Shefqet DIBRANI: Reflektim mbi romanin „Hana“ nga Fatmire Sopa

Reflektim mbi romanin Hana nga Fatmire Sopa

Fatmire Sopa, „HANA“, roman,
botoi “PROINTEGRA“, Zürich 2025. Faqe 146,
ISBN 978-3-033-11373-2.

Nga Shefqet DIBRANI, St. Gallen, 16.08.2025.

Romani „HANA“ nga Fatmire Sopa, është një vepër që prek në thellësi ndjenjën e lexuesit, sepse trajton një temë të ndjeshme, delikate dhe me një përfundim shokues. Leximi i tij nuk është i lehtë, sepse është një thirrje për të mos e parë artin vetëm si pasqyrim të realitetit, por si një përpjekje për ta çliruar shpirtin nga padrejtësitë dhe nga dhuna e pashpirt e mentaliteteve dhe pragjykimeve. Secili shkrimtar, kur merr përsipër të trajtojë tema të tilla, ka një detyrim etik – të mos e përdhosë të vërtetën dhe të mos e kthejë letërsinë në servilizëm ndaj shijes së turmës, por ta ruajë ndershmërinë dhe përmasën njerëzore të rrëfimit.

Në këtë kuptim, leximi i „HANËS“ më riktheu në kujtesë një tjetër roman të njohur, „11 MINUTA“ të Paulo Coelho-s. Jo për shkak të ngjashmërisë tematike, por për mënyrën se si një shkrimtar i kultivuar e ndjek ligjshmërinë, traditën, historinë dhe dokumentet përpara se të shpalosë një temë kaq delikate. Paulo Coelho kishte shfletuar kodin ligjor zviceran, kishte vizituar rrugë ku prostitucioni është zeje në Zürich të Zvicrës, dhe kishte shfrytëzuar edhe pasazhe biblike. Përballë kësaj metode, më lind pyetja e natyrshme: A i ka vështruar autorja jonë me syrin e hulumtueses disa prej dokeve dhe traditave shqiptare, madje edhe ato të përmbledhura në „Kanun“, të cilat – pavarësisht kritikave të shumta – përfaqësojnë një shtresë të lashtë dhe autentike të mendësisë dhe kulturës sonë etnike? Sepse është e rrezikshme të përqeshësh një traditë pa e njohur atë deri në rrënjë. Popujt më të zhvilluar nuk e mohojnë historinë e tyre, përkundrazi, në të gjejnë bazamente për të ndërtuar të tashmen. Ne shqiptarët shpesh harrojmë, shpesh shkelim mbi vlera që do të duhej të ishin mburoja jonë kulturore. Dhe kjo e bën letërsinë tonë edhe më të ngarkuar me përgjegjësi.
Fatmire Sopa na tregon se romani është bazuar në një ngjarje të vërtetë, të ndodhur në një qytet në veri të Gjermanisë, histori që ajo e mësoi nga motra e Hanës. Romani mori jetë fillimisht në gjuhën gjermane, për t’iu ofruar më vonë edhe lexuesit shqiptar. Por, dhe këtë dua ta theksoj fort, jo çdo ngjarje është e destinuar të shndërrohet në art letrar, sepse arti nuk është pasqyrë e thjeshtë, por shndërrim, tejkalim, përpunim i realitetit. Shkrimtari nuk duhet të bëhet rob i rrëfimit faktik, sepse letërsia nuk është procesverbal. Letërsia kërkon një shikim më të thellë, më kritik dhe më reflektiv, ku ngjarja e vërtetë shndërrohet në simbol dhe ku individi bart dramën e një shoqërie të tërë.

Një debutim i sigurtë në prozë:

Megjithatë, romani „HANA“ i Fatmirës, është një ndërthurje mes realitetit dhe artit, një pasqyrë e ndjeshme e fatit njerëzor, që na fut në një botë të ngarkuar me dhimbje, me përplasje kulturash dhe me tragjedi. Është romani i parë i autores, por megjithatë sjell një forcë rrëfimi që të mban të lidhur faqe pas faqes, sepse është shkruar me bindjen se letërsia duhet të shpalosë të vërtetën e jetës, sado e dhimbshme të jetë ajo.
Qysh në faqet e para ndjehet një ton i brendshëm i fortë, një zë femëror që flet me përulësi, por edhe me vendosmëri. Hana nuk është vetëm një personazh, por një simbol i një brezi të tërë vajzash që përballen me paragjykime, dhunë dhe kufizime, ndërsa duan të jetojnë lirisht, të duan lirisht, të zgjedhin lirisht.

