“Shkamat” me autorësi e regji të Fadil Hysajt me aktorë: Sheqerie Buçaj, Xhevdet Doda dhe Bislim Muçaj, brenda një ore të kthejnë në një botë përplot trauma, që përmes një familje të vetme arrin të nxjerrin në skenë brengën dhe shqetësimin e mijëra familjarëve shqiptarë që kanë humbur më të afërmit e tyre në luftën e fundit, si pasojë e barbarisë serbe.
Teksti e fotot: Rexhep Rifati
Parmbrëmë (më 30 Gusht 2019) në fshatin Kukaj, këtij lokaliteti, që kur është në pyetje arti e harron edhe kryeqytetin, shikuam një shfaqje të rrallë për fatin e një çifti që ka humb të birin e vogël në luftë, të përshkuar me shumë dhembje e emocione.
Efektin e kësaj ishte se ajo u përcoll në heshtje të plot dhe u përmbyllë me duartrokitje të gjata dhe në shtrëngim duarsh të regjisorit e përqafim të aktorëve.
Përndryshe, vetëm një natë më parë, më 29 Korrik 2019 u dha premiera e shfaqjes teatrale “Shkamat”, në regji të regjisorit të njohur, Fadil Hysajt edhe atë me mbështetjen e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, kur para një audience të përzgjedhur, në prag të Ditës Ndërkombëtar të të Zhdukurve, u dha ky realizim mëse mbresëlënës skenik.
Audiencën e përbënin politikanë e diplomatë të nivelit të lartë, familjarë të atyre që janë zhdukur në lidhje me konfliktin e armatosur në Kosovë dhe anëtarët e familjes së Kryqit të Kuq.
Sipas një komunikate të KNKK, shfaqja e paraqiti, nga një këndvështrim unik, jetën e një çifti të martuar që orvatet të përballet me realitetin e hidhur të të birit të tyre të zhdukur.
“Duke iu drejtuar audiencës para shfaqjes, shefi i Misionit të KNKK-së në Prishtinë, Agim Gashi, tha: “Ju kemi ftuar këto sot që t’i jetojmë – nëpërmjet aktorëve që do të aktrojnë në këtë skenë sonte – jetët e atyre nënave që ende refuzojnë të pranojnë se bijtë dhe bijat, burrat dhe vëllezërit apo motrat e tyre mund të mos kthehen dhe jetët e atyre burrave që po e investojnë tërë qenien e tyre për t’i ngushëlluar ato, dhe vetveten.”
Përveç shfaqjes teatrale, KNKK-ja e ka publikuar edhe një video animacion për ta vetëdijesuar shoqërinë për vuajtjet e familjarëve të dashurit e të cilëve janë zhdukur gjatë konfliktit të armatosur në Kosovë. Më shumë se 6000 njerëz i janë raportuar KNKK-së si të zhdukur si rrjedhojë e konfliktit të armatosur të viteve 1998–1999 në Kosovë. Procesi i kërkimit ka sjellë rezultate, të cilat ua kanë mundësuar familjarëve të më shumë se 4400 njerëzve që të gjejnë ngushëllim, por kjo i ngushëllon pak 1653 familje që ende jetojnë në paqartësi”, thuhet në komunikatë.
Më tej në komunikatën e lëshuar përkujtohet se: Sipas së drejtës ndërkombëtare humanitare, ish-palët në konflikt e bartin përgjegjësinë kryesore për të ofruar informata për fatin dhe vendndodhjen e njerëzve që janë zhdukur në territoret që janë nën kontrollin e tyre. I njëjti ligj e mbron të drejtën e patjetërsueshme të familjarëve për të ditur për fatin e të dashurve të tyre të zhdukur.
/Me këtë rast po jap disa nga fotot që shkrepa gjatë dhe pas shfaqjes)