Mësuesja më e vjetër e Kosovës jeton në Tiranë

(Jetëshkrimi i shkurtër i mësueses 94 vjeçare, Vezire Mezinit- Gjuraku, e dekoruar nga presidenti i Republikës së Shqipërisë në vitin 1994 për kontributin e dhënë në arsimin e Kosovës me urdhrin ”Naim Frasheri” klasi I  dhe nga presidentja e Kosovës, me rastin e 100- vjetorit të pavarësisë, 28 nëntor 2012 )

Nga Rexhep Rifati

 Gjatë qëndrimit të fundit në Tiranë, takova për herë të tretë profesor Bardhyl Selimin, të birin e intelektualit dhe atdhetarit të njohur Adem Selimit- Gllavica, i cili që në vitet e para të pasluftës së dytë botërore u detyrua të migrojë në Shqipëri, bashkë me të amën, mësuesen Vezire ( tash 94 vjeçare). Sipas të dhënave që kam arritur të siguroj, mësuesja Vezire është aktualisht mësuesja më e vjetër shqiptare e Kosovës në këtë jetë.

Ja disa nga të dhënat që mora nga i biri i saj Bardhyli (71 vjeçar ), profesor matematike në pension:  

 Mësueseje Vezire ka lindur në Prishtinë në vitin 1922. I ati, Halil Gjiraku, për veprimtari patriotike, u përndoq me burg disa vjet nga regjimi mbretëror serb dhe u detyrua ta lërë vendlindjen së bashku me familjen prej 6 anëtarësh ( gruaja Belgjyzari, dhe katër fëmijë, më i vogli gjashtëmuajsh dhe më i madhi 5 vjeç). Erdhi në Tiranë, ku pas dy muajsh Halili vdiq i sëmurë në spital. Tre fëmijë i strehoi Kryqi i Kuq në Strehën Vorfnore në Tiranë.

Vezirja e kreu shkollën fillore dhe, pastaj Institutin femror „Nana Mbretëreshë“ në Tiranë. Në dhjetor 1942 e emëruan mësuese në Kosovë, në vendlindjen e saj, Prishtinë. Dha mësim në shkollën “ Hasan Prishtina“ me drejtor Dervish Bejlerin. Bashkë me Veziren, atëkohë në Kosovë shërbenin shumë mësues nga Tirana, si Reshat Bajraktari, Hasan Dylgjeri, Selman Kasapi, Shaqir Hoti, Agllai Plaku, Petraq Nase, Hysen Kola, Fatime Kola, etj. Natyrisht kishte edhe vendas, si Nimete Kabashi, Vitore Luka, Nica. etj.

 Rrëfimi i mësueses Vezire

 Vezirja duke folur për punën e si mësuese tregon se si : „Të gjithë e bënin punën me përkushtim, për t´u dhënë nxënësve sa më shumë dije dhe për t´u ushqyer atyre ndjenjën kombëtare, përmes mësimit, këngëve, vjershave, valleve, etj. Edhe pse mjetet mësimore ishin të mangëta, po ashtu orenditë e papërshtatshme për moshën e nxënësve, këta mësonin me zell dhe etje për dije. Kishte raste kur prindërit sillnin në shkollë edhe fëmijë që s´e kishin mbërritur moshën shkollore, duke u lutur t´i pranonim ata. Ëndërrën që s´e patën realizuar prindërit vetë, donin ta realizonin për fëmijët e tyre. Ata prisnin të shihnin në duart e fëmijëve, me padurim, Abetaren e Gjuhës shqipe. Kisha një nxënës shumë të mitur, Adem Demaçin, që ndonëse i vogël, ngulte këmbë që ta pranonim në klasë medoemos. Më pas ai më befasoi me zgjuarsinë dhe zellin e tij. Ishte trupvogël, kishte një fytyrë të mbushur, plot shëndet, por qe aq i vogël sa vetëm koka i dilte sipër bangos duke u munduar të mbante një gjysmë lapsi ( sepse lapsat dhe fletoret i ndanim përgjysmë). Vite më vonë (1991) Ademi vjen e më takon në shtëpi dhe pastaj në vijim sa herë vjen në Shqipëri. Mbaj mend edhe nxënës të tjerë si gazetari Rashid Krasniqi, që ishte tek unë gjatë krizës së luftës në Kosovë, së bashku me familjen; Hajredin Bytyçin, veprimtar i flaktë për lirinë e Kosovës, vdekur para disa vitesh në Izmir të Turqisë; Zekirja Dibra, etj.

