Poetesha  bashkëkohore\ Kontemporenea arbëreshe Giuseppina  Demetra Schirò

 

Giuseppina Schirò, lindi në Piana degli Albanesi\Hora shqiptare themeluar në 30 gusht 1488 nga shqiptarët e Ballkanit shqipfolës rreth shekujve XIV. U lind dhe u rrit në një familje arbëreshe dhe si e tillë u ushqye me ndjenjën e krenarisë që i përket këtij komuniteti të lavdishme si për historikun e tij, ashtu edhe në ruajtjen e gjuhës amtare më tepër se 550 vjetësh karakteristika bazë për ruajtjen e identitetit.

Arbëreshët e Horës, për më tepër se 300 vjet nuk lejuan që asnjë etni apo popullsi tjetër të hynte në territorin e tyre, me përjashtim të ditëve të para të shtatorit kur bëhej kremtimi për nder të festave të Virgjëreshës së Shën Mërisëk këtë fakt na e konfirmon akti notaril i 30 gusht 1488 ku riradhitën 16 kapituj\marrëveshje. Në akt thuhej  edhe që Zyrat publike sipas marrëveshjeve të firmosur duhej të zinin vetëm qytetarët shqiptarë të ritit grek bizantin. Ky privilegj, i njohur vetëm për arbëreshët e Piana degli Albanesi, mbeti në fuqi deri në vitin 1819.

Në Piana degli albanesi\ Hora arbëreshe u hap edhe shkolla e parë arbëreshe nga Lekë Matrënga më 1587.  Marrëveshjet e vitit 1488 lejuan mërgimtarët të mbronin traditat e tyre etno-gjuhësore dhe mbi të gjitha fetare. Hora Arbërshe njihet për figura të shquara që dhanë dhe japin një kontributë të madh botës arbëreshe si: Lekë Matrënga, Giorgio Guzzetta, Marco La Piana, Nilo Borgia Tommaso Manzone, Papas Sepa Petta ,Lorenzo Petta, Antonio Brancato, Giuseppe Musacchia, Paolo Schirò, Nikola Barbato,Giorgio Costantini,Papas Demetrio Camarda, Zef Kamarda, Gaetano Petrotta, Sotir Ferrara, Giuseppe Bennici, Carlo Dolce, Rosolino Petrotta, Zef Skiroi, Gjergj Nikollë Brankati, Giuseppe Schirò Di Maggio, Prof Matteo Mandalà  etje

Midis këtyre figurave spikasin edhe poeteshat arbëreshe Cristin Gentile(Mandalà) 1856-1919, e parë poeteshë arbëreshe në Sicili,  Argherita Scilippa, Paola Guzzetta, Giuseppina Schirò  etje.

Giuseppina\ Giusi Schirò.Studimet e para i mori  në Sicili, gjimnazin e kreu në Palermo, ndërsa studimet universitare i përfundoi në degën gjuhë letërsi pranë Universitetit të Palermos.

Giusi është pjesë e komunitetit arbëreshë të ritit bizantin. Ajo është njohëse shumë e mirë e kostumit arbëresh,frekuentuese e seminareve në gjuhën shqipe në Kosovë,autore e shumë artikujve shkruar në revistën “ Biblos”, aktiviste e botës arbëreshe në Hora.

Giuseppina Schirò, sot është punonjëse e bibliotekës, përgjegjëse e asaj pjese e departamentit  të autorëve të gjuhës arbëreshe-shqipe në Piana degli Albanesi\ Hora arbëreshe .

Libri i saj me poezi titullohet “Te dejti i Zemrës”, botuar në 2019.

Shumë autor botëror shkruan për detin; Ernest Hemingway –  në valët e tij do të na çonte në Karaibe “Plaku dhe deti”, Melville, do të na dhuronte  emocionet e Moby Dick,

Alessandro Baricco në Oceano, në kërkim të shpëtimit të vetvetes, ndërsa poetja Giuseppina Demetra Schirò do të na përcjellë te Dejti i Zemrës, me valë sa antike aq edhe moderne,  gërshetat e së cilës na përcjellin në Peleponez, lundrojmë me  Odisenë drejt Itakës, biem në kthetrat magjepse të Ligheas, ndalojmë në Sicili, mbathim mantelin nobël të Gatobardit, e me fije të arta në Hora arbëreshe qendis kostumin e Afërditës.

I interiorizon këto valë, krijon me ta  një amplitudë sa mitologjike  aq edhe aktuale, e na përcjellë  terthorazi tek Dea e Boticelljane, e cila nuk është  thjesht një Afroditë e bukur që krijohet nga shkuma e detit me degët korali që si diademë i qëndrojnë mbi kokë si perëndi e Olimpit. Ajo është  disi më tepër, është simbol  paqe e prosperitet e umanitetit, është pjesë iluminizmi ku harmonia e natyrës, mbërthehet me dridhjet shpirtit  në kërkim të shpëtimit të vetvetes, ku “dejti” bëhet një metaforë ekzistenciale në sintoni me bukurinë universale.

