Mërgata gostivarase festoi në Zvicër me një pjesëmarrje masive e program cilësor

Mbrëmë në qytetin e Winterthurit në Zvicër, në kuadër të festave të nëntorit Unioni të Shoqatave Shqiptare të Gostivarit në Mërgim me moton : “Gostivari në mërgim feston -2024”, organizoi një manifestim mbresëlënës të përshkuar me një program artistik me këngëtarë të vendlindjes e në shoqërim të ansamblit “Trojet”, – Me këtë rast të pranishmëve iu drejtua me një përshëndetje kryetari i këtij unioni Kasam Selimi, i cili edhe ndau mirënjohje për kontribuuesit e këtij manifestimi dhe punën që zhvillojnë shoqatat në terren

Teksti dhe fotot: Rexhep Rifati

Në kuadër të dy ngjarjeve të mëdha kombëtare: 22 Nëntorit Ditës së Kongresit të Manastirit dhe 28 Nëntorit, Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë, në Zvicër e mërgatë përgjithësisht po mbahen një varg manifestimesh.

Në këtë kuadër për herë të parë në Töss të Winterthurit të kantonit të Cyrihut u mbajt manifestimi i organizuar nga Unioni të Shoqatave Shqiptare të Gostivarit në Mërgim, që përfshin një varg shoqatash që veprojnë jashtë vendit, por që nuk e harrojnë vendlindjen me kontribute të herëpashershme për mirëqenien e infrastrukturës së fshatrave të tyre. Vet Unioni të Shoqatave Shqiptare të Gostivarit në Mërgim, ka një përbërje mjaft të madhe nga shoqatat që veprojnë në Zvicër e gjetiu siç janë: Shoqata Strajani Bashkuar, Shoqata Humanitare Rinia Reçanit , Shoqata Humanitare Fshati Patalisht-ch , Shoqata Tërnova, Shoqata Humanitare Forina – Zvicër , Shoqata Rinia Turçan i Madh, Shoqata humanitare Diaspora „Simnicë“ , Shoqata Bamirëse , Shoqata E Diasporës Sërmnova , Shoqata “Baftir Jakupi” Llapushnik.

Por kësaj here ti kthehemi këtij manifestimi që u përmbyllë me mjaft sukses falë një pune të vyer të një këshilli organizativ që e kishte parapa tërë rrjedhën e programit me mjaft përpikëri: filluar nga hapja me Himnin Kombëtar dhe përmbylljen e tij me këngë e valle të përbashkëta duke e kthyer tubimin në një manifestim tradicional ngjashëm me ato në vendlindje.

Pas himnit të kënduar nga grupi i ansamblit “Trojet”, udhëheqësja e programit Sherife Ejupi – Zeqiri, paralajmëroi pikat ku kryetari i këtij unioni i gostivarasëve në mërgatë Kasam Selimi, pasi përshëndeti të pranishmit dhe falënderoi shoqatat dhe sponsorët që ky takim i parë të jetë sa më suksesshëm e përmbajtësor, ndau edhe disa mirënjohje si për artistët ashtu edhe për sponsorët dhe udhëheqësit e shoqatave.

Më tej në skenë defiluan solistë eminent nga Gostivari me rrethinë që veprojnë dhe jetojnë në mërgatë, kryesisht në Zvicër e Gjermani. Pikat përmes disa valleve të përgatitura

Pjesën artistike e përmbushën këngëtarët dhe instrumentistët me prejardhje nga komuna e Gostivarit që jetojnë në Zvicër apo edhe që kishin ardh nga vendlindja siç ishin: Hava Bekteshi, Ardit Bexheti , Kujtim Akiku , Teki Zulfija , Eliza Zeqiri, Xhevat Mislimi, Ziber Dibra, Gjeni Morina dhe Ansambli TROJET.  Kësaj radhe Ansambli “Trojet”, që udhëhiqet nga Zeqa Gashi, doli në skenë me një koreografi të përzgjedhur nga Arsim Berisha, që impresionoi të pranishmit, sa që çdo pikë e programit u përcoll me duartrokitje.

E veçanta tjetër ishte se siç mësova nga kryetari i unionit, që të gjithë artistë e grupe kishin ardhur në baza thjesht vullnetare dhe pa kompensime materiale për ta përjetuar së bashku këtë manifestim tejet masiv e cilësor dhe për tu çmall bashkërisht. E nga ana tjetër edhe vet familjarët ishin përkujdes që të sillnin ushqimet dhe pijet që asgjë të mos mungojë gjatë kësaj mbrëmjeje.   Ndonëse ishte hera e parë që ky union organizonte një manifestim të kësaj natyre, megjithatë pati një pjesëmarrje tejet masive dhe një organizim shumë të mirë e të kompletuar , si parakusht edhe për organizime të radhës.