Revista “Bashkimi”, një revistë që ecën me kohën!

Doli numri i gjashtë i revistës „Bashkimi“, e cila revistë përkon me aktivitetet e Shoqatës “Bashkimi” në Uster të Zvicrës

Shkruan: Vaxhid Sejdiu

Revista “Bashkimi” vazhdon të sjellë freskinë e aktiviteteve të Shoqatës, po me të njëjtin emër. Që nga numri i parë kjo revistë preku fort kërshërinë e lexuesve dhe ne që jemi mësuar me një gjë të tillë e presim me padurim daljen e saj. Në 28 faqe, lexuesi gjen materiale të mjaftueshme për shoqatën dhe aktivitetet e saj. Do të njiheni me anëtarët e shoqatës (fq. 2), të cilët kujdesen për këto aktivitete. Mirënjohja ndaj ish-anëtarëve të shoqatës është një vlerë e shtuar dhe një dëshmi se vlerat çmohen lart. Në çdo numër lexuesit kanë mundësinë të lexojnë dhe të rikujtojnë punën e atyre që e bënë shoqatën. Kësaj radhe një intervistë me znj. Barbara Munz, një nga anëtaret dhe aktivistet e Shoqatës “Bashkimi” apo intervistën me koreografin shqiptar në Shtutgart z. Gjergj Lleshaj.  Shoqata i kushton një rëndësi të veçantë edhe shkollës shqipe, Prandaj me kujdes në të gjitha numrat e saj janë prezantuar shkollat shqipe, kudo ku janë hapur ato, veçanërisht në Kantonin e Cyrihut. Kësaj radhe lexuesi njihet me shkollat e reja si në Regensdorf, në Zürich Rüttihof, në Oetwil am See, në Egg dhe në Herrliberg.

Shkollat e reja janë një sinjal i fortë se mërgimtarët shqiptarë e duan shkollën shqipe, por duhet të veprohet bashkërisht me qëllim që të kemi suksese
Shkollat e reja janë një sinjal i fortë se mërgimtarët shqiptarë e duan shkollën shqipe, por duhet të veprohet bashkërisht me qëllim që të kemi suksese

Shënimet nga arkivi i Shoqatës, faqet e letërsisë dhe prezantimi i qytetit të Shkupit apo prezantimi figurës kombëtare të dijetarit shqiptar Sami Frashërit dëshmojnë interesimin e këshillit redaktues të revistës, për ta prezantuar kulturën shqiptare. Shkrimtari Muharrem Blakaj kësaj radhe vjen me tregimin “Sa të paskan hije” dhe në fund të revistës një rikujtim aktiviteteve të shoqatës ndër vite, gjë që e freskon kujtesën tonë.