Nuhi Sylejmani – Vrasja e trefishtë (kujtime e fakte)

Këtu mund ta shkarkoni librin
Këtu mund ta shkarkoni librin

Lufta për liri e bashkim kombëtar, zanafillën e vet e ka që nga pushtimi serb i viseve shqiptare. Por, organizimet ilegale marrin hov menjëherë pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, pra që nga viti 1944, kur u bë e njohur se rezistenca dhe lufta e armatosur e më shumë se gjysmës së popullit shqiptar kundër fashizmit nuk do të kurorëzohej me fitore ashtu siç trumbetohej gjatë gjithë kohës së luftës, por do të kurorëzohej me një robëri të re, shumë më të egër se ç’ishte robëria nën okupatorin nazi-fashist. Grupet ilegale, të formuara nga intelektualët patriotë, punëtorë e fshatarë, luftoheshin egër nga regjimi jugosllav, si brenda ashtu edhe jashtë vendit.
Punëtorët shqiptarë, që për shkaqe sociale ishin të shtrënguar të mërgonin në vende të ndryshme të Evropës, në Amerikë e Australi, gjenin forma të ndryshme për t’u organizuar që sado pak t’i dilnin në mbrojte atdheut të nëpërkëmbur nga sllavët e jugut. Në mesin e shumë organizatave të tilla që vepronin të shkapërderdhura gjithandej Evropës ishte edhe celula “Vullneti”, e panjohur për kohën, por që luajti një rol shumë të rëndësishëm në vitet pasuese, veçmas pas shpërthimit të demonstratave të vitit 1981 në Kosovë. Kjo celulë, e themeluar nga Nuhi Sylejmani, numëronte nëntë anëtarë. Qëllimi fillestar i saj ishte propagandimi i çështjes së pazgjidhur të shqiptarëve në Jugosllavi, mbledhja e ndihmave dhe shpërndarja e materialeve propagandistike në mesin e mërgimtarëve.
Takimi me Jusuf Gërvallën sikur ndryshoi rrjedhën, jo vetëm të Nuhi Sylejmanit, por të mbarë celulës “Vullneti”. Organizimi i mirëfilltë, krijimi i bindjeve të reja dhe vetë qenia nën hijen e kolosëve të mëdhenj të çështjes kombëtare shqiptare, siç ishin Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka, bënë që Nuhi Sylejmani dhe celula e tij të renditen drejt, si dhe të përforcojnë besën dhe nderin duke dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm.
Virtytet e një burri të papërkulshëm, siç ishte Nuhi Sylejmani, u hetuan me kohë nga Jusufi, Kadriu dhe Bardhoshi, prandaj nuk ishte e rastit që vendimet më kapitale që u morën në atë kohë të jenë në bashkëpunim të barabartë me të, duke ia besuar edhe atij pjesën e përpjekjeve për luftë të përbashkët. Puna e tij e palodhur, dora e tij e lirë, bashkëpunimi i shkëlqyer i celulës “Vullneti” për mbledhjen e ndihmave, propagandimin e çështjes shqiptare dhe në fund tubimin e mjeteve për blerjen e makinës së shkrimit sipas kërkesës dhe nevojës së Jusufit, bënë që Nuhi Sylejmani të jetë njëri nga besnikët më të mëdhenj që kishte pranë vetës Jusuf Gërvalla.
Këtë besnikëri të këtij burri fisnik e vërteton më së miri amaneti i fundit i Jusuf Gërvallës, në natën e kobshme të 17 janarit të vitit 1982, në Untergruppenbach të Gjermanisë, kur agjentët e shërbimit sekret jugosllav zbrazën dhjetëra plumba kundër lules më të bukur që kishte pasur ndonjëherë populli shqiptar, pra kundër Jusuf Gërvallës, Kadri Zekës dhe Bardhosh Gërvallës. Kjo përzgjedhje e Jusuf Gërvallës në çastet e fundit të jetës së tij, nuk ishte ndonjë vendim çasti, apo ndonjë rastësi, por ishte një bindje e krijuar që nga maji i vitit 1980, dhe e përforcuar deri në çastet e fundit të jetës së tij. Sesa kishte pasur të drejtë Jusuf Gërvalla që bëri një përzgjedhje të tillë, flet vetë Nuhi Sylejmani, autori i këtij libri, duke shpalosë kujtimet e tij të veneruara nga një këndvështrim tjetër, të përjetuara nga një inferioritet vandal, por gjithsesi të mbështetura me fakte e dokumente autentike të kohës.
Pra, ky libër kujtimesh, i realizuar nga një pamje tjetër, i mbështetur me dokumente e fakte të kohës, vjen në një kohë kur rreth vrasjes tragjike të 17 janarit të vitit 1982 në Untergruppenbach të Gjermanisë, janë shkruar me dhjetëra libra, një pjesë e të cilave në mënyrën më tendencioze e lëndojnë realitetin historik dhe e shtrembërojnë të vërtetën. Prandaj, ky libër le të mbetet një pamje reale e atyre ngjarjeve të dhembshme të 17 janarit ’82, dhe së dyti, dokumentet dhe faktet autentike që paraqiten në të të jenë si objekt studimi nga historianët e mirëfilltë!

