Guri i Bardhë i Matit, jeton edhe sot me gjurmët e Skënderbeut e Pjetër Budit

Të ngjitesh në fshatin pas shtatë bjeshkëve, qe në shekullin e XV renditej pas Shkodrës e Prizrenit, duhet shtegtuar përmes një kalldrëmi 500 e sa vjeçar,  ku ende ka gjurmë e kohës së Skënderbeut, me kështjellën e Petralbës, ku ai mbante gruan dhe fëmijët e ku edhe më tej qëndron në këmbë shtëpia e prozatorit të  parë të letrave shqipe,  Pjetër Budit ( që në vitin 1587 emërohet famullitar në Kosovë), paraqet jo vetëm një sfidë të rrallë, por edhe një emocion që të bën krenar.

Teksti e fotot: Rexhep Rifati

Gur i Bardh, krahina e Matit: Gjithë këtë rrugëtim prej më tepër se 200 kilometrash e realizuam, për rreth 7 orësh,  me inxhinierin e nga Shkupi, Jakup Reka nga Kosova, përmes Rrugës së kombit, në relacionin Burrel- Klos- Gur i Bardhë të qarkut e Matit, përmes një rruge gjarpërore të rrethuar me shkëmbinj të lartë, së cilës nuk ia dinim as fillin e as fundin , po të mos ishin ca barinj delesh apo shtegtar me gomarë.

Flitet se në fundin e shekullit të XV dhe në fillimin e shekullit të XVI, Guri Bardhë për numrin e shtëpive të banimit, renditej pas Shkodrës, e cila kishte 282 shtëpi, Prizreni kishte 557, Gjirokastra 302 dhe Kruja 128 shtëpi, ndërsa qytete më të zhvilluara, si Elbasani dhe Berati, nuk i kalonin 100 shtëpi.

Po tash, më 5 Nëntor 2018, kur isha në vizitë te Guri i Bardhë: Hyrja paraqiste një fshat të vogël malor, që shtrihet përmbi Luginën  Matit,  që na sjelli kërshëri dhe emocione, pasi na u duk sikur u kthyem për disa shekuj prapa, ndërsa edhe vetë jeta e banorëve të këtushëm ka lëviz e edhe më tej po lëvizë jashtë rregullave të kohës. Për çka dëshmon puna e rëndë që kryejnë qoftë në fushë apo shpatina banorët e këtushëm, duke bartur edhe më tej me litar në krah yshyrin e bagëtive apo drutë e zjarrit. Djaloshin që e takuam në hyrje të fshatit, Andi Kolgjinaj, nxënës i klasës së lartë në fillore e takuam me një gomar të ngarkuar përplot sanë për ushqimin e bagëtisë. Posa zbrazi barrën me gjyshen e tij plakë, por ende vitale na shoqëroi deri tek shtëpia e Budit. Ku dy mjeshtër punon në rregullimin e bazamentit ku do të vendoset buti i shkrimtarit.. Ndërsa që rruga shumë e papërshtatshme rregullohej nga disa punëtorë me disa makineri  në kuadër të projektit të 100 fshatrave turistike, përfshi këtu edhe Gurin e Bardh, i cili për disa orë do ti ofrohet Tiranës me të përfunduar të Rrugës së Arbrit, terrasa e së cilës ishte vetëm nja dhjetë kilometra larg.

Trashëgimia e Kastriotëve dhe e Budve

Zhvillimet urbanistike thuaja se fare nuk e kanë prek Gurin e Bardhë, si edhe në disa zona rurale të vendit që kam vizituar, përfshi edhe fshatin Frashër ( ku lindën frashnjëtë e famshëm),  sepse edhe më tej mbretëron një varfëri e skajshme, në fshatin tashmë të banuar kryesish me plaka në të zeza, pasi të rinjtë kanë marrë rrugën e kurbetit. Por ajo që nuk ka ndryshuar është edhe më tej krenarie e këtyre malësorëve  për të kaluarën e lavdishme të fshatit të tyre që e lidhin me lindjen e kryetrimit tonë në atë anë si dhe të shkrimtarit Pjetër Budi, këtu e 452 vite më parë. Është evidente se edhe më tej ka trashëgimtarë të Budëve të vjetër, të cilët gjatë pushtimit të gjatë osman, kur u ndërrua dhe feja nga katolikë në myslimanë, e që tashmë quhen Boda. Mësojmë e shohim se pavarësisht ndryshimeve që solli pushtimi shumë shekullor ende ka shenja nga e kaluara , qoftë kisha të vjetra e të rrënuara, apo shkolla të dikurshme, ku mendohet se është shkolluar dhe vetë Pjetër Budi.