Autenticiteti i ngjarjes:

Siç e theksova edhe më parë. Autorja nënvizon se historia është e bazuar në një ngjarje të vërtetë, të ndodhur në Gjermani, të rrëfyer prej motrës së Hanës, protagonistes së romanit. Ky detaj e bën veprën të vendoset mes kufirit të jetës dhe letërsisë. Nuk kemi thjesht një trill letrar, por një dramë reale e kthyer në art. Për lexuesin kjo ngjall një emocion të veçantë, sepse çdo rresht duket sikur mban peshën e një dëshmie që nuk duhet harruar.

Në këtë kuptim, romani bëhet një akt kujtese dhe një formë proteste letrare. Fatmire Sopa, nuk shpik, por rrëfen; nuk kërkon të zbukurojë, por të vërtetojë. Kjo përgjegjësi e bën romanin „HANA“ një prozë të nevojshme.

Struktura dhe rrëfimi:

Romani është i ndarë në XXIX kapituj të shkurtër dhe shtatë fragmente ditari të Hanës. Çdo kapitull është një copëz jete, një moment i veçantë që funksionon edhe më vete, por së bashku krijojnë një mozaik dramatik. Ky fragmentarizim i jep veprës ritëm, e bën të ngjajë me një storie filmi të shpejtë e të ngjeshur, ku çdo skenë bart një tension të brendshëm.

Po ashtu „Ditari i Hanës“ është një element tjetër mjaftë i çmuar. Aty lexuesi hyn në botën intime të saj, në ndjenjat dhe mendimet e pathëna, në ëndrrat dhe frikën që ajo nuk mund ta thotë hapur. Është një hapësirë ku shfaqet e vërteta e saj e brendshme, një lloj shpirti edhe për librin.

Hapësira e ngjarjes:

Ngjarjet zhvillohen në qytetin gjerman të Konstanz-it, buzë Liqenit të Bodenit. Përshkrimet janë konkrete dhe të sakta. Porti me lëvizjen e përhershme të anijeve, Statuja e Imperias që ngrihet madhështore mbi ujë, rrugët me dritare të mëdha, kafenetë, libraritë, bibliotekat. Përmendja e këtyre vendeve e bën rrëfimin të besueshëm dhe të ngjizur me realitetin.

Por më e rëndësishmja është se këto hapësira nuk janë dekor. Ato janë të ngarkuara me simbolikë. Për shembull, Liqeni i Bodenit shpesh shfaqet si një hapësirë qetësie dhe ëndrre, një vend ku Hana dhe Krisi mund të ndihen të lirë, larg syve të paragjykuesve. Në kontrast, kohëve të fundit, shtëpia e Hanës është shndërruar në hapësirë të dhunës dhe në fund edhe e mbylljes, ku çdo hap i saj kontrollohet. Ky kontrast midis hapësirës së jashtme dhe së brendshme pasqyron konfliktin themelor të romanit.

Dashuria e ndaluar:

Në qendër të romanit qëndron dashuria e sinqertë mes Hanës, vajzës shqiptare nga Kosova, dhe Krisit, djalit gjerman. Dy të rinj që i lidh një ndjenjë e pastër, por që përballen me muret e paragjykimeve. Në vend që të përkrahen, ata përplasen me fanatizmin e një babai autoritar dhe egoizmin e një nëne që nuk pranon tjetrin.

Kjo dashuri është si një fije drite në errësirë. Në fragmentet e ditarit, Hana rrëfen me ngrohtësi ndjesitë e saj; frikën, por edhe guximin për të ëndërruar një jetë dhe një djalë tjetër. Ndërsa Krisi është i qetë, i bindur se ndjenja e tyre mund t’i kapërcejë kufijtë, Hana jeton mes dyshimit dhe shpresës, mes dëshirës për të qenë vetja dhe frikës nga ndëshkimi.

