PËR NJË JETË ME DINJITET

Vëmendje për jetën

Shpeshherë kishte dëgjuar shprehjen “Vëri gishtin kokës”. Ku vendi me gjithë njerëz përpëliteshin stuhive dallgëmëdha. E sa e sa herë kishte parë njerëz në fotografi me poza që ilustronin thënien e tillë, të vënë në mendime, të thella, sipërfaqësore a kushediseçfare. Thënia e lartpërmendur përsëritej, hiç mangut nuk e linin as pozat. Derisa u përhumb nëpër mjegullnajë, për një çast u ndal, edhe nuk dinte kah t’ia mbante por edhe kishte drojë se mos po i përgjithësonte gjërat e mos ishte duke shitur mend e moral. Vetëtimthi si shkronja titrash iu vërtitën rreth kokës, e i pa ato diku në qiell, të shkruara me ajër, që formonin e shpalosnin porosinë: Vëmendje për jetën. Kjo aq sa iu duk domethënëse, poaq edhe ironike. U mëdysh a të përsiaste edhe pak rreth kësaj. Shkruajti diç shpejt e shpejt dhe e fshiu. Për një  kohë e la këtë temë. Iu kthye sërish. Herë-herë iu duk se do të mund të përcaktohej për një variant, dhe disi do arrinte ta përmbyllte këtë shënim që do të mund t’i duhej, a të paktën t’i kujtonte diçka. Diç mes etheve të ftohta e valëve të ngrohta. Diçka e përzier. Derisa po rrinte brenda një kafeneje, ndërsa jashtë përpos qiellit të hirtë, erës së ftohtë e gjelbërimit të harlisur të këtij prilli, përpara kishte dhe ca bashkëkafiteristë, ca sosh, pos tjerash rrinin e pinin duhan me nge. Përsëri mendja i valëvit e iu tallazit sikurse të ndodhej para një stuhie. Erdh kamarieri për të shërbyer, pa farë entuziazmi, pse a mos unë jam në gjendje më të mirë tha, pa mundur të buzëqeshte lirshëm e pa farë dhembje. Porositi dhe një çaj të gjelbër, që i erdhi përsëri me një copë të prerë limoni. E pinte ngadalë-ngadalë, e sytë i hidhte te goblenët me korniza, të vënë varg e vijë, që pas kornizave të tyre rrethoheshin katërkëndshmërisht me tulla të kuqërremta, edhe këto të vëna në korniza druri, pas së cilave vazhdonte pjesa e muri të lyer e qëlqerosur me të bardhë. I bëri pëtshtypje gobleni që kishte përballë, tabloja e tij, brenda dy kornizave. Kornizë në katror, dha me zë, dhe heshti. Një të tillë e kishte parë edhe kohë më parë në një tjetër kafiteri e ky i kujtonte po atë të tillin, që e mbanin në një dhomë shtëpie, dikur në fëmijëri. E përmbajtja pak a dhumë ishte kjo: një burrë me plis tirqi e xhamadanë afër gruas me veshje tradicionale shqiptare në një oborr shtëpie, pranë ca shkallëve kullote a pinte ujë një kalë. Derisa gruaja dhe burri dukeshin në gjendje të mrekullueshme harmonie mes tyre, mendja s’kishte s’i të mos i shkonte të ca ngjarje tepër të rënda, te ca kronika të zeza që kapluan vendin, po përsëri me shpresë se si shoqëri do të dijmë ta marrim veten e të gjejmë zgjidhje, për problemet që renditen, grumbullohen, shtresëzohen. Andaj mendoi se vëmendja për jetën është respekt për veten e tjetrin, nder e dobi për rrethin, shoqërinë, popullin, kombin, shtetin. Vëmendja për jetën është vëmendje për vlerat e dashurinë që s’kanë e s’mund të kenë alternativë. Vëmendje për jetën, pëshpëriti,  dhe iu duk se ajo nuk e meritonte të lihej kaq shumë anash siç e kemi lënë, kush më pak e kush më shumë. Vëmendje për jetën për të cilën mundemi më shumë për të bërë. Vëmendjen për jetën ta vazhdojmë gjithë gjithë jetës! Vëmendje për jetën me gisht në kokë e dorën në zemër. Derisa më pas ecte, në një të diele iu vërtit diç nëpër mendje, pastaj me elemete tjera të ditës në lëvizje, la një shenjë shkrimi në vargje.

Ndjejë fitoreje

Do të vijë një ditë
Kur korrupcioni
Do pësojë humbje të thellë
E bërrllogu kryet lart
S’do mund ta ngrejë
Kjo do jetë kaq bukur
Kjo do jetë kaq thjeshtë
Do të vijë një ditë
Kur do struken skllavëritë
E shkallët e stresit
S’do të jenë si shkallë
Nxënatokash e nxënaqiejsh
Do të vijë një ditë
Kur nëpër kontenjerë
S’do ketë nevojë të kacavirret kush
Si supermen e spajdermen
Do të vijë një ditë
Kur për stacione pritjesh
S’kemi pse mbështetemi
Si për dorëzim
E them këtë në këtë ditë
Kur vetëdija s’do na lë me u koritë
Këtë që thashë e ndjej
Kur zemra sot dhemb e buzëqesh