Në Drenas u përurua libri i Hazir Mehmetit «Pranverë e helmuar»

Në vazhdën e promovimit të librave me autorë nga mërgata më 28 korrik 2023 në Sallën e Kulturës në Drenas u promovua libri i publicistit dhe shkrimtarit me qëndrim në Vjenë të Austrisë, Hazir Mehmeti, ku referuan Prof. Hamdi Thaqi dhe redaktori i librit Prof. Bedri Tahiri, meqë rast u tha se ky libër që për subjekt ka helmimin e nxënësve shqiptar nga okupuesi serb, është një dokument sa intetesant po aq i rëndësishem e me peshë për këtë ngjarje tragjike.

Përmes shënimeve që siguroi Redaksia e portalit tonë , prointegra.ch, me këtë rast redaktori i librit Bedri Tahiri mbajti një fjalë tejet përmbajtësore me temë: “NGJARJE TË PËRJETUARA”, nga i cili shkëputëm disa fragmente, ku ndër të tjera thuhet se:

“Sot po e përurojmë një libër të veçantë, kushtuar një ngjarjeje të veçantë: helmimeve në Kosovë, që paraqet një nga format më të rënda të gjenocidit serb, e pa parë në historinë e njerëzimit. Ndërsa sa i përket autorit të librit, profesor Bedri Tahiri nënvizoi  se: “ Hazir Mehmeti, tashmë ka bërë emër në letrat shqipe. Një jetë të tërë në shërbim të çështjes kombëtare. Mësimdhënës shembullor e veprimtar i dalluar në Kosovë; mësues e pedagog i zellshëm në Vjenë, hartues tekstesh e abetaresh për nxënësit shqiptarë në mërgatë; publicist, tregimtar, poet, pasqyrues i shumë të arriturave arsimore e shkencore në Austri si dhe gjurmues e hulumtues i historisë sonë në qendrat botërore.

Dhe, krahas të gjitha këtyre aktiviteteve, në shpirtin e tij entuziast, përherë qëndruan këmbëkryq ngjarjet më të rënda të historisë sonë, ato të përjetuara drejtpërdrejt, që lanë gjurmë të pashlyera në kujtesën tonë historike, helmimet e fëmijëve tanë…”

NJë kaptinë të veçantë redaktori ia kushtoi periudhës kur ndodhën këto ngjarje tragjike ndaj fëmijëve tanë të njomë:

“Në vitet e ’90-ta, edhe një krim i panjohur për botën e civilizuar: Helmimi i fëmijëve!

Shkollat tona u vunë në cak të kësaj lufte biologjike. Mësimdhënësit shqiptarë, të hutuar, përpiqeshin t’u vinin në ndihmë nxënësve të tyre. Serbët, në anën tjetër, bënin sehir dhe gajaseshin në heshtjen e tyre të zakonshme. Ata, me kohë e kishin paramenduar një gjë të tillë. Kishte kohë që ishin ndarë veçan, kishin bërë segregacion, siç i thoshin asokohe. Ata mësonin ndaras shqiptarëve, plan i eksperimentuar për herë të parë në komunën e Vushtrrisë. E para priu Prilluzha me drejtorin e shkollës Tomisllav Mashiq.

Dhe, helmimi vazhdonte sipas skenarit të sofistikuar e të përgatitur mirë e mirë në kuzhinat beogradase. Sakaq, ai përfshiu gjithë Kosovën.»

Ndërsa që personeli ynë mjekësor duke gjetë edhe mbështetje nga mjekët eminent botërorë, bënë ç`mos për tu vu në shërimin e fëmijve tanë të helmuar:

«Mantelebardhët, ata që me zemër kishin dhënë betimin e Hipokratit, duhej pranuar realitetin. Dhe, një ditë, mjeku francez, Dr. Bernard Benedetti tha të vërtetën: Në Kosovë pati helmime!

Të gjitha këto i përjetoi, me trup e me shpirt, edhe mësimdhënësi i biologjisë në QAMO-në “Muharrem Bekteshi” të Vushtrrisë, Hazir Mehmeti, madje duke mbajtur edhe shënime në ditarin e tij personal. Ato, i barti në gjirmë të zemrës për më shumë se tri dekada, derisa e nxori në dritë librin “PRANVERË E HELMUAR”, në të cilin, në mënyrë analitike e përmbajtjesore, shtjellon këtë të keqe të madhe, që nuk duhet ta harrojmë kurrë.

Libri “PRANVERË E HELMUAR”, të cilin e pata në dorë si dorëshkrim dhe e njoha që në embrion, përben një mozaik të shkëlqyer të ngjarjeve më tragjike në historinë tonë të re. Shkëndijë e parë që ndezi imagjinatën e autorit për ta vënë në skenë këtë tragjedi kombëtare, padyshim, qe Ditari i tij personal, i cili, po ashtu, është histori në vete.