Personazhet dhe konfliktet:

– Hana është rrëfimi për dashurinë: Një vajzë e integruar, e hapur, e mençur e ndjeshme. Ajo përfaqëson brezin e ri që kërkon të jetojë i lirë dhe që e sheh diversitetin kulturor si pasuri. Tek ajo shohim një forcë të brendshme që rritet me çdo pengesë, por që, fatkeqësisht, përplaset me dhunën brutale të babait.
– Ganiu, babai i saj, është figurë e dhunës patriarkale dhe e mentalitetit të ngurtë. Për të, vajza është pronë, e destinuar të martohet sipas zakoneve të tij. Ai nuk e sheh Hanën si njeri, por si një nderë patriarkal të tijin që duhet ruajtur. Në këtë kuptim, Ganiu është një figurë tragjike, sepse në përfundim të romanit ai do ta vrasë vajzën, por edhe do ta shkatërroj edhe vetveten.
– Ollga, nëna e Krisit, është pasqyra e një mentaliteti tjetër, por jo më të mirë. Ajo nuk pranon lidhjen e të birit me një vajzë shqiptare, duke u bërë po aq përgjegjëse, madje edhe kryesorja, për tragjedinë. Në heshtjen e saj, në ndalimin e saj, shfaqet intriga e ftohtë dhe e rafinuar që shoqëria e qytetëruar di ta ushtrojë, kundër komunitetve të ardhura – të të huajve.
Në këtë mënyrë, romani nxjerr në pah se dhuna dhe fanatizmi nuk kanë kufi kombëtar. Ato janë plagë universale të shoqërive që nuk arrijnë të hapen ndaj lirisë, edhe në raport me diversitetin e kulturave dhe popujve.

Tragjedia:

Ngjarjet shkojnë drejt një përplasjeje fatale. Dhuna fillon me fjalë, kalon në shpërthime verbale e fizike, e në fund arrin në kulmin tragjik. Ganiu e vret vajzën e tij, ndërsa Krisi plagoset rëndë.

Kjo nuk është vetëm një fund tragjik i një romani a dashurie. Është një aktakuzë ndaj një mendësie të tërë, ndaj një bote ku nderi vendoset mbi jetën, ku zakoni vret dashurinë, ku prindërit humbin fëmijët në emër të krenarisë së rreme dhe në fund shkatërrojnë vetveten dhe familjen.

Pas kësaj tragjedie, mbetet vetëm shkatërrimi. Babai paralizohet, nëna e Krisit mbetet me peshën e fajit, ndërsa Krisi do t’i bart jo vetëm plagët nga plumbi, por edhe plagën e përjetshme të humbjes së Hanës.

Mesazhi dhe domethënia:

„HANA“ është roman i dhimbshëm, por i domosdoshëm. Ai flet për lirinë dhe për të drejtën e çdo individi për të zgjedhur vetë. Është thirrje kundër dhunës, kundër martesave të imponuara, kundër shkeljes së dinjitetit njerëzor.

Mesazhi i romanit është mbase shumë i qartë. Dashuria nuk mund të ndalet me dhunë, as jeta e një vajze nuk mund të sakrifikohet për zakone të ngurta e të tejkaluara edhe për vet shqiptarët. Fatmire Sopa, përmes këtij romani, i jep zë një brezi që kërkon të shpëtojë nga mentalitetet e së shkuarës dhe të jetojë sipas vlerave universale të humanizmit që poesdon Evropa Perëndimore dhe vendet e zhvilluara.

Përmbyllje:

Me romanin „HANA“, Fatmire Sopa, hyn fuqishëm në letërsinë shqipe, por edhe në atë të Zvicrës gjermane. Ky roman i parë i saj e dëshmon aftësinë për të ndërthurur një rrëfim tronditës me mesazh të thellë shoqëror. Ai nuk është vetëm një histori dashurie e përfunduar tragjikisht, por një thirrje për liri dhe një shpresë se arti mund të bëhet zë i atyre që janë heshtur nga dhuna.
Ky libër nuk lexohet vetëm me mendje, por edhe me zemër. Dhe ndoshta ky është edhe sekreti i tij. Mbase të lë pas një ndjenjë që të ndjek, një dhimbje që nuk shuhet, por që duhet të kthehet në vetëdije.