Dokumentari i gazetarit Ismet Rashiti, që i kushtohet atdhetarit Kadri Rexhepi nga fshati Raincë e Preshevës në njëvjetorin e vdekjes është realizuar me përkushtim përmes dokumenteve dhe vlerësimeve të bashkëveprimtarëve në mërgatë
Nga Rexhep Rifati
Me rastin e njëvjetorit të vdekjes së veprimtarit të dalluar të çështjes kombëtare në Grenchen të Solothurnit në Zvicër, të dielën më 3 maj, ne prani të familjarëve, të afërmve e të bashkëveprimtareve u shfaqë filmi dokumentar “Zjarri që nuk u duk asnjëherë” i gazetarit dhe veprimtarit Ismet Rashiti.
Pasi me një minutë heshtje u nderua shëmbëlltyra e atdhetarit, Kadri Rexhepi, ketë eveniment përkujtimor-kulturor e shpalli të hapur veprimtari Xhevat Zeka, i cili përmendi se duke nderuar të gjithë ata që kontribuuan për çështjen shqiptare, nderojmë edhe vetveten. Me ketë rast përshëndeti edhe të pranishmit, duke veçuar konsullin e Republikës së Kosovës në Cyrih, z. Sali Sefa.
Gazetari Ismet Rashiti tashmë ka bërë një punë dhe përvojë të mirë në ndriçimin e figurave që u angazhuan me dekada në mërgatë për çështjen e Kosovës dhe atë shqiptare përgjithësisht, punë kjo që kërkon edhe angazhim e edhe përkushtim të madh. Deri më tash ai ka realizuar disa dokumentarë të tillë, duke qenë edhe vetë dëshmitar dhe aktor i atyre ngjarjeve. Por edhe një njohës i mirë i këtyre figurave edhe nga pozita e një bashkëveprimtari.
Në një fjalë rasti që mbajti kolegu dhe veprimtari Ismet Rashiti, ndër të tjera përmendi se: Jemi sot këtu që ta përkujtojmë e nderojmë veprimtarin e përkushtuar ndaj çështje kombëtare, burrin e urtë e patriotin e kulluar, Kadri Rexhepi . Meqenëse për Kadriun flitet gjerë e gjatë në dokumentarin tim me titull «Zjarri që nuk u duk asnjëherë», nuk do të zbuloj detaje nga jeta, personaliteti dhe vepra e tij e pavdekshme. Kjo mbetet të shihet në film përmes fakteve, dokumenteve dhe vlerësimeve me kompetencë të bashkëveprimtarëve dhe protagonistëve tjerë të gjallë.
Ai më tej shtoi se: “Si autor i dokumentarit, më duhet të them se jam i vetëdijshëm, shumë i vetëdijshëm se nuk kam arritur ta them fjalën e fundit për këtë veprimtar të devotshëm. Kjo mbase nuk duhet kërkuar nga askush as nuk duhet pasur iluzione që përmes një filmi dokumentar prej 36 minutash, që të thuhet gjithçka për një personalitet të këtij kalibri.
Tridhjetë e katër vjet veprimtari, mund, përpjekje, sakrificë është krejtësisht e pamundur të përfshihen brenda këtij minutazhi. Prandaj unë thamë me përgjegjësi profesionale se kam dhënë vetëm një kontribut të vogël për këtë veprimtar të madh.
Autori, në fund falënderoj të gjithë ata që kanë mundësuar përgatitjen e këtij dokumentari. Ai i njoftoi të pranishmit se ky fil një muaj më parë, më datën 04 prill 2015, pikërisht në datën e njëvjetorit të vdekjes së Kadri Rexhepit, se është shfaqur në teatrin e Gjilanit, në një sallë përplot autoritete e veprimtarë e bashkëveprimtarë .
Autori përshëndeti edhe në emrin e familje së atdhetarit Kadri Rexhepit për të cilin në fund tha se ai:” vërtetë ishte një zjarr kundër armiqve, spiunëve e tradhtareve që nuk u duk asnjëherë, por që punoi pa u duk e pa u ndalë asnjëherë për ditën e madhe të lirisë, pavarësisë dhe bashkimit kombëtar!
Në fund disa nga bashkatdhetarët e veprimtarit Kadri Rexhepi, si dhe ata që ishin të pranishëm me rastin e shfaqjes së këtij dokumentari falënderuan autorin për ndriçimin e kësaj figure atdhetare, që dhunti kishte punën e jo fjalën.
( Me ketë rast po japim edhe disa imazhe nga ky eveniment Grenchen të Solothurnit)