Isuf Ismaili: Në Ungrën arbëreshe shkëlqyen veprimtaritë e përbashkëta arbëreshe – shqiptare
Në vendbanimet arbëreshe në Italinë e Jugut, në veçanti në Kalabri e në Sicili mbahen manifestime të rëndësishme në përkujtim të Motit të Madh, të periudhës së lavdishme të Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu. Edhe në kuptimin e vlerave historike edhe si paraqitje artistike janë manifestime të një niveli të lartë, të përshkuara nga ndjenja të çiltra dhe emocione të forta, duke dhënë shumë qartë shfaqjen e qëndrueshmërisë arbëreshe si një vazhdimësi që përcillet te brezat e rinj.
Në katundin Ungër, tashmë është krijuar një traditë e shkëlqyer, nga shoqata “Arbëria” (Pro Loco „Arbëria“ di Lungro), duke filluar nga viti 2016 mbahen manifestime për çdo vit, aty nga gjysma e shkurtit, për t’i hapur udhë edhe karnavaleve që bëhen në një atmosferë tepër interesante, me këngë valle etj., në sheshet, në shtëpitë arbëreshe e lokalet e ndryshme.
Këtë herë manifestimi u mbajt më, 14 shkurt 2026, në përkujtim të jetës, veprës, betejave e fitoreve të mëdha të popullit arbëresh me krye Heroin Kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu.
Përgatitjet bëhen për muaj të tërë, sidomos të shtunave dhe dielave, pasi gjindtë (njerëzit) janë më të lirë.
Në këto përgatitje dhe në gjithë manifestimin, të tërë pjesëmarrësit shfaqin një përkushtim të madh, por në veçanti, ka rëndësi të theksojmë, veprimtaret e shquara, presidenten e shoqatës Rosa Carbone e sekretaren Saverina Bavasso, të cilat shfaqin të gjithë talentin, përkushtimin, të themi ashtu, kanë atë shpirtin veprimtarisë, si në planin organizativ, ashtu edhe me pjesëmarrje aktive në krah të aktorëve, në manifestimet e shumta, duke u nisur që nga paraqitjet e veprimtarisë të quajtur “Skanderbeku, prindi i Arbërisë”. Ato bashkëveprojnë në mënyrë përkryer, duke i dhënë jetë aktiviteteve e realizimeve shoqërore, kulturore e artistike. Të theksojmë se presidentja Rosa Carbone dhe sekretarja Saverina Bavasso, padyshim e kanë një emër shumë të nderuar tek arbëreshët e te shqiptarët, sepse kudo ku kanë shkuar e kanë mbrojtur me dinjitet të plotë e përzemërsisht emrin Arbëri dhe emrin arbëresh, në të gjitha veprimtaritë e tyre.
Të theksojmë se televizioni RAI Calabria, i cili ka filluar të japë dokumentarë me arbëreshë në katundet arbëreshe të Kalabrisë, pardje e regjistroi manifestimin e arbëreshëve në sheshet e katundit Ungër. Paraqitjet e veprimtarëve arbëreshë janë tepër interesante, ku shfaqet përkushtimi i realizimit të pamjeve mbresëlënëse për jetën e veprën e Heroi tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu. Për realizimin e këtyre dokumentarëve janë shfrytëzuar materiale të shumta. Po në këto realizime autorët kryesor janë: Nicolla Bavasso, Saverina Bavasso, Vicky Macri etj.
Për të gjithë ne këto janë veprimtari të shkëlqyera, sepse për arbëreshët- shqiptarët Gjergj Kastrioti Skënderbeu nuk është vetëm Hero Kombëtar, ai është simbol i identitetit, qëndresës dhe bashkimit historik.
Për arbëreshët mund të themi se ai është bosht i kujtimeve që i lidh ata me atdheun, me Arbërinë e lashtë. Ai u bë simbol i krenarisë dhe jetësisë arbëreshe, ai u bë figura që i lidh dhe e justifikon historikisht mbijetesën e përkatësisë arbëreshe – shqiptare në diasporë, ai, kështu, bëhet “flamur i gjallë”, si dëshmi e madhe se arbëreshët kishin shtet, prijës të shkëlqyer dhe dinjitet politik. Për të gjithë ne, ai është simbol i bashkimit dhe dinjitetit të përbashkët dhe vazhdimësisë e jetësisë sonë arbëreshe – shqiptare.
Të gjitha këto vlera të cekura më sipër janë paraqitur nëpërmjet veprimtarive arbëreshe në Ungër.
Në sheshet e Ungërs pardje dhe dje në sallën e madhe të teatrit që ka Ungra u dëgjua disa herë(u gjegj, siç thonë arbëreshët) brohoritja: ”Rroftë Skënderbeu”. Këto brohoritje janë shembujt më të mirë, se Skënderbeu rron e do të rrojë në zemrat tona, në gjakun tonë, në veprimtarinë tonë dhe se me këto brohoritje i thonë botës “Rrojmë o botë me dinjitet e përgjithmonë, brez pa brezi, e mot pas moti.”
Këto veprimtari nisin me historinë Skënderbeut si fëmijë e gjer në vdekjen e tij e përtej vdekjes së tij është kujtimi i tij, gjallëria jonë dhe i pasardhësve arbëreshë e shqiptarë.