Materialet e shumta: Dëshmi, foto, faksimile gazetash, mendime, kujtime, vlerësime, përjetime e ritregime, të mbledhura lule me lule, si bleta nektarin, për të qenë me të kapshme për lexuesit, autori i ka konceptuar dhe sistemuar kryesisht në gjashtë kapituj e në disa nënkapituj.»

Ndërsa që: «Kapitulli Helmimet në Vushtrri, përbënë thelbin e librit në shqyrtim. Kjo është pjesa që autori e njeh më së miri, ngase edhe vetë ishte protagonist i atyre vlimëve përvëluese. Në fakt, përqendrimi bëhet në Shkollën e mesme “Muharrem Bekteshi”, e cila kaloi nëpër peripeci të shumta, por, si një kolektiv unik, u bë shëmbëlltyrë për të gjithë, duke qëndruar i pathyeshëm përballë stuhive shkatërrimtare të kohës zezonë.

Në këtë shkollë pati disa herë helmime, por ato kulmuan më 23, gjegjësisht më 26 mars 1990, kur u helmuan 264 nxënës, kurse në qytet dhe rrethinën e tij ishin 353 nxënës e studentë të helmuar.

Pjesa më interesante e librit “PRANVERË E HEMUAR”, padyshim, mbetet DITARI, i cili, siç e shpjegon vetë autori, ka një histori të veçantë, dhe, ka përbiruar për vesh gjilpëre, duke i shpëtuar asgjësimit. Ai përmban shënime brenda datave: janar 1990- 22 shtator 1995. Autori nuk u përmbahet rregullave të ditarit klasik, pra, nuk përshkruan ngjarjet ditore në mënyrë kronologjike. Ai, ndalet vetëm te ngjarjet e veçanta të këtij rrugëtimi historik. Këto fletëza ditari, të përshkruara dhe të vëna si faksimile, paraqesin dëshmi reale të asaj periudhe të rëndë zymtësie, që e mbijetuam kolektivisht, por, edhe si subjektivitet ndjenjësor i autorit…»

Ndërsa që referuesi tjetër, Prof. Hamdi Thaqi, këtë përurim e vlerësoi si të veçantë një për një libër të veçantë, me titull simbolik “Pranverë e helmuar”, kushtuar nxënësve shqiptarë te helmuar nga okupatori serb ne vitin 1990 dhe se sipas tij: “Libri është një dokument sa interesant po aq i rëndësishëm për këtë ngjarje tragjike”.

Ndërsa që vet autori Hazir Mehmti pasi përshëndeti të pranishmit duke veçar, pos referuesve, Drejtoren e Kulturës, Drenas, Fatlinda Zymberi, teknikun Ali Berisha. Moderatorën e aktivitetit, Donika Zogu, aktivisten dhe shkrimtaren Hanumshahe Ilazi, si këngëtarin e mirënjohur, shokun e mikun tij Shaban Krasniqi, falëndroj edhe shokët. miqtë e farefisin nga Vushtrria, Skenderaj, Drenasi dhe nga diaspora.

Me këtë rast Hazir Mehmeti shtoi se:

« Për ta bërë të ditur gjenocidin serb shekujve kundër shqiptarë na duhet angazhim e mund i vendosur kombëtar deri në njohjen e tij nga bashkësia ndërkombëtare.

Në çdo komunë është e domosdoshme të themelohen qendra “Gjenocidi serb në Kosovë- Plagë e hapur” e cila po bënë përpjekje të mëdha në perëndim, por duhet mbështetja e fuqishme në çdo komunë. 15 Janari – Dita e përkujtimit dhe lulëkuqja katërpetalshe simboli i saj.

Nga neglizhenca, dembelia, mendjemadhësia, inati ynë nuk u punua gati fare në plasim të së vërtetës mbi masakrat serbe dje e sot si pjesë e gjenocidit shekullor. Austriaku me origjinë hebrenj para 110 viteve shkroi librin “Albanische Golgota”- Golgota shqiptare e cila iu dërgua kancelarive të kohës mbi masakrat serbe në Sanxhakun e Nishit, Pazarit, Kosovës, Shkupit …

Unë si autor e kam ndie detyrim moral e kombëtar që sado pak të jep diçka nga vetja ime si përjetues, si dëshmitar dhe si publicist në ofrimin e fakteve nga ajo kohë e rëndë.

Ky promovim nuk kishte as nuk ka karakter komercial, as privat, por ka karakter vlerësues për ata që vuajtën, ata që punuan dhe qëndruan. Ka karakter mbledhje faktesh.

Shpresoj se kultura dhe aktivitet kulturore do ngritën në nivelin e duhur në gjithë vendin dhe në Drenas tani i shndërruar në qytezë që rritet vazhdimisht.

Dhe në fund falënderoj familjen time, mbesa nipa, vajza e djem, posaçërisht shoqen time Nexhmijen e cila përkundër goditjes së rëndë që patëm, jemi në rrjedhat e jetës aktive.

Faleminderit për vëmendjen tuaj!»