herë deklarata të papërgjegjshme dhe të pabazuara shkencërisht, duke ushtruar kësisoj dhunë psikologjike si ndaj opinionit publik, ashtu edhe ndaj grupeve dhe individëve të caktuar në Kosovë.

Para disa viteve Kryeministri i Kosovës, z. Albin Kurti, z. Shkelzen Gashin e ka liruar nga detyra e këshilltarit tij, për shkak se z. Gashi ka bërë një deklaratë të pabazuar në fakte kundër Ushtrisë Çlirimtare (UÇK-së) të Kosovës. Kjo deklaratë e pabazuar në fakte e z. Gashi, ka shkaktuar indinjatë dhe për rrjedhojë edhe dhunë psikologjike si ndaj ish-ushtarëve të mbijetuar të UÇK-së, ashtu dhe ndaj shumicës dërmuese të shqiptarëve e cila nuk është pajtuar me deklaratën e pabazuar të z. Gashi për UÇK-në.

Shkelzen Gashi edhe me pohimin e tij të pabazuar në ekspozitën e 30 marsit të prezantuar në Prishtinë, sipas të cilit një pjesë e shqiptarëve të burgosur gjatë luftës nga forcat serbe në burgun e Dubravës kanë qenë të armatosur, ka shkaktuar indinjatë dhe për rrjedhojë edhe dhunë psikologjike deri në ritraumatizim ndaj ish-të burgosurve shqiptarë, që e kanë mbijetuar masakrën e forcave serbe të ushtruar ndaj tyre në pranverën e vitit 1999 në burgun e Dubravës.

Shkelzen Gashi në një intervistë televizive ka deklaruar pa asnjë argument e fakt, se personaliteti historik i popullit shqiptar, Isa Boletini, ka qenë një mercenar. Z. Gashi edhe me këtë deklaratë ka shkaktuar indinjatë dhe për rrjedhojë edhe dhunë psikologjike, jo vetëm ndaj pasardhësve të gjallë të Isa Boletinit, por edhe ndaj qindra mijëra shqiptarëve të Kosovës, të cilët me të drejtë nuk janë pajtuar me poshtërimin që Shkelzen Gashi i ka bërë Isa Boletinit. 

Shkelzen Gashi para shumë viteve i ka marr Adem Demaçit një intervistë të gjatë lidhur me jetën e tij mbi 28-të vjeçare në burgjet serbo-jugosllave, dhe lidhur me jetën e tij politike pas daljes nga burgu në vitin 1990.

Adem Demaçi ka kërkuar nga z. Gashi që ai intervistën e tij të mos e botonte si libër, para se ai (Demaçi) t`ia bënte asaj korrigjimet e fundit. Por z. Gashi në kundërshtim me vullnetin e z. Demaçi intervistën e tij e ka botuar si libër, pa ia bërë Demaçi asaj korrigjimet e fundit. Kjo sjellje z. Gashi e ka indinjuar dhe torturuar shumë psikikisht Adem Demaçin.

Po të ishte Shkelzen Gashi shkencëtar ai pohimin e tij sipas të cilit disa të burgosur shqiptarë në burgun e Dubravës paskan qenë të armatuosur, do ta shoqëronte me argumente dhe fakte shkencore. Por, për vetë faktin se z. Gashi këtë pohim të tij nuk e ka argumentuar me fakte relevante, kjo flet se ai nuk është shkenctar. Prandaj mendoj se z. Gashi nuk e ka «imunitetin» e shkencëtarit.

Shkelzen Gashi për t`i ikur përgjegjësisë vetjake ka deklaruar se të dhënat për pohimin e tij, sipas të cilit në burgun e Dubravës ka pasur të burgosur shqiptarë të armatosur, e ka marr nga të dhënat e humanistes së madhe serbe, Natasha Kandiq. Por Natasha Kandiq këtë deklaratë të z. Gashi e ka përgënjeshtruar, gjë që flet se z. Gashi ka bërë shpifje ndaj z. Kandiq! Dhe siç dihet shpifja nuk paraqet mendim të lirë.

Për vet faktin se forcat serbe gjatë luftës kudo që kanë kapur shqiptarë të armatosur i kanë vra e masakruar në vend, kjo flet se në burgun e Dubravës të burgosur shqiptarë të armatosur nuk ka mundur të ketë.

Duke pasur parasysh se të vërtetën publike se në burgun e Dubravës shqiptarë të burgosur nuk ka pasur, e ka ditur edhe z. Shkelzen Gashi, kjo tregon se ai në adresë të ish – të burgosurve shqiptarë në Burgun e Dubravës, ka bërë me vetëdije një dezinformim! Dhe siç dihet dezinformimi nuk paraqet mendim të lirë.

Me sa di unë në legjislacionin e vendeve me demokraci të përparuara, ashtu siç ka ligje të cilat njeriut ia garantojnë shprehjen e lirë, po ashtu ka edhe ligje të cilat individin apo grupin e mbrojnë nga shpifja dhe dezinformacioni, të cilat nuk e dëmtojnë vetëm individin ose grupin, por i dëmtojnë shumë sidomos demokracitë brishta të shteteve të reja, siç është shteti i Kosovës.

Unë nuk kam asnjë kërkesë ndaj Gjykatën Speciale të Kosovës lidhur me hetimin që ajo po i bën z. Gashi, por kam një kërkesë ndaj opinionit publikë dhe sidomos ndaj ish-të burgosurve të mbijetuar të masakrës së ushtruar ndaj tyre në burgun e Dubravës, që mospajtimin që kanë me z. Gashi të mos e zgjidhin me vetëgjyqësi, sepse vetëgjyqësia është varri i demokracisë!

Në fund të kësaj letre dua të shprehë konsideratën time të veçantë për ju z. Malcolm dhe për ju z. Schmitt, për ndriçimin që ju me punën tuaj shkencore i keni bërë historisë së kombit shqiptar në përgjithësi dhe historisë së Kosovës në veçanti.

Gjej rastin që ta falënderoj z. Malcolm për nderin e madh që më ka bërë, duke cituar disa të dhëna të mijat në librin e tij «Kosova: Një histori e shkurtër»

Duke e përfunduar këtë letër, juve z. Malcolm dhe juve z. Schmitt, ju dëshiroj shëndet dhe suksese në punën tuaj shkencore në lëmin e historisë.

Me respekt:
Dr. Xhevat Hasani