Në St. Gallen u shfaq premiera e komedisë “Diploma-t” të “Aktrimit të Cyrihut

Komedia “Diploma-t” me tekst e regji të aktorit Fikrim Morina, si subjekt ka dukurinë e shitjes së diplomave, deri në nivele universitare, disa mërgimtarëve të lodhur nga puna e rëndë fizike, e që tani duan të bëjnë një punë pak sa më të lehtë! 

Teksti e fotot : Rexhep Rifati

Mbrëmë (16 Qershor 2018), në restorantin “Adler Halle”, të qytetit të St. Gallenit u shfaq premiera e komedisë së Trupës teatrore “Aktrimi” nga Cyrihu. Para se të hapej perdja, me një minutë heshtje u nderua një nga artistët më të spikatur që pati mërgata shqiptare në Zvicër, Agron Bajrami, i cili për një kohë të gjatë pati një bashkëpunim të ngushtë edhe me këtë trupë teatrore.

Komedia “Diploma-t” me tekst e regji të aktorit Fikrim Morina, si subjekt ka dukurinë e shitjes së diplomave në Kosovë, deri në nivele universitare, disa mërgimtarëve të lodhur nga puna e rëndë fizike, e që tani duan të bëjnë një punë pak sa më të lehtë!  Edhe kësaj radhe Trupa teatrore “Aktrimi” nga Cyrihu, që zakonisht ven në lojë dukuri, vese dhe anomali, qoftë në vendlindje apo kurbet, ka arrit të nxjerr në skenë një realizim me mjaft simpatik skenik të përshkuar me një humor të lehtë, që krijon një ambient të këndshëm relaksimi tek publiku artdashës, çfarë edhe në masë ndien nevojë mërgata. Ndaj edhe mbrëmë kjo shfaqje u prit me duartrokitje nga publiku i ardhur edhe nga pjesë tjera të Zvicrës.

Në skenë defiluan aktorët e kësaj trupe që kanë një përvojë relativisht të gjatë në këtë trupë dhe trupat e mëhershme skenike, e që tërë aktivitetin e tyre e mbështesin në angazhime e punë vullnetare. Ndaj edhe kësaj radhe rolet në komedinë “Diploma-t” i luajti ekipi standard i “Aktrimit”, në përbërje: Yllka Zuzakut Mustafa (në rolin e doktoreshës), Ramadan Morina (Remziu), Fikrim Morina (Gëzimi) dhe Veli Berisha (kufoma).  Ndërsa që për ndriçimin e muzikën ishte angazhuar aktori tjetër i kësaj trupe Avdi Amidi.

Mbetet të presim që në shfaqjet e ardhshme kjo komedi të përpunohet dhe plotësohet edhe me ca detaje të vogla , si në përmbajtje ashtu edhe në formë dhe të jepet edhe në qytetet e tjerë të Zvicrës, ngase Trupa teatrore “Aktrimi” nga Cyrihu ka një numër të mirë admiruesish në mbarë Zvicrën, aq më parë që trupat teatrore shqiptare në shtetin helvetik mund të numërohen në gishta, nisur edhe nga fakti se në mesin e mërgimtarëve ende teatri ende nuk e ka fituar vendin e duhur.

Në fund do theksuar se, për të nxjerr dhe realizuar në skenë këtë komedi, trupa “Aktrimi” pati, pos publikut, edhe mbështetjen e disa drejtuesve të firmave shqiptare që veprojnë në këtë kanton: filluar nga pronari restorantit “Adler Halle”, ku edhe u dha shfaqja e deri te disa firma sigurimesh apo pronarë restorantesh ushqimore, që edhe me këtë rast kishin sjellë falas ushqime nga kuzhina shqiptare që përgatisin zakonisht për tregun e këtushëm konsumues.