Në St. Gallen, meshë madhështore për Don Marjan Markun, kanonikun e parë shqiptar në Zvicër

405

Në katedralen e St. Gallenit, mesha ku merrnin pjesë rreth njëmijë veta, fillimin dhe mbarimin e pat me fjalë shqipe, ndërsa që ipeshkvi i St.Gallenit, Markus Büchel, që bëri kanunizimin e Don Marjanit, shprehi kënaqësinë për pjesëmarrjen e madhe të shqiptarëve, ku kishte përfaqësim edhe të famullitarëve nga Kosova e Kroacia

Teksti e fotot : Rexhep Rifati

Pas meshës së mbajtur në Wil, më 17 shkurt 2008, me prani të ish ministres së jashtme të Zvicrës, Micheline Calmy-Rey , në ditën e pavarësisë së Kosovës, mesha e mbrëmshme po ashtu pati një prani, por edhe domethënie të veçantë për komunitetin shqiptar në Zvicër dhe jo vetëm shqiptar por edhe për vet vendasit, sepse përmes këtyre dy meshave sikur lidheshin dhe forcoheshin edhe urat e afrimit e të miqësisë midis dy popujve dhe dy shteteve: Zvicrës dhe Kosovës.

Dhe si mesha e 17 Shkurtit 2008 në Wil,  ashtu edhe kjo në katedralen e St. Gallenit, patën një emërues të përbashkët, por edhe aktorin e njëjtë: Don Marjan Markun, që në ditën e Pavarësisë së Kosovës solli zonjën ministre në një meshë shqiptare, pasi që ajo ishte para e këtij rangu që deklarua zyrtarisht për pavarësinë e Kosovës, ndërsa mbrëmë ( më 18 Janar 2020) po ashtu një meshë madhështore i kushtohej po kësaj figure të re shqiptare: që shpallet kanoniku i parë me prejardhje të huaj, jo vetëm në Ipeshkvien e St. Galenit por edhe në shtetin helvetik.

Në sallën përplot pjesëmarrës, shqiptarë, jo vetëm të komunitetit katolik, por edhe të përkatësive të tjera, si dhe zviceranë e pjesëtarë të komuniteteve të tjera. Që në hapje dy të rinj shqiptarë në gjuhën shqipe lexuan sa citate, ashtu siç u betua por edhe përshëndeti në shqip e gjermanisht edhe Don Marjani, i cili nuk mundi të përmbahet nga lotët dhe emocionet, të cilat i përjetuan edhe mjaft nga të pranishmit në sallë.

Sa i përket avancimit në karrierën kishtare, të Don Marjan Markut, i cili në fillim ka ardhur si meshtar në Austri e pastaj në Zvicër në krye të misionit Katolik Shqiptar në Zvicrën Lindore me seli në Sirnach, krahas punës prej një misionari të devotshëm ka luajt një rol të rëndësishëm edhe në jetën e gjithmbarshme të komunitetit, duke qenë edhe themelues i Ansamblit Folklorik “Arbëresha” (disa nga anëtarë e të cilit ansambël mbrëmë ishin me kostume kombëtare) dhe të disa organizimeve shqiptare me interes për afirmimin e kulturës e traditës sonë, si dhe për forcimin e urave të miqësisë e bashkëpunimit midis komuniteteve dhe religjioneve të ndryshme.

Sa për njohuri pak të dhëna për këtë personalitet: Don Marjan Marku është i lindur në katundin Binçë të Vitisë, Kosovë. Ka  studiuar filozofinë dhe teologjinë në Sarajevë, për ti vazhduar pastaj studimet posdiplomike në Vjenë, ku ka fituar titullin magjistër i teologjisë. Ai shquhet po ashtu edhe për publikime të ndryshme nga fusha e teologjisë, por edhe fushave të tjera.

Mbi të gjitha Don Marjan Marku, gëzon një popullaritet të madh në mesin e komunitetit shqiptar, pa dallim përkatësie fetare, sepse ai është i pranishëm në çdo ngjarje me peshë kulturore e kombëtar që organizohet në Zvicër. Ky popullaritet e autoritet i Don Marjanit, u pa e dëshmua më së mirë mbrëmë, kur qindra bashkatdhetarë nga anë të ndryshme të Zvicrës kishin ardhur për të marrë pjesë në ketë ceremoni kanonizimi, ndërkaq familjarë e shoqata, në themelimin e të cilave ka kontribuar Don Marjani, kishin sjell edhe ushqime tradicionale, në një apero rasti kushtuar kësaj ngjarje të rëndësishme jo vetëm për këtë figurë ngjashëm prej një famullitari rilindës, por edhe për vet komunitetin tonë në Zvicër e më gjer.