Ky det në zemrën e saj janë valë dhe herë herë dallgë pa zhurmë. E magjepsur nga “Lighea”,  lokalzon Ade-n e lundron jo si një Karonte por një “Sirenë- arbëreshë” veshur me kostumin plot. Herë herë na mbështjellë në tingullin e Symendronit  me mantelin e të premtes së zezë.

Nuk ndalon në pllajën  e Pezzutës, nuk kufizohet në tokën e Portellës, po  na çon te “Kafeja e rrugës “Po”, ku djelli zhurit e martirë josh.

Në poezinë e Giusit stuhitë kanë festë, Posejdoni me tredhëmbëshin pulson pasion, ndërsa “Gatopardi” elegant e fatal, njeri i botës së vjetër, i detyruar të jetojë në të renë, fiton vedijen në detin e paepur.

Sicilia, në vargjet e Giusit paraqitet një grua qerpikë me onde, e mërthyer në meridjanët e tre kontinenteve,  spërkat dritë e profum, por sa sublime aq edhe poetike.

Për Giusin kufijët tejkalojnë atë pjesë ujdhesë joniane mbushur me amfora e  psherëtima elegji, besnik i hijes së Argos, dizenjon mozaik e forma gjeometrike, copëza që bashkojnë në shkuarën, themele që kërkojnë rrënjët,  meteorë që lidhin të ardhmen, kafshojnë kontraste dhe disonante, por gjithmonë e gjen veten në ekuilibër midis qenies së saj njerëzore dhe dëshirës për të evokuar hyjnoren.

Introspektive, evokon me ëndërrat vertikal, zhytet horizontal “te dejti i zemrës së saj” dhe nën buzët perpendikolare të qiellit kërkon të ndjej deri ku arrijnë ëndërrat.

Vargu i saj, i butë “alkimi shkume”,  tretur në“erën e algave”,metamorfozuar “në kollona shpirti të rralla” ngyer në kaltërsinë e valve brënda vetës, pa gurgullima klithmash, pa psherëtima ngjirjesh, pa dritë të ngopura galvanizohet në stilin e saj “labor limae” ku ndihen studimet e saj të klasikëve Catulo,Orazio etje.

Giusi në poezinë e saj përdor një pend rrëshqitëse nën puhizën e Zefirit. Nuk  vendos sistemin e pikësimit në vargjet e sa, “serfon” si delfin, dhe herë përpëlitet si një  mbytur, por mjaftohet të mbahet tek “shkronja e madhe”  sa herë  kapërcen njërën  valë tek  tjetëra, për ti dhënë jetë vargut të saj në det të hapur.

Elementet mitologjik në poezitë e saj janë vetëm një pikënisje, harmonike, dhe kanë vetëm vlerën e një kornize. Ata nuk janë një seri inerte legjendash konvencionale, por një trashëgimi modelesh  shembujsh pas të cilave mund të zbulohet e vërteta e poezisë, forca e esencës së saj mbi qënien njerëzor.

Poezitë janë në dy gjuhë, italisht dhe arbërisht, në të njëjtën kohë spjegimet janë në gjuhën standarte. Tokfjalëshat arbërshe si ; “Kënetave të murrta, “stërpikën dejtin”,” Narënxat harlisjen”, menatë\ Agimi, Rrashti\ Kafka, Lurin\Ulurin,  kriptë\flokët, etje  japin bukuri stilistike e hijeshimnë vargut në gjuhën arbëreshe.

Bukurinë tingëlluese e shtojnë  edhe forma karakteristike në të folmen e arbëreshëve të Sicilisë që i gjejmë si në trajtat më antike: klarash\të qarash, apo në mungesa e zanores Y si tek fjala  zhitje\zhytje etje

Kultura bizantine, liturgjia kanë lënë gjurmë  në poezinë e Giust, gjë të cilin e shohim në përdorimin e alfabetit grek antik, në tituj  greqisht, apo në ndonjë shprehje  të cilën e përdor si sintezë. Kultura bizantine arbëreshe e shohim në simbolin e kopertinës; një rozario, pesull, në  thhellësinë e heshtje mes dallgëve blu, si një sperancë për humanitetin ku shpirti profan e besimtar, arbitër të lirë, por ordinar të një ekuilibri kozmik sa i kuq dhe i art.

Giusi përfundon vëllimin me fjalët:

Unë thesh time, tani thoni ju tuajën

Kush më bukur se Baudelair te Njeriu dhe Deti do të thoshte të tijën:

Ti, njeriu i lirë, do ta duash gjithmonë detin!

Deti është pasqyra juaj: ju sodisni shpirtin tuaj

në lëvizjen e pafundme të valës

Dhe shpirti juaj nuk është më pak humnerë e hidhur.

Sukusese të mëtejshme poetesha Giuseppina Demetra Schirò në krijimtarinë tuaj!

Ornela Radovicka

Qendra albanologjike mbi kërkimet e studimet e gjuhës dhe kulturës arbëreshe themeluar nga A. Bellusci 1980\ Frascineto\Cs. Itali