Pesë botime të ISEAL-it, mirëpriten në Ambasadën e Kosovës në Bernë

Instituti Zviceran për Studime Shqiptare (ISEAL) me seli në Lozanë, që drejtohet nga Driton Kajtazi, që shquhet edhe në lëmin e kërkimeve shkencore, promovoi disa botime të autorëve shqiptarë e zviceranë, me tema jo vetëm nga komuniteti ynë i madh në shtetin helvetik por edhe trojet etnike 

Teksti e fotot: Rexhep Rifati
Të mërkurën më 4 Dhjetor 2019, në lokalet e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Bernë u mbajt edhe një promovim i radhës të botimeve të ISEAL-it. Kësaj radhe u bë promovimi i 5 botimeve të këtij instituti. Paraprakisht, evenimentin e shpalli të hapur ambasadorja e Kosovës në Bernë, zonja Nazane Breca e cila pasi kërkoi që me një minutë heshtje të nderohen viktimat e tërmetit në Shqipëri, përshëndeti të pranishmit, duke veçuar: ish.- ambasadorin e Zvicrës në Shqipëri e kryetar nderi të SEAL-it, z. Francis Cousin dhe Dr. Olivier Meuwly, historian, gjegjësisht kuadër i lartë në Kantonin Vaud dhe anëtar i Këshillit të Fondacionit të ISEAL-it. Në këtë promovim ishin edhe ambasadori i Shqipërisë në Zvicër, Ilir Gjoni dhe i Maqedonisë së Veriut, z. Kenan Ramadani. Ambasadorja Breca njëherësh  i shprehi mirënjohje drejtorit të këtij instituti, Driton Kajtazi, e autor i disa botimeve e mësimdhënës në Kolegjin Léon-Michaud (Yverdon VD). Ndërsa që nga radhët e ISEAL-it ishte e pranishme edhe Dr Arbesa Shehu Gremeau, Kryetare e Këshillit të Fondacionit të këtij instituti .

Emra të shquar edhe nga pala zvicerane

Institutit Zviceran për Studime Shqiptare (ISEAL  me seli në Lozanë, që drejtohet Driton Kajtazi, shquhet prej vitesh për një veprimtari në disa lëmi e sidomos në atë të kërkimeve shkencore, aq më parë që rreth vetës ka arrit të tubojë emra të shquar edhe nga pala zvicerane, drejtues institucionesh, ligjërues universitar, parlamentar e të tjerë, që bashkë me emra të dalluar nga pala shqiptare prej vitesh hulumtojnë dhe trajtojnë tema në domenin e njohjes dhe afirmimit të vetë komunitetit si dhe të forcimit të bashkëpunimit të ndërsjellë midis vendeve prej nga kanë migruar shqiptarët në shtetin helvetik.

Nga themelimi mbi 20 tituj të ndryshëm

Në këtë vazhdë do kuptuar edhe punën e madhe që bën ky institut në lëmin e botimeve, i cili nga themelimi ka arrit të nxjerr në dritë mbi 20, nga të cilët pesë prej tyre u prezantuan mbrëmë edhe në Bernë në përkujdesje dhe organizim të Ambasadës së Republikës së Kosovës në shtetin helvetik

Gjatë kësaj mbrëmje para dashamirëve të librit u bë promovimi këtyre botimeve:
– «40 vite në shërbim të diplomacisë Zvicerane» (botim në gjuhën frënge)
– «Urtësi nga Kosova» (botim në gjuhët shqipe, gjermane, frënge, italiane dhe angleze)
– «Kosova, Histori e pranishme e një shteti të ri» (botime ne gjuhët shqipe dhe frënge)
– «Rrënjë për tu rritur gjetiu» (botime në gjuhët shqipe dhe frënge).

Francis Cousin: 40 vite në shërbim të diplomacisë Zvicerane

I pari nga librat u promovua ai me autor: Francis Cousin, «40 vite në shërbim të diplomacisë Zvicerane» (botim në gjuhën frënge), që brenda katër dekadave sa ishte në shërbim të diplomacisë zvicerane, kishte shërbye edhe si ambasadori Zvicrës në Shqipëri, kurse aktualisht është kryetar nderi të SEAL-it. Z. Francis Cousin, në librin e tij kishte shkruar edhe një kaptinë nga shërbimi i tij në Shqipëri duke e ilustrua qëndrimin e tij me foto e tekst nga ajo përvojë që kishte pa e përjetua në Shqipëri, duke e veçua jo vetëm reliefin përplot bukuri natyrore, por edhe mikpritjen tradicionale që u ofrojnë shqiptarët të huajve, sidomos atyre që krijojnë ura miqësie siç ishte rasti edhe me diplomatin e karrierës dhe mikun e shqiptarëve Francis Cousin.

