Libri “Tri Vija të Kuqe” të shkrimtarit Muharrem Blakaj, përshkruan historinë e të burgosurve politikë shqiptarë, si dëshmi e sakrificave dhe vuajtjeve të atyre që luftuan për lirin,- theksoi Vigan Berisha, shef i misionit konsullor në Cyrih, ndërsa kryetari i LKSHM-së, poeti Musa Jupolli potencoi se: “Romanet e Muherrem Blakajt janë identiteti ynë, janë historia jonë, janë të dhënat nëpër të cilat ka kaluar populli ynë, janë morali dhe besimi se ky popull mund të ngritët në vendin që i takon”…
Fotot dhe teksti: Rexhep Rifati
Mbrëmë, më 28 Mars 2025, në bashkorganizim të Lidhjes së Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë (LKSHM) dhe Konsullatës së Republikës së Kosovës, në lokalet e kësaj konsullate u promovua romani i radhës i prozatorit Muharrem Blakaj, që prej vitesh jeton dhe krijon në Zvicër e që është ndër prozatorët më të frytshëm në mërgatën tonë perëndimore
Që në fillim përshëndeti Vigan Berisha, shef i Misionit konsullor të Republikës së Kosovës në Cyrih, i cili tha se kuadër të promovimit të librave në Konsullatën e Republikës së Kosovës në Cyrih, sonte po e promovojmë librin “Tri Vija të Kuqe” të shkrimtarit Muharrem Blakaj dhe se ky roman, që përshkruan historinë e të burgosurve politikë shqiptarë, është një dëshmi e sakrificave dhe vuajtjeve të atyre që luftuan për lirinë e popullit shqiptar. Me këtë rast LKSHM i ndau një mirënjohje konsullit Vigan Berisha për bashkëpunimin e mirë me krijuesit e mërgatës si dhe për paisjen e misionit me mijëra libra të autorëve shqiptarë.
Më pastaj në emër të Lidhjes së Krijuesve Shqiptarë, Musa Jupoll paraqiti një vështrim për librin dhe autorin Muharrem Blakajt, që e cilësi si: Gur-themel për Kullën e lirisë, vepër kjo që për pesë ditë, sjell pesë qind e gjashtë qind vjet n’ udhëtim tonë për identitet.
Më tej jupolli shtoi se: TRI VIJA TË KUQE, simbolika e romani që të kuptohet…në këtë kuptimësi është edhe familja e shkrimtarit Blakaj! Kontekst historik, ballafaqim me një armik, mbi të gjitha një armik i tërbuar kundër kulturës shqiptare, çka ia tejkalon edhe nacionalizmit më të errët, kur këto dogma, këto urrejtje janë edhe më tragjike kur vijnë nga kreu i akademisë së Beogradit, vorbulla që të zihet shpirti kombëtarë i shqiptareve, ashtu siç kishin ardhë dikur nga Stambolli.
Enigma e një personazhi, me të cilin do të kaloni pesë ditë të romanit…me Stazhierin
Po familja Mali, kush është Xhe-Mali, me të cilin mund të identifikohet çdo njeri që ka zemër dhe shpirt për liri, e që kalon nëpër dosje të sigurimit, e po, kemi të bëjmë me figura n’ dukatë të dashurisë për atdheun, për kulturën dhe të drejtën që të jetohet me dinjitet, ky ideal, ky frymëzim i atdhetarëve, në edukatë familjen, rrethin dhe shoqërinë si pasqyrë e një realiteti në vitet 80′ _ ’81-ta e tutje, kur kambanat po dëgjoheshin nga të rrahurat e zemrës së rinisë shqiptare në Kosovë, në Dardaninë e lashtë Ilire, atje ku historia dhe kultura kanë gjenezën edhe tej Evropës, nga ky dhe Dhé- Atdhe, nga ky Dhe-Mëmëdhe!