Janë përkujtime të organizuara mirë, ku del në pah ajo qëndresë shekullore e ardhur gjer me sot me atë prushin e zjarrin që kanë arbëreshët për të qenë vetvetja, për të qenë me dinjitet e me një çiltërsi dhe me një dashuri të pashoqe vëllazërore kur na presin krahëhapur, na përqafojnë e kur zemra e tyre mbushet me hare, sapo të na shohin. Kështu ata na flasin se si duhet të jetë edhe ardhmja e mërgatës së re shqiptare që është shpërndarë në botë apo siç thonë ata gjaku ynë i shprishur.
Kështu të gjitha këto aktivitete flasin për të bëmat për ato ngjarje të shquara të Skënderbeut. Aty paraqiten dhe marrin kuptim të qartë për gjeneratat e reja dhe të gjithë njerëzit tanë të bëmat e asaj periudhe zulmëmadhe.
Janë interesante se si paraqitet ardhja e Skënderbeut në Arbëri, lufta me ushtarët turq, betejat e mëdha arbëreshe që për 25 vite me radhë vazhduan, të cilat u bënë një mburojë e Arbërisë dhe Evropës, pastaj në një shesh tjetër paraqitet martesa e Skënderbeut me Donikën, këngët dhe vallet e hareja e madhe që mbretëron në dasmë.
Betejë pas beteje, qëndresë e vazhdueshme me dinjitet është ajo periudhë, por kur Skënderbeu sëmurët rënd, i mblodhi ushtarët e komandantët e tij dhe u lë porositë e mëdha se duhet të jenë gjithmonë të bashkuar. Këto të gjitha dalin të paraqitura nga aktorët e shoqatës “Arbëria” në Ungër.
Të gjitha këto aktivitete me kaq përkushtim janë planifikuar, organizuar dhe realizuar mrekullisht.
Në paraqitjet e djeshme mori pjesë edhe një grup valltarësh shqiptarë që banojnë në St. Gallen të Zvicrës, të cilët shoqatën e tyre e quajnë “Iliria”. Ata të gjithë paraqitën para publikut valle të njohura shqiptare, duke i dhënë hare të madhe të gjithë pjesëmarrësve në sallë. Ata ndër të tjera e hodhën vallen “O festë të madhe ka sot Shqipëria” të cilën e realizuan në mënyrë përkryer. Kështu së bashku me vëllezërit e motrat arbëresh po i vinte fundi një koncerti, një paraqitje që na la mbresa të pashlyera në kujtesën tonë dhe emocione të forta, në një përbashkësi të shkëlqyer vëllazërore arbëreshe – shqiptare.
Në sallë doli në skenë edhe kryetari i Bashkisë së Ungrës Carmine Ferraro, i cili i falënderoi përzemërsisht pjesëmarrësit.
Po kështu në skenë foli edhe presidentja e shoqatës “Arbëria” Rosa Carbone e cila i falënderoi me zemër të çiltër: këngëtarët, valltarët, publikun dhe gjithë pjesëmarrësit, ajo tha se sot ka hare të madhe, pasi sot u mbajt, u bë një veprimtari e madhe dhe se u ngrit niveli shumë lart i aktivitetit tonë dhe e them edhe një falënderim të veçantë për Saverina Bavasso – n e cila jo vetëm në këtë veprimtari, por edhe në të gjithë katundin e komunitetin arbëresh dha një ndihmesë të madhe, dhe se na jemi si dy kokat e shqiponjës, jemi një koc (krye) shqipoje, jemi njëra bashkë me tjetrën dhe bëjmë shërbesa të mëdha, së bashku. Nga emocionet e forta ajo u përlot dhe pasi u qetësua vazhdoi të thoshte se Saverina përveç veprimtarive këtu në Ungër, po e bën edhe një veprimtari të shkëlqyer te televizioni RAI Calabria për të gjithë arbëreshët në Kalabri, duke drejtuar shumë dokumentarë për 45 minuta dhe se RAI i regjistroi të gjitha këto manifestime në këta dy ditë. Ajo tha se do ta falënderoj të gjithë grupin ”Iliria”. Këta – tha ajo – janë shqiptarë nga Kosova që rrinë Zvicër, ndërsa ne jemi diaspora e vjetër, këta janë diaspora e re, prandaj ne i themi diasporës së re se ne kemi 500 vjet që u larguam nga Arbëria, por edhe sot pas kaq shekuj e motesh qëndrojmë arbëreshë me dinjitet e kështu ne të bëhemi shembull për shqiptarët në diasporën e re, t’i mbajmë gjallë: rrënjët, gjuhën e identitetin tonë. Në skenë e mori fjalën edhe sekretarja e shoqatës “Arbëria” Saverina Bavasso e cila tha emocionuar se të gjitha veprimtaritë i bëjmë me Rosën e komunitetin dhe se e falënderoj shumë Rosën e gjithë komitentin arbëreshë, të gjithë pjesëmarrësit. Në skenë u shfaqën edhe emocione nga pjesëmarrësit të tjerë dhe kështu përfundoi aktiviteti kulturor në teatrin e Ungrës. Në mbrëmje u mblodhën të gjithë në një sallë të madhe në Ungër, të organizuar nga Bashkia e Ungrës, ku u shfaqën vlera të mirëfillta kulturore artistike të trevave të ndryshme shqiptare dhe arbëreshe.
Mund të them, se sado të mundohem të vë në dukje këto ngjarje, nuk mund t’i përshkruaj në tërësi as emocionet, përjetimet dhe veprimtaritë e shkëlqyera të këtyre takimeve e vlerave të mirëfillta, të çiltra e të përzemërta arbëreshe – shqiptare të këtyre dy ditëve në Ungër.
