Dr. Olivier Meuwly, njohës i mirë i rrethanave në Kosovë

Referues i dytë lidhur me përmbajtjen e botimeve e më gjerë ishte Dr. Olivier Meuwly, historian, kuadër i lartë në Kantonin Vaud, autor, anëtar i Këshillit të Fondacionit ISEAL-it, që shquhet edhe si  njohës i mirë i rrethanave në Kosovë dhe në relacionet e Bashkimit Evropian. Ndërsa, Driton Kajtazi, u ndalë tek puna që bënë institucioni që drejton në fushën e botimeve, duke mos u ndal vetëm në Zvicër, por edhe në disa nga botimet që tematikë kanë edhe Kosovën, apo edhe viset shqiptare pa dallim, ngase siç tha as kur flasim e veprojmë këtu, nuk i dallojmë shqiptarët në baza regjionale, apo sipas bindjeve e përcaktimeve të tyre, të çdo natyre qofshin.

Librat botohen pa pasur donacione përkatëse

Edhe titujt e librave tjerë që u promovuan si: 1) Kosova, histori e pranishme e një shteti të ri (aktet e Simpoziumit shkencor me rastin e 10 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës të mbajtur në Universitetin e Lozanës) . 2) Kosova: Histoire présente d’un nouvel état (botim në gjuhën frënge, aktet e simpoziumit shkencor me rastin e 10 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës të mbajtur në Universitetin e Lozanës): 3) Rrënjë për tu rritur gjetiu (tekstet e tri çmimeve të para të një konkursi letrar të mbajtur nga Universiteti i  Lozanës dhe ISEAL, botim në gjuhët frënge dhe shqipe) dhe 4) “Urtësi nga Kosova” (botim në gjuhët shqipe, frënge, gjermane, italiane dhe angleze.) u mirëpritën nga libërdashësit që morën pjesë në këtë promovim librash.

Edhe me këtë rast do theksuar se instituti tërë këtë veprimtari botuese e zhvillon në kushte shumë të kufizuara financiare, po donacione përkatëse, sidomos jo të institucioneve gjegjëse të Kosovës..

Urtësia  ka vetëm një gjuhë: Njerëzimin

Me këtë rast po jap fjalën nga parathënia e librit të fundit, që paraqet një ekzemplar të rrallë jo vetëm nga fakti se është në 5 gjuhë dhe ka një përzgjedhje të thesarit të fjalëve tonë të urta, porse në te gjen edhe diçka shumë më mbresëlënëse e delikate, pasi në kurorëzimin e këtij botimi unik, kanë kontribuar edhe personat me aftësi të kufizuara. Për më tepër parathëna e librit, “Urtësi nga Kosova” e autorit, Driton Kajtazi:

Kur një gjuhë nuk e ka fatin të frymojë në lirinë e të shprehurit, sikur e gjen prehjen dhe strehën në urtësinë e të menduarit të të folurit metaforik. Gjuha shqipe, e ndaluar me shekuj nga pushtues të ndryshëm, në kryqëzim të udhëve pushtuese, gjeti rrugëtimin e vet falë dashurisë dhe urtësisë së folësve të saj. Gjuha shqipe, shqiponjë sfiduese e stuhive, e bëri folenë e vet, bëri fluturimin e fjalëve.

Në kërkim të bukurisë së shprehjeve gjuhësore për këtë libër, njëherësh kërkoja dhe bukurinë ushqyese të natyrës për sy dhe fjalët e urta shoqërohen me imazhe të bukura, në Kosovë, në Zvicër, në Itali dhe gjetiu, pa kufij. Bukuria e fjalëve të urta nuk ka kufij, peizazhet nuk i përkasin vetëm një gjuhe e as vetëm një territori.