Do kuptuar plotësoi më tej Jupolli se : Atdhedashuria nuk lindë rastësisht, ajo kultivohet dhe veprohet, kot e quajmë vetën atdhetar, nëse nuk lëmë shenja që historia ta dokumentojë sipas veprës që ia dhurojmë atdheut…
Meqenëse përmes fb tim kam dhënë citate nga fjalët e Salih Sefajt sih- konsull i parë i Kosovës në Cyrih, poetëve Bardhec Berisha e Mentor Thaqi dhe të autorit Muharrem Blakaj, po jap një vështrim për jetën e veprën e këtij autori nga pasthënia e librit , shkruar nga publicisti Ismet Salihu:
“TRI VIJA TË KUQE”, roman nga Muharrem BLAKAJ
Romani «TRI VIJA TË KUQE» nga Muharrem BLAKAJ, shtjellon ngjarjet e viteve tetëdhjeta të shekullit të kaluar. Pas demonstratave të vitit 1981, fillon diskriminimi i mbarë popullit shqiptarë, fillimisht me diferencime ideopolitike, largim nga puna, përndjekje intelektualësh, burgosje historianësh dhe vrasje të orkestruara të ushtarëve shqiptarë në armatën jugosllave.
Ngjarja e romanit mbështetët në ndodhitë e vërteta. Ishte koha kur, për një fjalë, këngë apo klithmë ankese për gjendjen e rënduar ekonomike, kulturore e politike përndiqeshin, torturoheshin dhe vriteshin vetëm shqiptarë. Që reprezaljet kundër shqiptare të ishin sa me efikase, Sllobodan Millosheviq krijon një Lëvizje politike të kamufluar si Aleancë e Punëtorëve Socialist. Për një kohë të shkurtër krijon rrjet të gjerë agjentësh në stilin organizativ nazist, si të Hitlerit në vitet e tridhjeta, duke vënë nën kontroll institucionet shtetërore, me qëllim përmbushjen e planeve shfarosëse kundër popullit shqiptarë sipas projekteve të Grashaninit, Cvejiqit, Çubrilloviqit etj.
Këtij organizimi të heshtur dhe të mbuluar me petkun komunist gjoja të barazisë, nuk i shpëtuan udhëheqësit politik të Kosovës, nuk u vërejt nga udhëheqësit e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe as nga agjentët shqiptarë, të cilët me zell i kryenin punët më të ulëta, duke e burgosur, torturuar, dënuar dhe vrarë rininë e popullit të vetë.
Struktura e romanit vepron brenda organeve të Sigurimit të Shtetit, të cilët, nën influencën e miklimeve serbe me orientim çetnik, nuk janë mjaftueshëm të zgjuar për ti vërejtur ndryshimet, qëllimet dhe synimet politike që të shkatërrohet struktura organizative e jetës së popullit shqiptarë.
Personazhet e romanit, pjesërisht shfaqen me emra të vërtetë, por, ka edhe emra të trilluar. Ngjarja e romanit zhvillohet në Qarkun e Pejës. I gjithë plani operativ zhvillohet brenda pesë ditësh. Fillon me një agjent me përgatitje eksperti, i sapo emëruar në sektorin e përndjekjeve politike, gjë që nuk e dëshiron, sepse rridhte nga një familje me tradita atdhetare. Qysh në fillim, vëren se udhëheqjen e Sigurimit të Shtetit e ka në dorë agjenti serb Tomisllav Baboviq, i cili ishte i emëruar tinëzisht, pa post aktiv, i papërgatitur, i pacipë dhe i paparashikueshëm.
Dosja e familjes Mali është e gjerë, e thukët dhe nën shënjestër të organeve të Sigurimit të Shtetit. Përpunimi i saj i besohet pikërisht agjentit të ri të cilin e emërojnë në detyrën e Stazhierit. Qysh ditën e parë të punës, vëren se procedurat nuk kanë renditje rregullash, ndaj bënë përpjekje që dosja t’ju përshtatet provave që nuk mjaftojnë as për vërejtje. Është ndërhyrja e Tomisllav Baboviqit që me dorën e Kryeshefit dosja të seleksionohet me sinjalet sekrete të «Tri vijave të kuqe». Ndërkohë, Stazhieri vëren se aty e kanë emëruar për ta «përpunuar dhe fajësuar» për veprimet e tyre vrastare.”
Në këtë mbrëmje promovimi, që tregua shumë e suksesshme falë edhe vet Konsullatës së Kosovës në Cyrih, që po tregon interesim gjithnjë e më të madh për autorët dhe vet librin shqiptar u shfaq edhe filmi dokumentar “Nana Kadë”, që ishte një homazh për nënën e dëshmorit Xhemajl Blakaj, si dhe u shtrua edhe një apero për të pranishmit që nuk kishin lënë asnjë karrige të zbraztë aty ku u mbajt përurimi këtij libri.



























