Qifti Leka edhe nga Gjeneva dërgon mesazhe atdhedashurie

Profesor Astrit Leka, në prag të 90-tave dhe e shoqja, Emineja në të 83-tatë, me nga disa diploma fakulteti, bënë shumë që figurat tona kombëtare të gjejnë truall edhe jashtë atdheut, ndërsa që tash edhe Tirana të stoliset me bustin e antropologut zviceran, Eugen Pittard, një mbrojtësi shumëvjeçar të shtetit shqiptar.
Rexhep Rifati
Kësaj të marte, gjatë një vizite në qytetin e Gjenevës, me një bashkëvendës timin, vizituam profesorin Astrit Leka, njërin nga personalitete më të shquara shqiptare në Zvicër, i cili ndonëse në moshë të shtyrë, asnjëherë nuk pushoi së vepruari për çështjen shqiptare.
Ishte kjo një vizitë pa protokolle, alla shqiptarçe, si të ishte në një odë tradicionale në trojet tona. Si zakonisht, profesor Astriti, pa mëdyshje na tha përmes telefonit, se dera e konakut për mikun përherë është hapur. Kur arrita në banesën e tij, në lagjen Paquis, në shoqërim të Nexhmedin Ilazit, me prejardhje nga Ferizaj, producent i ansamblit “Gëzuar” në Gjenevë, bashkë me profesorin na priti edhe e shoqja e tij Emineja, intelektuale e shquar, që ka kaluar të 83- tatë, e që e takonim për herë të parë.
Ajo çka bie më së shumti në sy, para se vitet me këtij qifti, janë librat e shumta në gjuhë të ndryshme, bashkë me qindra dosje e dokumente që kanë zënë thuaja se gjysmën e dhomave. Në to pas tjerash, përshkruhet edhe rrugëtimi jetësor i këtyre dy intelektualëve të spikatur që tash e 60 e sa vite, pos dashurisë e kurorës i ka bashkuar edhe shkenca dhe kauza atdhetare.
Para se mosha, flet mikpritja e trashëguar nga vendlindja. Ndaj edhe vet zonja e shtëpisë na gostiti me kafe, që e solli me filxhan e xhezve. Shtrohet pyetja: se si ky qift në këtë moshë (me gjithsejtë 173 vite ) ka ruajtur kaq energji e vitalitet, përkundër katrahurave nga ditët e regjimit komunist në Shqipëri.
Qëllimi nuk ishte të shkruhet për tërë këtë rrugëtim të tyre, sepse për këtë nuk do te mjaftonin as jave te tera, por një vite thjeshtë miqësore të një qifti që forcën dhe mbështetjen në rend të parë e ka gjetur tek njëri tjetri, madje edhe atëherë kur janë përballë me ekzistencë.
Si Astriti ashtu edhe Emineja kanë biografi të pasura, por edhe të dhembshme e krenare. Profesori prej dy dekadash jeton në Zvicër, është kryetar i shoqatës “Solides” për zhvillimin e vendeve të lindjes, kryetar nderi i bashkimit të Intelektualëve shqiptarë në Zvicër dhe zvkryetar i Konfederatës Evropiane të Veteranëve të Luftës. Qysh në vitin 1939 del vullnetar kundër pushtimit fashist, pasi në vitin ‘41-n braktis shkollën e mesme në Firence dhe kthehet në atdhe për të mbështetur luftën. Pas çlirimit ka punuar si bashkëpunëtor i Institutit të Shkencave (1947-1954 ), ndërsa ka kryer studimet e larta në Fakultetet Gjuhë-Letërsi, Histori-Gjeografi dhe Fakultetin Ekonomik dhe është i pajisur me tri diploma të cilat edhe na i prezantoi gjatë vizitës. Po ashtu është njohës i mirë i 5-6 gjuhëve të huaja. Të veçantë prej vitesh e bënë edhe puna në mërgatë, në sensibilizimin e opinionit ndërkombëtar për çështjen shqiptare, veçmas lidhur me pavarësinë e Kosovës dhe afirmimit të figurave kombëtare.
Edhe gjatë kësaj vizite vrenjtem se shqetësim i tij i mëtejshëm është ngritja e busteve të figurave shqiptare në botë, siç janë Skënderbeu, Nënë Tereza e tjerë. -Ngritëm bustin e Skënderbeut në Gjenevë, kontribuuam për ngritjen e tij në Itali, në Paris, në Londër, në Argjentinë, në Manila, në Australi, në Buenos- Aires epo vazhdojmë në shumë vende të tjera të botës, në bashkëpunim me komunitetet shqiptare atje,- përkujton profesor Astriti.
Dhe jo vetëm sa i përket figurave shqiptare, por edhe të popujve të tjerë. Tregon edhe projektin për ngritjen e bustit të antropologut të njohur zviceran Eugen Pittard (1867-1962),. i cili pos që kishte vizituar disa herë Shqipërinë e kishte mbështet atë edhe në selinë e kombeve. Ndaj edhe nga qeveria shqiptare qe shpall konsull nderi i Shqipërisë. Pritet që busti i këtij shkencëtari zviceran e miku të shqiptarëve të inaugurohet sivjet në Tiranë.
Edhe Emineja, si edhe Astriti, ka një kujtesë të shkëlqyeshme. Mesa mësojmë, ajo ndoqi shembullin e bashkëshortit, rrugën e mosnënshtrimit. Tregon se në kohën e saj ishte ndër gratë e rralla shqiptare me dy fakultete deri në vitin 1958: Biologji-Kimi dhe Mjekësi Veterinare. Në fakt ishte një nga dy gratë shqiptare mjeke veterinare të para të diplomuara në Shqipëri, por që siç tregon u ndodh para një alternative shumë të vështirë, kur burrin e saj e shpallën si “armik të popullit”. Në këto rrethana detyrohet të sakrifikojë punën si kërkuese shkencore në Fakultetin e Mjekësisë Veterinare dhe ti nënshtrohet punës së rëndë në terren në një stallë. Madje edhe vet i shoqi, vjehrri dhe gjithë familja Leka, kërkuan nga ajo ta ndante Astritin, pasi organet e dhunës komuniste në Shqipëri vepronin pa kurrfarë mëshire. Ajo për asnjë çmim nuk pranoi të largohet nga Astriti, me të cilin edhe tash në këtë moshë gëzon një pleqëri të bardhë, siç thuhet në popull.
Gjatë vizitës Emineja na e tregon edhe një mirënjohje interesante, kur Këshilli i Fakultetit të Mjekësisë Veterinare, me vendimin nr. 34 të datës 2 dhjetor 2010, plot 44 vjet pasi e kishin çuar të punonte te stallat e derrave, i akordoi diplomën: “Mirënjohje e Fakultetit” me motivacion: “Për kontributin e shquar në ndihmë të formimit të brezave të studentëve veterinerë dhe punës së palodhur kërkimore-shkencore në funksion të zhvillimit të bujqësisë”.
Derisa ky qift i shkëlqyeshëm, vazhdon me rrëfimet e pafund, bie zilja dhe në banesë hyjnë mbesa dhe nipi, që sapo ishin kthyer nga shkolla. Ata për çdo ditë sjellin gëzimin e tyre tek gjyshja e gjyshi, që edhe në këtë moshë të shtyrë pos që kultivojnë një dashurinë e madhe për këta vogëlush, ruajnë edhe një zjarr dhe dashuri të pashuar për popullin dhe vendin e vet, për të cilin dhanë aq shumë. Me ketë rast po japim disa imazhe nga kjo vizite, ndaj edhe me këtë rast falënderoj qiftin Leka për mikpritjen e treguar.