Enkas dhe origjinale për libër, punime dore nga gratë e Kosovës

Punime dore, enkas dhe origjinale për libër, të bëra nga gra në Kosovë, të prekura nga lufta dhe nga pesha e së kaluarës, e pasuruan, e përmbyllën këtë libër. Tani, në liri, nëna, motra, vajza, shoqe, kolege,  fqinje, frymojnë ashtu që bukuria e qëndisjes së fjalëve të gërshetohet me qëndisje, shprehje kjo e vetme artistike me shekuj, rrezatuese ndaj errësirave, rreze në hijen e pushtuesve të ndryshëm. Gratë nga  Qendra për Promovimin e të Drejtave të Grave në Drenas përmbyllin këtë libër me porosi njerëzore, me shpresë përjetësie, me një lule të vetme, lule Genciana, por të qëndisur në një mijë mënyra. Dhe këto punime me këtë libër ju sjellin freski lulesh për sytë tuaj, ngrohtësi amtare në duart tuaja.

Një thesar fjalësh të urta nga emra të historisë dhe artit botëror

“Njeriu në jetë ka nevojë për një filxhan shkencë, një shishe kujdes dhe një oqean durim”, shkruan Ismail Kadare. Me durim u qëndisën fjalët e urta, trashëgimi njerëzore, me durim u qëndisen lulet Genciana për  këtë libër, lule me emrin e mbretit ilir, Genci. Emrin e ka nga një mbret ilir, por aromën e jep për tërë njerëzimin, pa kufij. “Bota është një lule, do t’i marrim erë të gjithë”, thonë në gjuhën shqipe, në gjuhën e mbretit Genc.

Nëna Tereze, nga mendja e urtë e saj shkruan: “Ajo që ne ndiejmë se bëjmë, është vetëm një pikë uji në oqean. Por, oqeani do të ishte më i paktë për shkak të asaj pike që mungon». Ky libër është një pikë urtësie në oqeanin e urtësisë njerëzore, një pikë që e ushqen këtë oqean mendor njerëzor.

Këto punime, të ngjitura në kopertinë nga personat me aftësi të kufizuara, të organizatës Handikos në Prishtinë, sfidojnë hapësirën për t’i dhënë peshë kohës. Përmbyllje e botimit nga persona që e kanë forcën më të duhur që të përmbushin botimin e një libri me urtësi popullore. Me respekt i shikojmë dhe frymëzohemi nga dinjiteti, nga forca morale e personave me aftësi të kufizuara në lëvizje fizike, por me një shpejtësi sfiduese mendore për pjesën tjetër të popullatës, që e pranon se “kujt nuk i lodhet koka, i lodhen këmbët”.

Fjalët e urta, fjalët e ndritura të mendimit dhe të veprimit njerëzor, të domosdoshme, ashtu sikurse uji dhe dielli për natyrën dhe për lulet Genciana.

Një nënë i mundësoi librit të ketë këto një mijë punime

Një mijë punime të tjera, shënim-faqe, të tërat janë bërë nga një nënë dhe 4 vajza të saj në një fshat të Klinës. Një nënë, që qiellin e saj të zymtë, nga pesha e së kaluarës, e sfidoi me horizonte të reja, me jetë të reja, me një diell tjetër. Dhe, doli fitimtare, e liruar nga pesha e së kaluarës. Anonime, heroinë familjare, kjo nënë i mundësoi librit të ketë këto një mijë punime, shënim-faqe, për lexime të faqeve, krerëve, librave të rinj. Horizonte të reja leximi, horizonte të reja mendimi, zenite të reja veprimi.

Një mijë punime të tjera, të bëra nga një nënë tjetër, u bashkohen shënim-faqeve: fletë dhe lule, që nënat i vinin në djepe për foshnja, ngjyrime të mbledhura nga copëzat e pëlhurave, nga leckat, për të dhënë të qeshura, me të cilat foshnjat ndrisnin shtëpitë modeste. “Populli është një rezervuar i pafajësisë”, thoshte shkrimtari zviceran Ramuz. Askush më shumë se pafajësia e fëmijëve, cicërima e jetës, nuk mund të shoqërojë shënim-faqet për të lexuar mendime e ngjyrime të reja, ylber i mendimit pas shiut, lot i natyrës, ndjenjë e tokës.

“Është dëm kur miqtë kërkohen në largësi e armiqtë në fqinjësi”, kam lexuar diku. Kur miqtë kërkohen në largësi e në afërsi, e armiqtë askund, urtësia, në largësi e afërsi, kapërcen kufijtë për t’u bërë pjesë e familjes së saj, që e ka vetëm një gjuhë: njerëzimin.