 Në demonstrata më 1943 e në mal me Adem Gllavicën

 Në maj 1943 u zhvillua një demonstratë e madhe në Prishtinë kundër pushtuesve italianë. Unë, së bashku me shoqen time, Agllai Plaku, gjithashtu mësuese, mbaja flamurin kombëtar në krye të vargut të demonstruesve. Atë kohë u njoha me një të ri kosovar, Adem Selimi, (vdekur më 2001, në mërgim, në Australi ) që sapo pat mbaruar studimet e larta në Zagreb e punonte në zyrën e bujqësisë në Prishtinë. U fejova dhe u martova me të më 1944. Më pas linda një djalë, Bardhylin, i cili u bë mësues sikurse unë. Ademi u bashkua me të gjithë luftëtarët e lirisë që nuk e donin më zgjedhën sllave në Kosovë, por donin bashkimin me atdheun amë. Për ca kohë, dola edhe unë me të në mal, por duke qenë shtatzënë u tërhoqa në fshatin e tij të lindjes, Gllavicë. Dy javë pasi linda djalin, më burgosën në Ferizaj bashkë me foshnjën, për shkak të Ademit. Kur më liruan, mora rrugën për Tiranë, por kjo qe bllokuar, prandaj punova ca kohë mësuese në Prizren, në shkollën „ Bajram Curri„, ku qe drejtor Tajar Hatibi. Kur më kërkuan në organet e punëve të brendshme të Prizrenit që të pajisesha me dokumente jugosllave, nuk pranova, por u nisa drejt Shqipërisë, së bashku me djalin. Si unë, vepruan edhe shumë arsimtarë të tjerë që kishin ardhur në Kosovë, për të shërbyer.

 Kalimi në Shqipëri

 Më emëruan mësuese në fshatin Shullaz të Krujës. Atje, përveç mësimdhënies, zhvillonim kurse kundër analfabetizmit, luanim pjesë teatrale, etj. Mësimin e zhvilloja në një dhomë të vogël përdhese, pa banka dhe dritë të mjaftueshme. Ajo kishte qënë më parë teqe dhe rreth e përqark saj ishin varret e fshatit. Unë banoja në shtëpinë e Kryetarit të Këshillit, Hysen Tare. Në atë kohë, në fshat hynin herë pas herë diversantë. Një natë, disa syresh, me ballë apo qafë të lidhur me shami të kuqe, me kostume kombëtare, hynë në shtëpinë ku banoja duke thirrur: ku është mësuesja. Madje ata i ranë me tytën e pushkës derës së dhomës ku flija duke më urdhëruar ta hapja derën, sa më parë. S´pata kohë, as të vishesha, vetëm pallton e hodha krahëve. Shkuam në dhomën e miqve. Ishte dimër e bënte ftohtë. Po dridhesha nga frika, nga ndonjë e papritur e keqe, isha vetëm 22 vjeçe… Më kërcënuan se, po t´i vazhdoja veprimtaritë e mija jashtëmësimore, ata do hakmerreshin. ‚Nuk ke punë me gratë dhe vajzat e fshatit‘, më thanë.

 Arrestimi brenda shkollës në Krujë

 Të nesërmen, më thirrën në Degën e Punëve të Brendshme të Milotit dhe më kërkuan t´ua përshkruaja ngjarjen. Më hoqën vërejtje se pse nuk i kisha vënë në dijeni dhe pse u kisha lexuar fshatarëve një trakt kundër qeverisë të ngjitur në një shtyllë të rrugës. Pas ca kohe, më transferuan në qytetin e Krujës, ku më 16 tetor 1947 erdhën e më arrestuan brenda në shkollë dy policë të Degës së punëve të brendshme, duke më kallëzuar gjoja „për punë armiqësore bashkë me një grup arsimtarësh“. Burgosën bashkë me mua edhe mësuesin Zenel Sopoti, mësues në të njëjtën shkollë, ku isha unë, dhe ku drejtor qe Abdyl Keçi. Në mars 1948, pas prishjes së marrëdhënieve me Jugosllavinë, më liruan, pa dalë në gjyq. U emërova menjëherë në një shkollë fillore në Krujë.

 Vitin tjetër, më transferuan në fshatin Kashar. Më 1949 u rimartova me Mahmud Mezinin, ( vdekur më 1982 ), arsimtar si unë, pasi nuk dija asgjë për ish burrin tim, të cilin e konsideronin të zhdukur. Bashkë me Mahmudin dhe djalin shkuam të punojmë si arsimtarë vullnetarë në Tropojë dhe mandej në Mallakastër (1949-1951). Që nga 1951 e deri më 1972, vit kur dola në pension, kam punuar në shkolla të ndryshme në Tiranë si “ Hasan Vogli“, “ Kongresi i Përmetit“, „Migjeni“, „Luigj Gurakuqi“; vitet e fundit si edukatore në kopsht ( nr 16, 4, 3, 23), pasi kisha pesë fëmijë dhe nuk mund t´u përgjigjesha si duhet kërkesave të shkollës.

Sot jetoj me pensionin dhe ndihmat që më japin fëmijët e mij të mbarë“.

 Kujdesi i madh për nënën Vezire

 Që prej disa vitesh Vezirja nuk mund të lëvizë lirisht as në shtëpi, ndonëse mendërisht është ende e kthjellët. Asaj i shërben 24 orë e bija Iliriana, 66 vjeçare, pensioniste, e pamartuar, ish juriste me profesion. Djali i madh Bardhyli, jeton në një apartament jo shumë larg dhe vjen çdo ditë për ta parë. Dy djem të tjerë, Shkëlzeni dhe Pëllumbi, jetojnë në emigracion, në Greqi dhe SHBA, ndërsa Arbeni, është kthyer nga Greqia që disa vjet dhe banon në Vlorë. Të gjithë janë të martuar.

 (Me këtë rast disa nga fotot që mi dërgoi Basrdhul Selimi, djali i mësues Vezire dhe disa nga ato që kam bërë unë në Kosove e Shqipëri)