Në mesin e mërgimtarëve në Einsiedeln, ku secili shkëputë një copë histori

Tashmë kur jemi mësuar të përcjellim promovime librash apo ekspozitash apo edhe organizime familjare në Zvicër, të premten e kaluar ishim dëshmitarë të një ngjarjeje  tejet simpatike: një tubim mërgimtarësh, të ardhur dekada më parë nga e gjithë hapësira etnike, që ishin tubuar për ti uruar pensionimit shokut të tyre, agronomit Rrahim Qerkinit me prejardhje nga Obria e Ultë.- Madje edhe lokali ishte pronë e një shqiptari, e që kjo bëri që biseda dhe vet ambienti të frymonin sa shqip aq edhe vëllazërisht

Teksti: Rexhep Rifati
Foto: Afrim Nevzadi

Kaherë nuk kisha përjetuar një atmosferë aq të ngrohtë e vëllazërore, sa të premten në mbrëmje në mesin e mërgimtarëve tanë në shtetin helvetik. Ishin 11 mërgimtarë nga të cilët dhjetë prej tyre shënonin me një darkë përbashkët daljen e shokut të tyre në pension, kjo para se dalje në pension ishte një ndejë apo thënë shkurt një takim vëllazëror, e që i kësaj natyre nuk është edhe i pari.

Sepse nga bashkëbisedimi me këta mërgimtarë, që secili ka sjellë një copë historie nga vendlindja, çmalljen e asaj që kanë humbur në vendlindje, tash mundohen ta kompensojnë në kurbet. Ndaj edhe nuk janë të rralla këto takime midis tyre që zakonisht mbahen në Einsiedeln të kantonit Schwyz në Zvicër, në ambientet e Picerisë “Romantika” me pronar Qamil Gërvallën, që edhe ai vet është pjesë e pandashme e këtij grupi mërgimtarësh, që zakonisht jo vetëm gëzimet por edhe hallet i qajnë së bashku.

Në ketë pikëtakim shkëpusim nga secili pjesëmarrës në ndejë nga një fragment apo dromcë jete: nga kanë ardhur, kur kanë ardhur dhe ç’ hall i ka sjell dhe me ç ‘sfida janë përball me të ardhur në Zvicër dhe ku kanë arrit së fundmi?!

1. Mërgimtari nga Presheva, Rashit Saqipi, ndonëse i diplomuar në filozofi- sociologji për shkak të rrethanave sa ekonomike aq edhe politike, ngase nuk iu dha e drejta e mësimdhënës, thotë se u detyrua që të marr botën në sy dhe të migrojë qysh në vitin  1977 dhe kështu  më shumë se gjysmën e jetës po e kalon në kurbet. Por ajo që e mbajti të fortë në këtë vend nuk ishte franku sa shokët e një halli të përbashkët që i gjeti këtu. Madje ata nuk i cilëson vetëm si shokë, por si vëllezër. Sidomos u lidhën atëherë kur duhej ndihmuar arsimimi në mërgatë apo çlirimi i Kosovës nga thundra serbe.

Dhe si shembull më të afërme për këtë e merr mërgimtarin Nexhat Memedin, që e kishte në krah edhe në këtë mermeje: “I kemi hap 13 shkolla me 320 nxënës, që kanë vazhduar për 3-4 vite deri sa erdhi lufta në Kosovë, e për fat ato shumica pas lufte u shuan.  E sa i përket Rrahimit që pensionohej, tha se e se ka shok prej 30 vitesh dhe se me te ka punuar gjatë edhe në organizime të përbashkëta për Kosovën deri ne çlirimin e saj.

2. Mërgimtari tjetër Nexhat Memedi, na deklaroi se vjen nga Reka e Epërme dhe se në vendlindje ishte profesor i gjuhës dhe letërsisë shqipe, porse pas 9 vitesh përvoje detyrohet të migrojë në Zvicër, në vitin 1987:

“Erdha për 4 muaj e mbeta për 50 vjet ! Në fillim qëndronim në distancë por kur erdhi në pyetje çështja e Kosovës u bëmë NJË (!), Kosova na bëri grusht e të pandarë dhe sot e kësaj dite vazhdojmë të jemi bashkë. Në vitet e 90 thuaja se të gjithë ishim bashkë. “…

3. Nebi Dehari i rritur e lindur në Tetovë, si punëtor sezone nga viti 1990 migroi në Zvicër në fillim si murator dhe pastaj fitoi vizën kështu që nga viti në vit avancoi për të qenë tash edhe bashkëpronar i një firme.

4. Sadik Nela nga Dibra Madhe nga 89 në Zvicër, që punoi në ndërtimtari, thotë se: “Erdha me 23 i bëra 58 vjet”! Dhe se tash me fëmijë e nipa e mbesa krijuan një rreth të gjer në kurbet, pjesë e rëndësishme është për te edhe ky rreth i gjer shoqëror në mërgatë.