Muharrem Blakaj
Cyrih, shkurt 2010

Nuhi Sylejmani
Nuhi Sylejmani

Njëri ndër veprimtarët më të devotshëm të rrethit Böblingen-Sindelfingen, pa dyshim se është Nuhi Sylejmani, themeluesi i celulës “Vullneti”, që ju dha mbështetje kryesore besnikërie, organizative dhe materiale Jusuf e Bardhosh Gërvallës, e deri diku edhe Kadri Zekës. Për këto tundje të kohës, që lanë vragë të pashlyeshme në kujtesën e tij, do të flasë vetë z. Sylejmani, përmes librit të tij me kujtime e fakte, me titull: “Vrasja e trefishtë”.
Nuhi Sylejmani është lindur më 10 maj 1943, në fshatin Stanec, Lagjja Lesbaliu. Shkollën tetëvjeçare kreu në Caravajkë. Që nga 22 maji 1969 është punëtor në Gjermani.
Kujtimet dhe dokumentet përcjellëse brenda librit sjellin fakte historike të pakundërshtueshme dhe të panjohura gjer më tani. Në mënyrën më të përpiktë paraqitet gjendja dhe zhvillimi i tri organizatave shqiptare të asaj kohe, që vepronin kryesisht në botën e jashtme, si Fronti i Kuq Popullor, GMLK/OMLK dhe LNÇK/LNÇKVSHJ, si dhe proceset organizative dhe ideologjike nëpër të cilat kalojnë këto organizata para dhe pas demonstratave të vitit 1981 në Kosovë.

Autori, ndër të tjera, në mënyrën më besnike përshkruan peripecitë dhe ballafaqimet me sfida të shumta të familjeve Gërvalla dhe Zeka, pas atentatit të 17 janarit të vitit 1982. Përveç përçarjeve të brendshme, autori i përshkruan hollësisht presionet e hetuesisë gjermane që i bëhen familjarëve dhe bashkëpunëtorëve më të ngushtë të vëllezërve Gërvalla dhe të Kadri Zekës.
Në mënyrë të paanshme, në pjesë të caktuara të librit, trajtohen pengesat organizative, ballafaqimet, fërkimet, thyerjet dhe përçarjet brenda lëvizjes shqiptare në botën e jashtme, çka nuk është e panjohur për asnjë lëvizje kombëtare dhe çlirimtare, duke pasur parasysh rrethanat dhe kontekstin historik si dhe raportin e forcave në të cilat veprojnë lëvizjet çlirimtare.
Si anëtar i Komitetit Drejtues të LRSSHJ-së, autori përjeton manipulim dhe arrogancë, pengohet në ushtrimin e detyrës së tij, izolohet e sulmohet paskrupull me shpifje dhe intriga, por nuk thyhet. Si njeri i përpiktë dhe i strukturuar në punë e jetë, i vendosur, i palodhshëm dhe besnik, gjatë gjithë librit nuk i shmanget parimit të së vërtetës objektive, pa revidime, qoftë në raport me vetveten, qoftë me të tjerët. Brenda librit përmendën edhe emra atdhetarësh dhe veprimtarë tjerë aktiv të lëvizjes në botën e jashtme, që kanë kontribuar personalisht dhe materialisht në dobi të çështjes kombëtare.
Shpresojmë se me pjesën tjetër të kujtimeve, Nuhi Sylejmani do të zbardhë për opinionin publik të panjohura të tjera të periudhës vijuese të aktiviteteve në këtë pjesë të botës shqiptare dhe të historikut të lëvizjes sonë kombëtare, në këtë rast të LRSSHJ-së, në të cilën autori veproi dhe drejtoi aktivisht segmente të rëndësishme të lëvizjes, si në aspektin propagandistik e teknik, ashtu edhe në atë material e organizativ.

Osman Osmani, bashkëveprimtar i Nuhi Sylejmanit nga vera e vitit 1982
Shkurt 2010