Ndërkaq sa i përket shtëpisë së Pjetër Budit, thuhet se kjo që ekziston tash e ku është një pllakë guri ku është data e lindjes së shkrimtarit, është ngritur rreth 160 vjet më parë mbi themelet e së vjetrës, ndërsa banorja e vetme që tash jeton në te, Sofia Boda, rreth të 70 tave tregon një tra druri që mban tarracën e ballkonit të shtëpisë e që sipas pohimeve të saj :  “Është dru 400-500 vjeçar, nuk ka lëvizur që aty ky dru, që kur është ngulur për herë të parë”!

Monumenti i kulturës pa asnjë restaurim

Nga burime të shkruar, mësojmë se shtëpia e Pjetër Budit të cilën e vizituam kësaj jave është shpallur Monument Kulture zyrtarisht, por se praktikisht nuk është bërë asnjë restaurim dhe mirëmbajtje, ngjashëm me shtëpitë ku ka punuar e vepruar Fishta në Lezhë apo Noli në Durrës. ( të cilat i kam fotografuar dhe dokumentuar në librin tim “Shtegtimet e një gazetari”).

Të shpresojmë që diç do të ndryshojë në kuadër të projektit të 100 fshatrave turistike. Gjithashtu ka diçka që nuk ka ndryshuar, sikur se edhe vet rruga deri te Guri i Bardh, mikpritja tradicionale. Sepse në përfundim të vizitës që bëmë me Jakup Rekën, thuaja se filloi të bie muzgu, ndaj edhe mjeshtrit që punonin në ngritjen e bazamentit të bustit na latën që të bujmë, e që të mos rrezikojmë duke e marrë atë rrugë të dëmtuar, ku mund të pësonte vetura e të ngelim gjatë natës në rrugë.

Prozatori parë fare pak zë vend në librat shkollore

Po kush ishte Budi dhe vepra e tij, që në shkollat tona studiohet pak ose aspak, vetëm si pjesë e letërsisë së vjetër shqipe kësaj radhe po i referohemi me disa rreshta studiuesit të tij, Behar Gjoka, i cili po ashtu mundohet ta përmbledhë në pak fjali historinë e një jete të shkurtër, por me vlera të mëdha në disa dimensione: “Qysh në moshën 21 vjeç, shugurohet prift dhe shërben në Kosovë për 29 vite. Ai merr rrugën e kërkimit të mbështetjes me financa dhe armatime, në Spanjë, Francë, Poloni etj. Kërkon ndihmë për luftë të përbashkët kundër hordhive osmane. Por nga ana tjetër, lufton edhe për ruajtjen e gjuhës shqipe. Nga viti 1616 deri në 1621 qëndron në Romë dhe boton veprat “Doktrina e Kërshtenë”, “Pasqyra e t’Rrëfyemit” dhe “Rituali Roman”. Prej kohësh, nga studimet letrare është pranuar dhe pohuar që është poeti dhe prozatori i parë i letrave shqipe”.

Budi, heroi që dha jetën për fjalën shqipe

Behar Gjoka, shpjegon se edhe vdekja e Budit si patriot e meshtar i gjuhës shqipe, paraqet një vdekje që ka misteret e saj të pazbardhura deri më sot:  “Në dhjetorin e largët, 1622, Budi mbytet, vdekja e tij nuk ishte aksidentale, por e projektuar prej kohësh. Ende historia e emërton vrasjen e tij, si aksident, ndërsa Frang Bardhi, më 1642, sillte argumente të qarta se ishte një zhdukje në valët e Drinit. Budi ka qenë gjurmuar qysh nga viti 1616, kur shkon për herë të parë në Romë. Me të ishte dhe Nikollë Leka, e deri ditën kur u nda nga jeta”, thotë Gjoka., duke nënvizuar se: “Budi, është martir i gjuhës shqipe, është poeti pa varr, është heroi që dha jetën për fjalën shqipe, si bari shpirtëror dhe si shkrimtar”.

Ndërkaq dihet se që se Pjetër Budi në vitin 1587 emërohet famullitar në Kosovë. Kjo ishte lidhja e tij Guri i Bardhë – Kosovë, ndërsa udhëtimi ynë ishte në të kundërtën Kosovë- Guri i Bardhë, për të vizituar fshatin e tij dhe nderuar shkrimtarin që u flijua për gjuhën shqipe.