“Lirinë nuk jua solla unë, por e gjeta në mesin tuaj!” – tha Skënderbeu, kur arriti në Krujën e liruar nga pushtimi. Ky libër, në mesin tuaj, në urtësinë tuaj mendore, le t’ju shoqërojë me një moment refleksioni në këtë kohën tonë, ku reflekset e ndryshimeve të shpejta hijezojnë refleksionet e veprimeve njerëzore.

Duar të praruara bënë këto tre mijë punime. Duar të praruara të nënës sime thurën edhe jetën time, qëndisën dashurinë në mua për fjalë të urta, me urtësi, me gjuhën e nënës sime, njerëzore.

Kësaj radhe për lexuesit e portalit po sjellim edhe biografitë e tre autorëve të promovimit në Bernë:

Francis Cousin, ka pasur poste të rëndësishme në Ministrinë e Punës së Jashtme të Konfederatës Zvicerane. Vlen të përmendet posti tejet i rëndësishëm me të cilin Z. Francis Cousin është ngarkuar nga qeveria Zvicerane : “Shef i inspektoratit konsullor, administrues dhe financiar”. Z. Francis Cousin Ka pasur po ashtu funksione të ndryshme diplomatike në mesin e të cilave: konsull dhe diplomat në Afrikë, në Amerikën e Jugut dhe të Veriut, në Azi dhe në Evropë. Nga gushti I vitit 2000 deri në tetor të vitit 2002, Francis Cousin ishte ambasador i Zvicrës në Shqipëri. Anëtar i Pool suisse d’experts për promovimin qytetar të paqes që prej 2003, i Komisionit të Etikës për Universitetin e Gjenevës (2004-2009) dhe i Komisionit Federal të Pranimit në Shërbimin civil (2003-2009) Francis Cousin është një nga themeluesit e ISEAL-it dhe Kryetar i Nderit i ISEAL-it. Përvoja e Zotit Francis Cousin ishte dhe është e jashtëzakonshme në themelimin dhe në veprimin cilësor të ISEAL-it.

Olivier Meuwly ka bërë doktoratë në drejtësi dhe letërsi. Është zë vendës në Sekretariatin e përgjithshëm në Departamentin e financave dhe relacioneve ndërkombëtare të kantonit Vaud. Autor I veprave të numërta, Z. Meuwly është një nga referencat e Zvicrës franceze në fushat politike, historike dhe ekonomike. Është bashkëpunëtor në media të ndryshme në mesin e të cilave gazeta “Le Temps”. Olovier Meuwly poashtu bën ligjërime në Universitete të ndryshme frankofone. Z. Meuwly është anëtar I Këshillit drejtues I ISEAL-it dhe poashtu anëtar i kryesisë së ISEAL-it. Njohës I jashtëzakonshëm I rrethanave politike në Zvicër, Olivier Meuwly përkundër angazhimeve të jashtëzakonshme ka gjetur kohë dhe ka bërë disa paraqitje edhe në Kosovë veçanërisht në Bibliotekën Kombëtare në Prishtinë dhe në Fakultetin e Drejtësisë në Prishtinë. Olivier Meuwly ka marrë dhe merr pjesë aktive në kuadër të ISEAL-it veçanërisht në sektorin e botimeve të ISEAL-it.

Driton Kajtazi është mësimdhënës i Frëngjishtes, Projekteve dhe Historisë Fetare (Kolegji “Léon-Michaud” në Yverdon), bashkëpunëtor në njësinë UMA pranë Ministrisë kantonale të Arsimit dhe drejtor i ISEAL-it. Autor i disa veprave (“Hënore e Zvicrës, “Guri Ura, i huaji vendor”, “Dallime Identike”), Driton Kajtazi ka fituar çmimin e pare në “Sallonin e Librit Ballkanik” në Paris ku tani është Anëtar i Nderit. Vitin e kaluar ka marrë Medaljen nga Qeveria Shqiptare : Personalitet i vitit i Frankofonisë. Kryetar i Jurisë i “Çmimit kantonal të Integrimit”, kryetar i parë i Shoqatës së Studentëve Shqiptarë në Universitetin e Lozanës, pastaj i Lidhjes së Studentëve Shqiptarë në Zvicër. Jep konferenca të numërta kombëtare dhe ndërkombëtare, në mesin e të cilave në Bruksel dhe në OKB (Gjenevë). Ka diplomuar në “Frëngjishte Moderne”, ka specializzar në “Menagjmentin e Organizatave Ndërkombëtare” (Universiteti i Lozanës) dhe ka bërë “Master of Advanced Studies in Intercultural Communication” (Universiteti i Luganos).