5.  Zymber Gjocaj, i lindur Kovrog, që erdhi nga komuna e Istogut në vitin 1987 në Zvicër, punon në ndërtimtari, duke u mahitur tha se: “Unë i kam bërë shokë e mandej më kanë bërë edhe këta shok!”

6. Hazir Hyseni i lindur në vitin 1960, në Zvicër nga viti 1981. Derisa ishte student me korrespondencë por për shkaqe ekonomike i ndërprenë studimet dhe me të ardhur në Zvicër ka punuar 18 vite në kopshtari, pastaj 21 vite në spitalin kantonal të Bazelit e deri sa edhe pensionohet

7. Qamil Gërvalla, tregon sesi ka ardhur në Zvicër qysh në vitin 1996, derisa ishte student në Kosovë, por atëbotë nuk më ka pëlqye ky vend dhe është kthyer , sepse donte të vazhdonte studimet.  Shpjegon se në Kosovë në vend se të përmbushë ëndrrën e tij për shkollim, burgoset persekutohet dhe nuk i mundësohen studimet. Sa njëri nga pushtët mbajtësit i thotë se: “Kurrë për ju Gërvallët nuk ka pasaportë, duke ia kujtuar edhe aktivitetin e vëllezërve Gërvalla në mërgatë. Ndaj edhe në ato rrethana detyrohet sërish të vjen në Zvicër, ku përqendrohet në profesionin e gastronomisë. Ndër vite e shton afarizmin familjar përmes hapjes së disa restoranteve dhe zgjerimit të punës së tij edhe në fushën e imobiljeve (shitblerjen e banesave). Ai thotë se tash : “Edhe pse kemi krijuar një standard të mirë jetese, megjithatë këtë kënaqësia na mungon. Por e mira ishte se po të mos të kish qenë diaspora një pjesë e popullatës do ti dorëzohej serbit, sepse në rrethanat që u krijuan ne kemi nda kafshatën me të afërmit, vetëm e vetëm që mos ti bëjmë në gjunjë armikut.

8. Latif Berisha, gjeodet nga fshati Ruhot , komuna e Pejës thotë se në Zvicër migroi në vitin 1991 dhe se punon në kopshtari

9. Rrahim Qerkini , i lindur në fshatin Obri e Ultë më 1958 , me profesion agronom (Inxhinier i diplomuar i bujqësisë) , baba i tre fëmijëve  (2 vajza e një djalë), në Zvicër është nga viti 1991 dhe tash edhe ai është në taborin e shumë pensionistëve

10. Xhelal Mustafa , i lindur në fshatin Pogragjë të Gjilanit , në Zvicër si sezonjer nga viti 1989. Punon për tri vite në kantonin e Cyrihut në ndërtimtari, pastaj kalon në profesionin e tij në makineri .Tash e 20 vjet punon në një firmë për produksion dhe montim me lifte, ashensor me firma të njohura si “Shindler”, As Ausflüge AS ;

11. Abedin Mamuti, me prejardhje nga Kumanova, Drejtor në Pronar i Firmës “Abedini Transport”, që më parë ka studiuar gjeodezinë dhe është inxhinier në këtë fushë:, thuaja se shërben si urë lidhëse për këto takime të ngrohta e vëllazërore të mërgimtarëve. Ai me të migruar në Zvicër, pas një periudhe u përqendrua kryesisht në fushën e transportit të mallrave nga Zvicra për në trojet shqiptare. Porse krahas kësaj iu përkushtua edhe shkollimit të tre fëmijëve të tij, djalit dhe dy vajzave, nga njëra vajzë dhe djali kanë përfunduar studimet në ETH gjegjësisht, në Universitetin e Cyrihut. Abedini shpreh bindjen se asnjë vend nuk është më i bukur se trojet tona , siç janë Kosova, Maqedonia apo Shqipëria, porse duhet krijuar kushte për një zhvillim më të shpejtë, por derisa nuk zbrazet popullsia.

Po në këtë mbrëmje takuam edhe djalin e Abedinin, Albinin, student i vitit të tretë në ETH të Cyrihut, që paralelisht është përqendruar në dy fronte edhe në atë dijes në studime dhe të afarizmit në firmën e babait “Abedini Transport”.

Dhe derisa zhvillojmë këtë ndejë dhe bashkëbisedim të këndshëm duke i uruar gjitha të mirat pensionistit të ri Rrahim Qerkinit, i cili edhe shtroi darkë për të pranishmit, kamerierët shqiptarë na shërbejnë me shumë ngrohtësi në ambientet e restorantit tejet luksoz “Romantika”, ku edhe atë mbrëmje darkonin edhe udhëheqësit e këtij qyteti që ka një primat të madh turistik, falë katedrales së famshme që gjendet pikërisht përball restorantit “Romantika”

Kjo ndej ishte një rast i mirë që me shoqëruesin tim, fotografin Afrim Nevzadi të njihemi me kët mërgimtarë dhe të kalojmë një mbrëmje shumë të këndshme vëllazërore.