Në Luzern Konferenca e Rrjetit të Bizneseve në Zvicër

  x

 

 Të shtunën me datë 17 shkurt 2024 në Luzern të Zvicrës  zhvilloi punimet Konferenca e parë  e Rrjetit të Biznesit në Zvicrën Qendrore  me temë: “Sfidat e kulturës së biznesit”

Konferenca e parë e Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Zvicrën Qendrore zhvilloi punimet më 17 shkurt 2024, duke filluar në ora 13:30 deri në ora 17:30, në sallën (Stadtplatz) në Kriens të Luzern-it, me temë: “Sfidat e kulturës së biznesit”. Ishte kjo një Konferencë  mirë e organizuar deri në detaje, me një pjesëmarrje të konsiderueshme të afaristëve nga të gjitha trojet shqiptare

 Teksti: Vaxhid Sejdiu & fotot Afrim Nevzadi

Kjo konferencë, që tematikë kishte zhvillimin e mëtejshëm të bizneseve shqiptare në mërgatë dhe lidhshmërinë e tyre zhvillimore me vendet e prejardhjes, kishte edhe aktin tjetër solemn , sepse i dedikohej 17 Shkurtit, Ditës së Pavarësisë së Kosovës. Ndërsa që në te merrnin pjesë dhjetëra biznesmenë të diasporës shqiptare nga Zvicra, Gjermania, Austria, shoqata biznesi, përfaqësues të, trupit diplomatik i Kosovës e Maqedonisë së Veriut në Zvicër, si dhe përfaqësues të organizatave të Biznesit në Luginën e Preshevës, profesionistë të lirë dhe ekspertë të fushave të ndryshme të diasporë shqiptare në Zvicër e më gjerë.

Fillimisht nën prezantimin e aktorit të mirënjohur Dan Morina pjesëmarrësit patën mundësinë në hollin e sallës së qytetit Kriens të njihen me punimet e dy piktorëve shqiptarë Adem Dërmaku dhe Urim Berisha, të cilët prezantuan punimet  e tyre dhe pastaj pjesëmarrësit u ftuan në një koktej rasti.

Pas himnit kombëtar, programi i ditës, filloi me fjalën përshëndetëse të kryetarit të Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Zvicrën Qendrore z. Florim Useini, i  cili në mes tjerash tha:“Së pari dëshiroj t`iu falënderoj për pjesëmarrjen në Konferencën e Parë të Rrjetit të Bizneseve Shqiptare si dhe dëshiroj t`iu uroj të gjithëve 17 Shkurtin e Ditën e Pavarësisë së Kosovës. Qëllimi i kësaj konference ishte dhe është që të mblidhemi bashkë më rreth një tryeze të rrumbullakët për të biseduar rreth sfidave të kulturës së biznesit në Zvicrën Qendrore dhe gjerë, t`i bashkojmë afaristët shqiptarë sepse vetëm në këtë mënyrë mund t’i përballojmë problematikat, kërkesat dhe nevojat për të qenë më të suksesshëm. Rrjeti ka për qëllim të krijojë ura lidhëse bashkëpunimi në mes veti, në mes afaristëve, për të cilët mendojmë dhe jemi të bindur se kanë një potencial të madh. Shqiptarët e kanë dëshmuar veten në rrugën e suksesit, prandaj mendojë dhe shpresojë që kjo konferencë do të na motivojë që në të ardhmen  të punojmë edhe më shumë. Motoja e kësaj konference është “Bashkimi – forca e suksesit” sepse vetëm të bashkuar mund të jemi edhe më të suksesshëm.

Në vazhdim për një fjalë përshëndetëse u paraqitën përfaqësuesit e institucioneve të R. së Kosovës  dhe të R. e Maqedonisë së Veriut si z. Rexhep Demiri, ambasador i R.M.V. në Bernë, z. Imri Demelezi, zv. ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, z. Izmit Nura zv. drejtor i Agjencisë së Mërgatës në R.M.V, Zonj.  Shukrije Ramadani, përfaqësuese nga Ambasada e R. Kosovës në Bernë,  z. Vigan Berisha Konsull i R. Kosovës në Cyrih, znj.  Burim Bilalli, sekretar i parë në misionin diplomatik në Gjenevë etj.

Konferenca vazhdoi punimet me idetë, problematikat, vërejtjet dhe kërkesat të cilat i parashtruan shkurtimisht pjesëmarrësit duke theksuar nevojën për një strukturim sa më të organizuar jo vetëm në Zvicrën Qendrore por edhe më gjerë.  

Në pjesën e parë me idetë e tyre rreth temës “Sfidat e kulturës së biznesit” u paraqitën shkencëtari Jahaj Kokaj, njëherësh Parlamentit të Kosovës, Granit Sokolaj nga “Unioni i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë” në Tiranë, Ermelinda Hajdari nga “Word Diplomatic Institute”, në Belgjikë, prof. Dr. Ardian Retkoceri, gazetar Dr. Dashnim Hebibi,  Xhelal Memeti, kryetar i “Unionit të Afaristëve për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë,  si dhe Skënderbeg Klaiqi, kryetar i Lobit Shqiptar Euro-Atlantik, të cilët secili në mënyrën vet foli për sfidat e shumta me të cilat përballet biznesi i kompanive shqiptare. 

Në pjesën e dytë me punimet e tyre u paraqitën Sahit Muja, nga  “CEO –Albanian Minerals”,Orhan Spahiu, kryetar i “Kuvendit Shqiptar në Zvicër”, Dr. Vaxhid Sejdiu, kryetar i “Shkollës Shqipe” në Zvicër, Sami Aliu, menaxher i përgjithshëm i projektit, Agron Lugina, nga “Rrjeti i biznesit” në Tirol, Rromir Imami, fotograf profesionist, Mehdi Avdijaj, nga “Shoqëria aksionare e Rrjetit -Union Invest AG”, si dhe Nikolin Gjeloshi, kryetar “Sh. Assoalbania” në Itali, të cilët folën për një strukturim më të organizuar të bizneseve dhe natyrisht duke veçuar prioritetet me të cilat duhet në të ardhëm të përballet ky organizim. 

Konferencën e mbylli kryetari i “Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Zvicrën Qendrore”, z. Florim Useini, i cili pasi që falënderoi të gjithë pjesëmarrësit për kontributin e tyre në këtë konferencë, kërkoi nga ata, që punimet  e tyre t`i dërgojnë në adresën elektronike të rrjetit info@rrjeti-luzern.ch , deri me datën 29 shkurt 2024, të shoqëruar me një biografi të shkurtër, të cilat do të botohen në libër të veçantë, i  cili do t`i shërbej në  të ardhmen punës së Rrjetit, por edhe do të mbetet si dëshmi për gjeneratat e ardhshme.

Në fund u shpërndanë edhe mirënjohjet për pjesëmarrësit në shenjë falënderimi dhe  të gjithë u ftuan që të marrin pjesën në manifestimin e organizuar nga Grupi organizues me rastin e 17 Shkurtit – Ditës së Pavarësisë së Kosovës.