Muzeu Kombëtar i Arsimit në Korçë, ku pasqyrohet historia e mësimi shqip

Ndërtesa ishte shtëpia ku banonte patrioti korçar Diamanti Terpo i cili e dhuroi këtë godinë për shkollën shqipe, ku aktualisht ruhet moria e alfabeteve deri në alfabetin që kemi sot, vendosur në Kongresin e Manastirit, më 1908..- Gjatë dy vizitave që patë në këtë muze me ish- normalistët e gjeneratës sime dhe një delegacion ferizajas, na shoqëroi ish – mësuesi Selami Kreka nga Korça që tash mbush të 95-tatë, që shërbeu mësues në Kosovë 

Teksti e fotot Rexhep Rifati

Në vazhdën e prezantimeve të muzeve shqiptare, portali ynë sot publikon një shkrim të ilustruar nga Muzeu Kombëtar i Arsimit- Mësonjëtorja e parë Shqipe  në Korçë, të cilin e kam vizituar disa herë, por ajo që ishte më e rëndësishme se aty ishim me një delegacion të komunës së Ferizajt, ku vizituam ish-mësuesin e e gjimnazit shtetëror të Ferizajt, Selami Kreka që tash mbush të 95- tatë dhe më tej është vital, ndërsa vizitën tjetër e realizova bashkë me gjeneratën e mësueseve të Normales së Ferizaj, nxënës i së cilës isha edhe unë. Ndërkaq qe të gjithë si gjeneratë jemi të pensionuar pasi edhe kemi kaluar të 70-tatë.

Përndryshe Muzeu Kombëtar i Arsimit- Mësonjëtorja e parë Shqipe në Korçë  ndodhet në ndërtesën e shkollës së parë shqipe, e hapur më 7 mars 1887. Ndërsa që në ambientet e muzeut janë të ekspozuara historia e shkrimit shqip dhe botime të shqipes.

Portali i Bashkisë së Korçës bën me dije se: “ në ndërtesën ku ndodhet sot Muzeu Kombëtar i Arsimit shqiptar, ndërtesë Monument Kulture 150-vjeçare, është hapur Shkolla e Parë në gjuhën shqipe, ose siç thirrej atëherë, “Mësonjëtorja e Parë Shqipe”. Kjo shkollë u hap më 7 Mars 1887, me leje nga Perandoria Osmane. Ndërtesa ishte shtëpia ku banonte patrioti korçar Diamanti Terpo i cili e dhuroi këtë banesë për shkollën shqipe. Në këtë muze pasqyrohet historia e shkrimit shqip, e morisë së alfabeteve deri në alfabetin që kemi sot, vendosur në Kongresin e Manastirit, më 1908. Në këtë muze pasqyrohet historia e librit shqip prej abetares së parë të gjuhës shqipe (evetari, 1744).

Lidhur me këtë muze po shkëpusë edhe pjesë nga libri im “Shtegtimet e një gazetari” , me temën, thënë simbolikisht : “Aty ku nisi shkolla shqipe me serenada korçare”:

Pas disa shkuarjeve në Korçë, tek më 9 Tetor 2016, mu dha rasti të vizitoj lokalet e Mësonjëtores, ku më 7 mars 1887, mësuesi Pandeli Sotiri e filloi mësimin në gjuhën shqipe me 35 nxënësit e parë. Hapja e kësaj shkolle, jo vetëm që pati rëndësi të madhe për zanafillën e shkollës shqipe, por siç mësuam aty, pati edhe fizionomi kombëtare e karakter demokratik, pasi në te mund të mësonin  fëmijët e të gjitha shtresave, pa dallim.

Gjatë vizitës me një delegacion të Ferizajt, kryesuar nga Muharrem Sfarqa, për të takuar e nderuar mësuesin, Selami Kreka, që dha mësim në gjimnazin e parë të Ferizajt, vizituam edhe  këtë shkollë në Korçë, që tërheq vizitorë shqiptarë e të huaj.  Ndërkaq gjatë vizitës me ish maturantët e parë të normales së Ferizajt më 18 Qershor 2019, ish-normalistët e tash pensionistë, shumica përherë të parë edhe pse ishin plak në arsim dhe kishin festuar vazhdimisht 7 Marsin si Ditën e mësuesit përherë të parë tash u ishte dhënë rasti të vizitonin Mësonjëtoren e parë Shqipe në Korçë por edhe të takonin një nga mësuesit më të vjetër korçar që kishte punuar në rinin e tij të hershme, diku 70 vjet më parë, si mësimdhënës në Ferizaj dhe lokalitete të tjera të Kosovës derisa ishte burgos nga UDB- a jugosllave. Si në takimin e parë edhe në të dytin me mësuesin Selami Kreka na shoqëroi ekonomistja Vjollca Muka një personalitete e respektuar në Korçë që edhe ajo kishte pas fatin të jetë nxënëse e profesor Selami Krekës.

Përmes objektivit fokusova edhe disa nga fotot që ruhen në këtë muze të arsimit të parë shqip si dhe huazova edhe disa foto nga faqja e fb të këtij muzeu nga vizitat e nxënëse apo edhe organizimet tjera që mbahen herë pas here. Për fat të keq ky monument dije e kulture nuk ngeli pa u dëmtua nga tërmeti, sa bëri që përkohësisht edhe të ndërpriten vizitat në te.